Mbyllet një Gazetë e Përditshme në Kosovë
Zyrtarët ndërkombëtarë kanë mbyllur gazetën e përditshme Dita pasi ajo nuk pagoi një gjobë të vendosur pas botimit të një artikulli ku përmendeshin me emër serbë të dyshuar për krime lufte.
Mbyllet një Gazetë e Përditshme në Kosovë
Zyrtarët ndërkombëtarë kanë mbyllur gazetën e përditshme Dita pasi ajo nuk pagoi një gjobë të vendosur pas botimit të një artikulli ku përmendeshin me emër serbë të dyshuar për krime lufte.
Komisioneri i Përkohshëm i OSBE-së për Mediat në Kosovë, Dagllas Davidson, javën e kaluar urdhëroi mbylljen e menjëhershme të së përditshmes në gjuhën shqipe, Dita.
Ky veprim pason mospagimin nga ana e saj të një gjobe prej 25,000 marka gjermane të vendosur ndaj saj për botimin e një artikulli të shoqëruar me fotografi të dukshme dhe hollësi personale për 15 serbë, të cilët, sipas gazetës, ishin kriminelë lufte.
Në artikull, të botuar më 4 korrik, e përditshmja thoshte se dy priftërinj ortodoksë, adresat e të cilëve ishin përfshirë në artikull, kishin "bekuar paraushtarakët serbë pas çdo krimi dhe masakre të kryer prej tyre ndaj shqiptarëve në Kosovë".
"Pavarësisht nga disa letra paralajmëruese, Dita ka botuar hollësi personale, të cilat mund të venë në rrezik jetën ose sigurinë e personave të përfshirë në këto artikuj," ka thënë Davidson.
Shtypi lokal ka protestuar vazhdimisht ndaj dështimit të komunitetit ndërkombëtar për të nxjerrë përpara drejtësisë kriminelët e luftës serbë, duke thënë se disa prej tyre edhe janë punësuar nga OKB-ja.
Pas botimit të artikullit, Davidson i ka kërkuar Dita të botojë një kundër-artikull. Përgjigja e saj u konsiderua e pakënaqshme. Dhe më 20 korrik gazeta u urdhërua të paguajë një gjobë prej 25,000 marka deri më 25 korrik. Gjoba nuk u pagua dhe për këtë arësye u lëshua një urdhër ndalimi për botimin e gazetës.
"Dita tani është urdhëruar të ndalojë menjëherë punën e saj," tha OSBE të enjten në një deklaratë për shtyp. Ndalimi i gazetës qëndron në fuqi derisa ajo të paguajë gjobën.
Në përgjigje ndaj ndalimit, botuesi i Dita-s, Belul Beqaj, tha se "për ne pagesa e gjobës nuk do të thotë asgjë. Ne kemi thënë se kjo është një shenjë që komuniteti ndërkombëtar po qëllon aktivitetin dhe lirinë e shtypit në Kosovë me 25,000 grushta."
Në një editorial të botuar të premten e kaluar, Beqaj thoshte se ata do t'i bindeshin urdhërit, por bëri thirrje për ndihmë nga "faktorët profesionalë, politikë e ligjorë dhe vëçanërisht nga ju të dashur lexues."
Dita është mbyllur përkohësisht dy muaj më parë, kur ajo u quajt përgjegjëse për nxitjen e njerëzve për të rrëmbyer dhe vrarë përkthyesin serb të OKB-së, Petar Topoljski. Gazeta kishte shkruar se ai kishte qenë një anëtar i një njësie paraushtarake serbe gjatë luftës në Kosovë.
Si pasojë, më 3 qershor kryeadministratori i OKB-së në provincë, Bernar Kushner, urdhëroi policinë të mbyllë zyrat e gazetës për tetë ditë.
Në median kosovare të këtyre ditëve është bërë e zakonshme që veprimet e fundit të komunitetit ndërkombëtar kundër Ditës të krahasohen si shumë të ngjashme me ato të autoriteteve të mëparshme serbe.
Nga ana e tyre, gazetarët shqiptarë thonë se komuniteti ndërkombëtar po aplikon standarte të dyfishta: duke penalizuar ata, ndërsa shtypi serb qarkullon lirisht në enklavat serbe në Kosovë. Ata gjithashtu theksojnë se në vendet perëndimore gazetarët janë të lirë të kryejnë hetime dhe nuk pengohen në këtë mënyrë.
Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve në Kosovë, Haqif Mulliqi, ka dënuar hapat e fundit të OSBE-së ndaj Ditës dhe ka kritikuar rregulloren e re për mediat të përgatitur nga UNMIK dhe OSBE këtë vit.
Të alarmuar nga kjo modë e "gazetarisë hakmarrëse" në gazetat shqiptare, zyrtarët ndërkombëtarë në Kosovë kanë futur në përdorim një sërë ligjesh emergjente për shtypin me synim parandalimin e hakmarrjeve ndaj të dyshuarve për krime lufte.
Këto ligje do të kenë një natyrë të përkohshme dhe të kufizuar. Por ato konsiderohen këtu si një përpjekje për të kontrolluar median shqiptare në Kosovë. Njerëzit thonë se këto rregulla nuk do të toleroheshin në Britani apo Shtetet e Bashkuara. "Ne nuk do të vihemi në shërbim të askujt," ka thënë Beqaj.
Davidson është i vendosur për vendimin e marrë dhe nuk është lëkundur aspak nga protestat e shqiptarëve. Ai thotë se këto rregulla janë vendosur në mënyrë që të sigurohet se media në Kosovë të mos rrezikojë jetën e individëve serbë dhe të mos promovojë urrejtjen etnike.
Llazar Semini është manaxher i projektit të IWPR-së në Prishtinë.