Kur Çdo Gjë u Bë e Mundur

Deri në momentin e fundit askush nuk e dinte nëse mjeshtri i madh do të ngrinte krye përsëri. Por më pas ndodhi gjëja më e pabesueshme.

Kur Çdo Gjë u Bë e Mundur

Deri në momentin e fundit askush nuk e dinte nëse mjeshtri i madh do të ngrinte krye përsëri. Por më pas ndodhi gjëja më e pabesueshme.

Tuesday, 6 September, 2005

Pikërisht kur unë po mendoja se ndoshta e gjithë kjo nuk do të përfundonte mirë dhe se Millosheviqi mund të kishte akoma karta për të luajtur ndonjë bllof - ka ndodhur ajo që unë e kam ëndërruar prej vitesh: Të gjitha, çdo gjë, janë të mundura në Serbi! Ne kemi fituar!


Si filloi e gjitha kjo? Një natë përpara fitores Gjykata Kushtetuese anuloi zgjedhjet presidenciale. Me fjalë të tjera, do të organizoheshin zgjedhje të reja dhe kjo ishte e gjitha. Pikë. Ndoshta kjo ishte ajo që kishte vendosur drejtuesi i jetëve tona - Millosheviq.


Zgjedhjet e reja do të mbahen kur të krijoheshin kushtet për to - brenda një, dy, apo tre vjetësh. Pasojat tronditëse të këtij vendimi e shndërruan të gjithë dramën serbe në një fuçi baroti.


Lajmet filluan të vinin që herët në mëngjes - se policia kishte ngritur bllokime në të gjitha rrugët që të sillnin në qytet për të parandaluar njerëzit të mblidheshin përpara Parlamentit Federal, ku mitingu përfundimtar ishte planifikuar të fillonte në orën 15.


Më pas erdhën lajmet për disa mijëra police, të cilët përpiqeshin të zbrapsin minatorët në kompleksin minerar të Kolubarës dhe thirrjen e minatorëve që banorët e Lazarevcit të shkonin në ndihmë të tyre dhe jo në Beograd.


Një kolegu im më telefonoi në celularin tim nga autostrada Ibar duke më thënë se disa demonstrues ishin arrestuar dhe se nuk numëroheshin dot ata që ishin rrahur. Nuk ishte e qartë nëse një karvan me rreth 50 autobusë dhe njëqind makina të nisura nga Caçak do të mundej të kalonte.


Të gjitha këto njoftime, kontradiktore dhe alarmante, shtuan adrenalinën dhe e shndërruan frikën në tërbim.


Unë dola të blija cigare; të gjitha dyqanet ishin të mbyllura, grilat e ulura dhe nuk dukej asnjë makinë në rrugë. Kazanët e plehrave, të mbushur plot, në mes të rrugës; disa makina të parkuara me nxitim në mënyrë të çrregullt, nja dy njerëz të fshehur prapa një makine dhe të gjithë ne që shikonim rreth 50 policë të veshur me uniforma luftimi që kaluan përmes Sheshit Sllavija.


Mund të dëgjohen fishkëllima - thuhet se studentët janë në sheshin Terazija dhe po shkojnë drejt Dedinjes, pjesa e qytetit ku banon Millosheviqi. Këto njoftime i hedh poshtë një dëshmitar, i cili vrapon duke bërtitur se studentët janë në shesh dhe na thotë të largohemi shpejt se po vinin policët.


Në dreq të venë cigaret: Unë nis të vrapoj. Komisioni thotë se në Sheshin Republika janë mbledhur rreth pesëdhjetëmijë njerëz.


Çdo gjë mund të ndodhë - dhe unë e ndjej se diçka do të ndodhë, sepse kështu duhet të jetë - dhe historianët do të analizojnë më vonë se si filloi kjo kryengritje.


Autoritetet janë në gjendje krejtësisht të tronditur që prej gjashtë apo shtatë ditëve nga përfundimi i zgjedhjeve - kanë humbur ndjenjat dhe nuk janë në gjendje të reagojnë. Mitingjet, demonstratat, përkrahja nga jashtë, numri gjithnjë në rritje i grevave dhe protestave - e kanë detyruar regjimin e pamësuar me këtë gjendje të tërhiqet për t'u mbrojtur.


Më në fund gjërat filluan të ndryshojnë të dielën. Sulmet ndaj opozitës u bënë më të ashpra, dhe filloi të mbërrijë edhe mbështetja nga jashtë - përmenden Ukraina, Bjellorusia, Kamboxhia dhe Iraku.


Linja zyrtare ishte se perëndimi i poshtër kishte manipuluar zgjedhjet dhe kërcënuar qytetarët e Serbisë, të cilët votuan në këtë mënyrë nën peshën e luftës informative.


Në fjalimin e tij në radio-televizion të hënën në orën 5 pasdite, Sllobodan Millosheviqi ka dhënë mesazhin se Serbia do të pushojë së ekzistuari nëse fiton opozita tradhëtare, se fati i serbëve do të jetë më i keq se i kurdëve dhe se vendet fqinje do të copëtojnë territoret e Serbisë, se ushtarët e huaj të këqinj do të pushtojnë tokat tona, se ne do të humbasim identitetin, se do të mësojmë letërsi të huaj në vend të asaj tonës, se brezat e rinj nuk do të mund të studiojnë, se do të mbizotërojë krimi dhe se do të kemi luftra të përhershme.


Por nëse ne votojmë për Millosheviqin, ne nuk do të dimë çfarë të bëjmë me gjithë ato kënaqësi dhe të mira, do të ruajmë vendin, identitetin dhe do të jetë me të vërtetë një jetë e mrekullueshme.


Me një përzierja kërcënimesh dhe premtimesh, duke u përpjekur të dukej - sepse në të vërtetë nuk ishte - i sinqertë, ne pothuajse jemi prekur nga pranimi i tij se atij nuk i interesonte pushteti, aspak.


Por askush nuk mund të durojë më fjalët për komplote ndërkombëtare të Millosheviqit dhe gruas së tij.


Dhjetra mijëra njerëz po derdhen në rrugë; ata po përshëndeten nga ballkonet me flamuj të opozitës, trumpetierët që kanë mbërritur nga Uzicë dhe Çaçak kanë mundur të kalojnë bllokadat dhe janë në fillim të turmës. A është ky një revolucion?


Nuk e di, por ka shumë kohë që në kryeqytet nuk ka patur kaq shumë gëzim dhe hare.


Bulevardi i Revolucionit është i boshatisur dhe nuk ka asnjë makinë. Rreshtat e makinave po drejtohen nga Parlamenti Federal; ka disa policë nëpër autobusë pranë parkut Tasmajdan; njerëzit fishkëllejnë me zemërim nga policët që ruajnë ndërtesën e televizionit të urryer.


Zemërimi ndaj gazetarëve shtetërorë, atyre kriminelëve të luftës të cilët na kanë vrarë me komentet dhe kërcënimet e tyre për vite me rradhë, po shtohet. Atyre do t'u pëlqente të ndryshonin krah tani. Por ku kanë qenë ata deri më 24 shtator, çfarë bënin ata? Me çfarë gjërash na kanë helmuar që prej kaq shumë kohësh?


Ne do të jemi të gjithë veteranë të revolucionit - sot ne jemi të gjithë kundër Millosheviqit dhe kjo është diçka madhështore.


Gra me gishta të ngritura lart, nxënës që këndojnë "ai ka mbaruar", studentë dhe disa pensionistë të tronditur që ndjekin Fillimin e Fundit.


Me të vërtetë, mendoj me vete: nëse Millosheviqi mbijeton edhe këtë rradhë, nëse na mund përsëri - ai meriton të qëndrojë presidenti i çdo gjëje dhe çdo njeriu deri sa të vdesim!


Megjithëse mitingu sapo do të fillonte, Radio Beogradi transmeton - tepër gjakftohtë sikur të mos jetë duke ndodhur asgjë - një program komedi të ndërprerë nga këngë të gëzuara popullore.


Sot në mëngjes - nuk do ta harroj kurrë këtë - kam parë një program prej 20 minutash në TV me këshilla se si të njohim mjaltin e vërtetë nga ai i rremë në treg. Dukej sikur askush nuk i kishte treguar prezantuesit se tregjet nuk ishin hapur dhe se mjalti i Millosheviqit ishte shndërruar në qymyrin e Kolubarës.


Lajmi kryesor i Radio Beogradit të Millosheviqit është se qeveria federale sot do të shqyrtojë marrëveshjen tregtare me Rusinë.


Të gjitha janë kaq jo të vërteta sikur Radio Beogradi të transmetonte nga ndonjë planet i largët: mijëra demonstrues po kalojnë poshtë dritareve të tyre, por radioja nuk i sheh ata. Demonstratat - thotë urdhëri - zyrtarisht nuk ekzistojnë! Nga rruga dëgjohet një këngë: "Sllobodan, vrit veten dhe shpëto Serbinë". Unë dëgjoj një zhurmë të mbytur. Më shkon mendja tek më e keqja - tanket.


Por bilbilat, thirrjet dhe kënga me zë të lartë - "Ai ka mbaruar" - na tregojnë se kanë mbërritur demonstrues të rinj. Pranë fakultetit të drejtësisë rruga është e tejmbushur: masa e njerëzve që ka mbushur gjithë gjerësinë e rrugës po drejtohet nga Parlamenti Federal; fëmijë, nëna, baballarë, studentë, pensionistë, shumë janë përgatitur për gazin lotsjellës duke vendosur shalle në fytyrë, për çdo rast.


Por diçka e çuditshme ndjehet në ajër; unë kam ndjenjën për herë të parë se ky është fundi i Millosheviqit dhe se nuk ka kthim prapa. Sa më shumë që i afrohemi parlamentit, aq më dramatike bëhet gjendja; autobusët janë parkuar në rresht përgjatë rrugës, disa qindra njerëz kanë hipur mbi ta, disa kamionë nga Caçak dhe Uzicë, njerëz me grushta lart mbi to, minatorët nga Kostolci po mbërrijnë.


Një miku im nga qyteti Ivanjicë më thotë se kryetari i bashkisë së Çaçakut, Velimir Iliq, është në krye të turmës dhe në krye të saj është edhe një buldozer. Ata kanë kaluar me forcë bllokadat e policië dhe i kanë hedhur makinat e policisë nëpër kanalet e rrugës.


Ai më thotë se shumë policë po zhveshin uniformat dhe po përqafohen me demonstruesit. Në turmën përballë parlamentit ne pyesim njerëzit e hypur mbi autobusë të na thonë se çfarë po ndodh. "Rrëmujë tek dera e parlamentit... Ta hajë dreqi! Tanët po hyjnë brenda! Po del tym, njerëz, parlamenti po digjet," bërtasin ata nga kamionët.


"Ata po hedhin gaz lotsjellës," na tregojnë. "Po shohim shtëllunga të bardha tymi."


Unë largohem nja dhjetë metra dhe afrohem në një hyrje duke u përgatitur nëse fillon rrëmuja. Gazi lotsjellës fillon të më mbysë: kollitem, fërkoj sytë me duar. Ndjehem edhe më keq, më vjen për të vjellë. Me xhaketën mbi fytyrë vrapoj nëpër bulevard. Pranë parkut Tasmajdan ka edhe më shumë gaz lotsjellës.


Të gjithë vrapojmë, por e dimë se do të kthehemi, edhe më të zemëruar. Shohim një tym të zi, të trashë që del nga prapa parlamentit. Marrim vesh se disa makinave të policisë u është vënë zjarri; disa dëshmitarë okularë thonë se parlamenti po digjet.


Shohim flakët që dalin nga dritaret e katit të parë. Një masë e madhe njerëzish përplaset me njëri tjetrin. "Ne kemi fituar," bërtet një student. "Policia po bashkohet me demonstruesit, ata janë me ne."


Më në fund shohim se ndërtesa e Radio Televizionit të Serbisë po digjet; kanë marrë flakë tre kate të tjera, demonstruesit kanë hyrë në të, ata po nxjerrin monitorë, karrike dhe kompjutera.


Ata rrahin disa redaktorë dhe prezantuesen Staka Novkoviq; e tërheqin prej flokësh dhe e shtrijnë në tokë. Më vjen keq që nuk kam qenë aty për të dhënë kontributin tim konstruktiv në lirinë e mediave.


Është konfirmuar lajmi se redaktorët famëkeqë të TV Spomenka Joviq dhe Milorad Komrakov janë larguar të shoqëruar nga truprojet. Shumë njerëz të tillë ia kanë mbathur - por ne do t'i gjejmë.


Disa nga policët kanë hequr tashmë uniformat, helmetat dhe mburojat plastike.


Demonstruesit e gëzuar po kërcëjne në sheshe si indianë duke mbajtur në duar shenjat e policisë si trofe. Njerëzit po nxjerrin çdo gjë që është e mundur nga ndërtesa e Parlamentit Federal. Herë pas here shihen njerëz të ngarkuar me karrike, rrugica apo ndonjë dollap të madh.


Dikush ka një trofe më të vyer: një karrike me shqiponjat federale, simbol i Serbise dhe Jugosllavisë.


Dy kinezë po filmojnë demonstratat nga çatia e një autobusi. Rreth 30 njerëz e tërheqin kameramanin nga këmbët duke bërtitur "Të bëfsha nënën tënde kineze." Gjatë viteve të fundit Millosheviq ka sjellë në Beograd një numër të madh kinezësh duke i konsideruar ata si të vetmit miq të Serbisë. Kështu që zemërimi ndaj kinezëve kthehet në agresion.


Kinezët po bien nga autobusi, dikush i rrëzon kameran dhe unë i shoh ndërsa njerëzit po i rrahin. A është ky fundi i dashurisë së ëmbël serbo-kineze të nxitur nga Sllobodan Millosheviqi?


Shoh disa demosntrues që dalin me vrap nga parku Tasmajdan. Ata thonë se RTS-ja ka ndaluar transmetimet e lajmeve dhe tani jep vetëm muzikë.


Një prezantues shfaqet në ekranin e Studio B, stacioni i pavarur TV që është vendosur nën kontrollin e qeverisë së Millosheviqit. Ai thotë se Studio B është përsëri e lirë.


TV Pink në pronësi të Zheljko Mitroviq, anëtar i së Majtës së Bashkuar Jugosllave (JUL), ka ndërprerë transmetimet. Po kështu edhe TV Kosava në pronësi të Marija Millosheviq, vajzës së Sllobodanit.


Të gjithë programet e mi të pëlqyer, me të cilët kam jetuar gjithë këto vjetë, po zhduken. Si mund të blej nesër Politikan dhe të mos lexojë se Millosheviq është heroi i parë i popullit heroik serb, shpëtimtari i shtetit serb, simboli i mbijetesës së qenies kombëtare serbe, liria e qytetarëve të Jugosllavisë, sinonimi i kurajos, nderit, ndershmërisë dhe dinjitetit.


Të gjitha këto shtylla të regjimit tani duken tepër boshe. Të gjitha u shembën menjëherë. Tanjug, agjencia shtetërore e lajmeve, thotë se tani ajo është me popullin. Po ajo Tanjug e cila në komentet e saj të tipit Aushvic na ka mbytur të gjithë ne me deklaratat e saj patriotike vdekjeprurëse.


I gjithë sistemi i Millosheviqit, i krijuar me kujdes duke blerë njerëz dhe duke i kërcënuar ata me pushim nga puna, ka pushuar së ekzistuari.


Unë krenohem duke e ditur gjithnjë se Millosheviq do të largohej në këtë mënyrë, në rrugë, i përballur me një milion njerëz, i përzënë si një qen, i urryer në kulm dhe i shkatërruar.


Presidenti i RFJ-së Vojislav Koshtunica flet në kanalin e parë të RTS-së - i cili, në mënyrë të pabesueshme, është marrë nga Studio B.


Ai nuk është politikani im i preferuar, nuk është dikush për të cilin do të prisja damarët dhe aspak personi të cilin unë do ta doja, përkundrazi.


Tani që Z. VK është president - unë nuk ndjej asgjë të veçantë, as gëzim, as mërzitje, e vetmja gjë që ka rëndësi është se Sllobodani nuk është më.


Rrugët e Beogradit janë të mbushura me njerëz, të ulur, që pijnë, puthin njëri tjetrin, në mënyrë të pakontrolluar.


Kanë ardhur edhe furnizimet me verë, ujë mineral dhe cigare.


Unë jam i lumtur. Mendoja se do të isha shndërruar me kohë në pluhur përpara se Millosheviqi të zhdukej.


Të jetosh pa Millosheviqin është një ndjenjë që shpërndahet me ngadalë, që të hyn në vena shumë ngadalë.


Dua të jem triumfues, i dehur si dru dhe të besoj se Sllobodan Millosheviqi i ndyrë nuk ka ekzistuar kurrë...


Millosheviqi nuk do të kthehet kurrë më..., por, kur mësohesh të flesh me armikun tënd në kokë për kaq shumë vjetë, asgjë nuk është më e lehtë.


As edhe lajmi se ata do të heqin sanksionet, do të na pranojnë në Europë, do të na duan sikur të ishim një prej tyre... të gjitha këto nuk të ngushëllojnë sa duhet kur kupton se sa ke humbur gjatë këtyre 13 vjetëve.


Vetëm tani e kuptoj kohën e humbur. I lodhur - unë përshëndes Revolucionin dhe i jepem një shisheje vere Chardone prodhim i vitit 1997. Unë mbyll kështu zyrtarisht kapitullin e jetës sime të këtyre 13 vjetëve dhe përpiqem të filloj të jem normal.


Petar Lukoviq është gazetar i vjetër dhe artikullshkrues në Beograd, si edhe një bashkëpunëtor i vjetër i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists