Karaxhiq Pranë Arrestimit?

Janë shtuar zërat sipas të cilëve trupa speciale të NATO-s po ngushtojnë rrethimin ndaj të dyshuarit nga gjykata e Hagës për krime lufte, Radovan Karaxhiq

Karaxhiq Pranë Arrestimit?

Janë shtuar zërat sipas të cilëve trupa speciale të NATO-s po ngushtojnë rrethimin ndaj të dyshuarit nga gjykata e Hagës për krime lufte, Radovan Karaxhiq

Një operacion i NATO-s për të rrethuar ish drejtuesin e Serbëve të Bosnjes dhe të dyshuar për krime lufte nga gjykata e Hagës, Radovan Karaxhiq, ka filluar tashmë në Bosnjen lindore. Ky informacion i është dhënë IWPR-së nga burime të larta të ushtrisë Jugosllave dhe policisë Serbe.


Këto burime thonë se operacioni - qëllimi i të cilit është të gjejë vendin se ku qëndron i fshehur Karaxhiq dhe ta arrestojë atë - ka filluar më 13 Korrik dhe mund të nevojitet nga një javë deri në një muaj kohë për përfundimin e tij.


Këto njoftime koincidojnë me një stërvitje ushtarake të NATO-s në Bosnjen lindore e cila nis sot, të Mërkurën. Zona e operacionit përfshin rajonin e Fokas, ku mendohet se është vendosur Karaxhiqi.megjithatë, aleanca ka hedhur poshtë se mund të ketë ndonjë lidhje ndërmjet aktiviteteve të saj dhe ish drejtuesit të Serbëve të Bosnjes.


Gazeta Britanike e së Dielës, The Observer, e cila citonte tre burime të Forcës së Stabilizimit, S-For në Banja Luka, njoftonte se një forcë shumë-kombëshe është përfshirë në një betejë ushtarake me rojet e Karaxhiqit të Premten e kaluar në mëngjes. Burimet kanë thënë se dy ushtarë të NATO-s ishin plagosur dhe operacioni për arrestimin e tij ishte ndërprerë.


S-For i ka hedhur poshtë këto njoftime. Por tani, dy burime të pavarura të IWPR-së - një oficer i lartë i ushtrisë Jugosllave në Beograd dhe një zyrtar i lartë i policisë nga pjesa Serbe e Sarajevos, me kontakte të mira në rradhët e rojeve të Karaxhiqit - i kanë konfirmuar detajet e operacionit për arrestimin e tij.


Oficeri Jugosllav ka thënë se operacioni është përpjekja më serioze dhe më e përgatitur për të arrestuar njeriun më të kërkuar nga Haga. Ai ka thënë se serioziteti i operacionit mund të gjykohet edhe nga fakti i përfshirjes në të të një njësie speciale të zbulimit nga forcat Britanike Ajrore, SAS, dhe një njësie speciale Gjermane të KSK.


Burimi thotë se dy grupet me veshje civile kanë krehur një zonë të gjerë, të pabanuar që shtrihet në kufirin ndërmjet Bosnjes, Malit të Zi dhe Serbisë. Deri më tani, thotë ai, ata nuk kanë kanë arritur të zbulojnë vendin e fshehtë të Karaxhiqit, por kanë ndërprerë të gjitha rrugët nga ku mund të largohet ai në drejtim të Serbisë dhe Malit të Zi - të cilat ish presidenti i Serbëve të Bosnjes i ka përdorur në të kaluarën për ti shpëtuar arrestimit. Burimi i policisë Serbe të Bosnjes thotë se forca ndërkombëtare ka në plan të rrethojë bazën e Karaxhiqit në një përpjekje për ta nxjerrë që andej.


Oficeri Jugosllav thotë se Karaxhiqi ruhet nga "një forcë prej 100 deri 130 luftëtarë me eksperiencë". Ai thotë se ata janë dislokuar në tre rrethime - njësi të rikonjicionit të jashtëm; njësi të armatosura mirë në rrethimin e brendëshëm i cili është menduar për të përballuar sulmet nga jashtë; dhe një kontigjent prej rreth 30 rojesh personale.


