Zëra për një Largim të Millosheviqit

Janë shtuar spekulimet se presidenti jugosllav po përgatitet të largohet nga vendi.

Zëra për një Largim të Millosheviqit

Janë shtuar spekulimet se presidenti jugosllav po përgatitet të largohet nga vendi.

Spekulimet se Sllobodan Millosheviq po përgatitet të largohet nga vendi u shtuan të mërkurën kur gruaja e tij Mira Markoviq fluturoi për në Moskë.


Një burim diplomatik në Moskë konfirmoi se Markoviq u prit në aeroport nga vëllai i presidentit, ambasadori jugosllav në Moskë, Borislav Millosheviq. "Ka qenë një vizitë private dhe unë mund të them vetëm se znj. Markoviq nuk ka takuar asnjë zyrtar të qeverisë," tha një burim tjetër për IWPR-në.


Në Beograd media zyrtare nuk ka njoftuar për udhëtimin dhe spekulimet se Markoviq po kërkonte të negocionte strehim politik për veten dhe familjen e saj as nuk janë konfirmuar, as janë hedhur poshtë.


Ndërkohë e përditshmja e Podgoricës, Vijesti, njoftoi se Markoviq kishte pësuar një ezaurim nervor, që e detyroi atë të kthehet me urgjencë në Beograd. Burime brenda Partisë Socialiste Serbe të Millosheviqit, SPS, e kanë hedhur poshtë këtë fakt duke deklaruar se gruaja e presidentit ka patur disa "probleme të vogla me zemrën".


Sjellja e Millosheviqit të mërkurën nuk kishte asnjë shenjë se ai mund të jetë duke u përgatitur për të kërkuar strehim. Ai ka patur dy takime, një me drejtuesit politikë dhe rajonalë të SPS-së dhe një tjetër me drejtuesit kryesorë të SPS-së, të së Majtës së Bashkuar Jugosllave, JUL, dhe të Partisë Socialiste Popullore të Malit të Zi, SNP, të drejtuar nga kryeministri federal jugosllav, Momir Bullatoviq.


Një burim i SPS-së, i cili ka marrë pjesë në takimet, thotë se Millosheviq ka mundur të "përmbledhë rradhët e tronditura të zyrtarëve të partisë së tij." Ditën tjetër ai ka urdhëruar një raund të dytë votimesh në zgjedhjet presidenciale - dhe po atë mbrëmje televizioni shtetëror ka transmetuar pamje të Millosheviqit dhe zyrtarëve të tij në humor shumë të mirë.


I njëjti burim thotë se sekretari i përgjithëshëm i SPS-së Gorica Gajeviq u ka thënë zyrtarëve se presidenti është "tronditur" nga pamjet televizive të udhëheqjes së JUL-it, që dukej sikur merrte pjesë në një funeral.


"Presidenti dha përshtypjen se ai është i vendosur dhe në pozita të forta. Unë besoj se ne kemi shmangur çdo largim dhe se nuk do të ketë krizë në parti përpara raundit të dytë të zgjedhjeve," ka shtuar burimi duke hedhur poshtë një deklaratë të përkrahësit të rëndësishëm të regjimit Mlaxhan Dinkiq se shumë prej zyrtarëve të Millosheviqit ishin larguar nga Serbia.


Gjatë një sesioni të mbyllur të takimit, Millosheviq thuhet se ka hedhur poshtë spekulimet rreth një udhëtimi jashtë shtetit si "budallallëqe propagandistike". Megjithatë ai nuk mund të mos pranonte takimin e tij me ministrin e jashtëm grek Karolos Papulias në Beograd të hënën e kaluar.


Burimi i IWPR-së në SPS thotë se dy javë përpara zgjedhjeve, Papulias ka sjellë një propozim për një mundësi për strehim politik - të quajtur oferta greko-ruse. Millosheviq ka marrë siguri se nëse pranonte të largohej nga posti paqësisht, atij do t'i jepej strehim në Rusi, apo në ndonjë nga vendet e tjera ish-sovjetike - një plan për të cilin ishte arritur konsensusi edhe nga vendet e tjera të Bashkimit Europian.


Detyra për të bindur Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të pranuar këtë zgjidhje do t'i lihej presidentit të Rusisë Vladimir Putin, ka thënë burimi. Por Millosheviq e ka hedhur poshtë me forcë këtë ofertë duke deklaruar se ai do të fitonte me shumicë zgjedhjet. {Papulias, i8 cili konsiderohet si i vetmi politikan perëndimor që gëzon besimin e Millosheviqit, e ka informuar atë se oferta do të jetë e vlefshme edhe pas zgjedhjeve, "por jo për shumë kohë", ka shtuar burimi.


Shumë media kanë njoftuar të hënën se një takim ndërmjet Putinit dhe kancelarit gjerman Gerhard Shrëder iu kushtua zgjedhjeve jugosllave dhe përpjekjeve për të gjetur një rrugëdalje për Millosheviqin. Moska ka përgënjeshtruar zyrtarisht se në këtë takim është diskutuar çështja e strehimit, por të mërkurën ministri gjerman Ludvig Folmer pranoi publikisht idenë e ish-kryeministrit jugosllav Milan Paniq se Rusia duhet t'i sigurojë strehim Millosheviqit. "Sigurimi i strehimit të Millosheviqit duket më i arsyeshëm se rreziku i një lufte civile," ka thënë ai.


Burimet diplomatike për IWPR-në në Rusi thonë se ndërsa Putin nuk është shumë entuziast për t'i siguruar Millosheviqit strehim në Rusi, ai po e konsideron atë si mundësinë e fundit duke shtuar jo shumë i bindur se "një skenar ideal për Rusinë do të ishte Koshtunica president i RFJ-së dhe Millosheviq kryeministër."


E njëjta ide u propozua të enjten nga zyrtari kryesor i JUL-it dhe bashkëpunëtori i afërt i Mira Markoviqit, Ljubisha Ristiq. "Kryeministri zotëron pushtetin e vërtetë në RFJ dhe për këtë arësye ne do të kërkojmë që Millosheviq të jetë kryeministër. Edhe nëse funksioni i presidentit i jepet Koshtunicës, Millosheviq do të jetë kryeministër," ka thënë ai për gazetën italiane Manifesto duke deklaruar se një marrëveshje e tillë do të kënaqte edhe perëndimin i cili kërkon që Millosheviq të largohet nga presidenca me "çdo kusht".


Ish-negociatori i paqes i BE-së Lord Deivid Ouen propozon që Millosheviqi të pranojë fitoren e Koshtunicës dhe më pas ky i fundit ta emërojë Millosheviqin ambasador në Pekin, ku ai do të gëzonte mbrojtjen e autoriteteve kineze. Megjithëse jorealiste, ideja e Ouenit është e zgjuar, sepse ajo përmbledh postin politik dhe garancitë ndërkombëtare, të cilat Millosheviq i konsideron si mbrojtjen e tij më të mirë.


Cilado që të jenë taktikat e presidentit, zhvillimet e dhjetë ditëve të ardhshme do të varen kryesisht nga opozita. Pyetja e parë është nëse ata do të arrijnë të organizojnë protesta masive dhe një grevë të përgjithshme. Nëse po, a do ta shmangë Millosheviqi përdorimin e forcës deri në raundin e dytë të zgjedhjeve, të planifikuar për në 8 tetor?


Ai ndoshta do ta bëjë një gjë të tillë, sepse mendon se kjo do ta vërë Koshtunican përpara një dileme - ai ose mund të kundërshtojë raundin e dytë, duke e konsideruar kështu veten fitues, ose mund të pranojë të marrë pjesë, gjë të cilën ndoshta do ta konsiderojë si përulje. Millosheviq mendon se kjo dilemë krijon hapësirë për bisedime me opozitën, në të cilat SPS mund të kërkojë një pjesë të pushtetit dhe një post politik për presidentin.


Nëse Millosheviq nuk fiton në raundin e dytë, apo nuk arrin një kompromis që i garanton atij një post politik, opsionet e mbetura janë ose përdorimi i hapur i forces, ose largimi i tij nga vendi. Natyrisht që kjo e fundit ka qenë në mëndjet e Millosheviqit dhe rrethit të tij të ngushtë që prej të paktën një viti, por nuk është shqetësimi i tij kryesor për momentin.


Millosheviq është në qoshe të ringut, por ende nuk është rrëzuar.


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists