OKB-ja Nuk Mban Premtimet Ndaj Kosovarëve
Pas një viti në kontroll të Kosovës, pak nga synimet e OKB-së janë arritur.
OKB-ja Nuk Mban Premtimet Ndaj Kosovarëve
Pas një viti në kontroll të Kosovës, pak nga synimet e OKB-së janë arritur.
Dymbëdhjetë muaj pasi bombardimet e NATO-s i dhanë fund fushatës së spastrimit etnik të Beogradit në Kosovë, shqiptarët vendas mendojnë se përpjekjet e OKB-së për të promovuar stabilitetin në provincë po dobësohen.
UNMIK ka arritur natyrisht disa suksese. Shmangia e një katastrofe humanitare dimrin e kaluar dhe krijimi i një strukture administrative janë padyshim arritjet e saj më të mëdha.
Por ka pasur edhe shumë dështime. Spastrimi etnik vazhdon të jetë një problem dhe është arritur pak përparim në krijimin e një Kosove multietnike. Ekstremistët serbë dhe shqiptarë janë të vetmit njerëz që përfitojnë nga këto gabime të UNMIK-ut.
Tani ka filluar të promovohet një politikë e pajtimit dhe komuniteti ndërkombëtar po bën presion ndaj drejtuesve të të dy komuniteteve, veçanërisht atij shqiptar, për të inkurajuar bashkëjetesën.
Por a mund të arrihet kjo në të ardhmen e afërt? Sigurisht që jo. Shqiptarët nuk mund të harrojnë atë që ka ndodhur një vit më parë. Gjykata e Hagës ka dërguar ekipe forensikë (mjekësor dhe hetues) për të zhvarrosur kufomat nga rreth 440 varre massive të shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë dy vjetëve të fundit, mbi tre mijë njerëz janë të zhdukur dhe mbi një mijë dergjen në burgjet serbe.
Komuniteti ndërkombëtar mund të jetë duke kërkuar shumë nga drejtuesit lokal. Natyrisht, përpjekjet e tij për të kthyer qindra mijëra refugjatë shqiptarë dhe serbë nuk janë realiste. Shqiptarët e kthyer nuk kanë shtëpi dhe vende pune, ndërsa serbët mund të jetojnë vetëm në enklava të vogla të mbrojtura nga trupat e KFOR-it.
Ndërkohë UNMIK dhe OSBE po regjistrojnë njerëzit për zgjedhjet lokale në vjeshtë. Por me çfarë qëllimi do të mbahen ato. Administrata lokale mund të ketë më shumë pushtet se tani, por kontrolli ndërkombëtar mund të verë veton mbi çdo vendim të saj. Kjo mund të çojë në krijimin e një "diktature beninje".
Nuk ëshë për t'u habitur që disa parti shqiptare nuk janë aspak entuziaste për institucionet e reja demokratike. Dhe komuniteti ndërkombëtar do të bënte mirë të mos ushtronte presion ndaj tyre, sepse mund t'i detyronte të bënin të njëjtën rezistencë si kur Kosova ka qenë nën kontrollin e Serbisë.
Ndërkohë projekti ndërkombëtar në Kosovë po rrezikohet nga mungesa e fondeve. Po vihet re lodhja e donatorëve, ndërsa dëshira e komunitetit ndërkombëtar për të financuar rindërtimin dhe demokratizimin e provincës po pakësohet.
Një tregues tjetër i pakësimit të vëmendjes së perëndimit për Kosovën është se institucionet ndërkombëtare shpesh herë janë të mosplotësuara me staf apo janë me një staf të papërgatitur. Nuk është e vështirë të kuptohet se përse vendet perëndimore nuk preferojnë të dërgojnë njerëzit e tyre më të mirë në një pjesë të largët të Europës lindore.
Pra, çfarë do të bëhet me statusin e ardhshëm të Kosovës? Përpjekjet e OKB-së për të promovuar stabilitet në provincë po rrezikohen nga mungesa e qartësisë për statusin e saj. Në fakt, shefi i UNMIK-ut Bernar Kushner ka kërkuar së fundi nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së të saktësojë se çfarë kanë pasur parasysh kur kanë premtuar një "autonomi substanciale" për provincën.
Statusi i provincës është natyrisht i papranueshëm për shqiptarët. Por ndërsa ata kërkojnë me forcë pavarësi, as edhe një politikan i vetëm shqiptar nuk ka qenë në gjendje të parashikojë se si një shtet sovran kosovar mund të mbijetojë i izoluar, i prapambetur ekonomikisht dhe i rrethuar nga vendet më të varfra të Europës. Cili investitor me mënd në kokë do të kishte interes të investonte në një vend të tillë.
Cilido që të jetë statusi i Kosovës, paratë do të fillojnë të vijnë në provincë vetëm kur ajo të jetë bërë e qëndrueshme e të ketë larguar imazhin e një rajoni të shkatërruar nga lufta.
Rivendosja e marrëdhënieve me Serbinë, dikur, do të jetë një hap i rëndësishëm në këtë drejtim. Për sa kohë të jetë Millosheviqi në pushtet, kjo do të jetë e vështirë, por për Kosovën mund të jetë më e lehtë të vendosë një farë dialogu me ata që do ta pasojnë atë. Megjithëse duhet thënë se opozita serbe është po aq kundër pavarësisë së Kosovës sa edhe vetë Millosheviqi.
Askush nuk e di se çfarë do të sjellë e ardhmja për Kosovën. Janë shumë pyetje që kanë nevojë për përgjigje. Por shqiptarët duhet të punojnë shumë që komuniteti ndërkombëtar të mbajë premtimet dhe vendosmërinë e tij për provincën.
Llazar Semini është manaxher i projektit të IWPR-së në Prishtinë.