Burimi thotë se komandot e NATO-s dhe rojet e Karaxhiqit janë përplasur të Premten e kaluar në rrethinat e Scepan Polje, një fshat në kufirin e Bosnjes me Malin e Zi. Përveç gazetës The Observer, incidenti është njoftuar edhe në gazetën e përditëshme të Podgoricës Dan, më 14 Korrik. Gazeta njoftonte për dhjetë ushtarë Britanik të SAS të vrarë dhe dy të plagosur.


Ministria Britanike e mbrojtjes ka hedhur poshtë me forcë zërat se SAS është përfshirë në ndonjë operacion për arrestimin e Karaxhiq. Një zëdhënës i ka thënë IWPR-së më 17 Korrik se "këto janë zëra që kanë qarkulluar që prej fundjavës. Ne nuk do të spekullonim kurrë me aktivitetet e forcave speciale, për arësye të kuptueshme. Unë mund të konfirmoj se çdo njoftim rreth një ndërhyrjeje ushtarake për të arrestuar Karaxhiqin është një spekullim fallso. Nuk ka asgjë të vërtetë në të".


Zyrtarë të gjykatës së Hagës thonë se ata nuk kanë dijeni për ndonjë përpjekje për të arrestuar Karaxhiqin. Zëdhënësja e gjykatës Florens Hartman ka thënë për agjensinë e lajmeve ONASA më 15 Korrik se "Nuk e di nëse është e vërtetë. Unë nuk kam marrë asnjë informacion".


Kryeministri i Serbëve të Bosnjes Mladen Ivaniq është përpjekur gjithashtu të minimizojë këto lajme të Hënën. "Nëse do të kishte ndodhur diçka me të vërtetë, unë do të isha informuar patjetër," ka thënë ai përpara gazetarëve në Banja Luka. Ivaniq është në krye të përpjekjeve për miratimin e një ligji për ekstradimin, i cili do të zgjidhtetransferimin e Karaxhiqit në Hagë.


Ky ligj ishte planifikuar të miratohej në parlamentin e entitetit më 24 Korrik. Por të Martën në mbrëmje, Ivaniq i ka thënë Reuters se ai do të shtyhet deri në Shtator. "Bota ka pritur gjashtë vjet për Karaxhiqin, ata mund të presin edhe një muaj," ka thënë ai. Disa analistë kanë thënë se kryeministri po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për dorëzimin e Karaxhiqit në gjykatë, dhe do të dëshironte më tepër që NATO të bënte këtë punë për të.


Deri më sot, ka pasur tre përpjekje të dështuara për të arrestuar Karaxhiqin. Të gjitha kanë dështuar për shkak të mungesës së një konsensusi politik. E para ka qenë në fillim të verës së vitit 1997 - një operacion i SAS me emrin e koduar Tango - me synim arrestimin e Karaxhiqit, Simo Drljacas dhe Milan Kovaçeviqit. Të gjithë arritën të shpëtojnë. Drljaca ka vdekur më pas, i vrarë gjatë një shkëmbim zjarri me trupat e SAS të cilat kërkonin ta arrestonin në qytetin e Prijedor. Kovaçeviq është kapur dhe dërguar në Hagë ku ka vdekur nga një atak në zemër.


Burime nga entiteti Serb i Bosnjes thonë se në dy raste të tjera përpjekjet e SAS kanë dështuar sepse Karaxhiq është lajmëruar më aprë për operacionet e tyre. Ekziston mendimi se informacioni ka ardhur nga burime Franceze të S-For dhe se ish drejtuesi i Serbëve të Bosnjes nuk është larguar asnjë herë nga trerritoret e kontrolluara nga trupat Franceze ndërmjet Fokas dhe Pales.


Megjithatë, tani, nuk ka asnjë pengesë politike për arrestimin e Karaxhiqit, veçanërisht pasi qeveria Serbe dorëzoi ish presidentin Jugosllav Sllobodan Millosheviq. Njësitë e SAS kanë mbështetjen e politikanëve Serbë dhe atyre ndërkombëtar, të cilët për herë të parë janë të bashkuar në mendimin se vendi i Karaxhiqit është pas hekurave.


Zheljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së dhe një korrespondent i së përjavëshmes Dani të Sarajevos.


Frontline Updates
Support local journalists