I Duhet Dhënë Fund Dhunës në Maqedoni
Përfaqësuesit Maqedonas dhe Shqiptarë, si brenda ashtu edhe jashtë qeverisë, duhet të ulen së bashku dhe të bien dakort për reforma të thella politike.
I Duhet Dhënë Fund Dhunës në Maqedoni
Përfaqësuesit Maqedonas dhe Shqiptarë, si brenda ashtu edhe jashtë qeverisë, duhet të ulen së bashku dhe të bien dakort për reforma të thella politike.
Shpërbërja e ish Jugosllavisë ka treguar se vetëm lufta tërheq vëmendjen e fuqive të mëdha. Vetëm përdorimi i dhunës shërben si katalizator për një zgjidhje politike, duke detyruar Perëndimin të nxitojë në parandalimin e shpërndarjes së konfliktit në të gjithë rajonin.
Kështu ka ndodhur në Kosovë. Po ashtu lugina e Preshevës, zona kufitare me Serbinë, ku Shqiptarët etnik kanë duruar vuajtje të mëdha nga forcat Jugosllave pas tërheqjes së tyre nga Kosova.
Kërkesat ndaj organizmave të të drejtave të njeriut ishin një nga rrugët, por Shqiptarët e Preshevës tërhoqën vëmendjen ndërkombëtare vetëm duke marrë në dorë armët.
Këto mësime janë të rëndësishme për Maqedoninë, e cila është konsideruar gjithnjë si një ndër çështjet më të komplikuara në rajon, si për shkak të përbërjes etnike të vendit ashtu edhe për shkak të interesave të ndryshme të fqinjëve të saj.
Tani guerrilat Shqiptare po organizohen në të gjithë republikën. Dhuna po shërben si një katalizator për të përmbushur synimet politike, si në rastin e Preshevës, ku ajo u importua nga Kosova.
Problemi më i rëndësishëm është të spastrohet mjegulla politike që kanë krijuar të dyja palët. Shteti Maqedonas thotë se kriza e tanishme është eksportuar nga Kosova - duke lënë të kuptohet se në vend nuk ekzistojnë kushtet për një konflikt të armatosur.
Por është fakt që kërkesat e Ushtrisë Clirimtare Kombëtare (NLA) janë pothuajse të njëjta me ato që kanë shtruar partitë Shqiptare në Maqedoni që prej rreth dhjetë vjetësh. Ekziston një konsensus i gjerë ndër Shqiptarët e Maqedonisë se statusi i tyre kushtetues duhet të ndryshojë nga ai i një minoriteti në një komb "konstituiv". Ata kërkojnë të jenë të barabartë me ligj.
Por guerrilat Shqiptarë gjithashtu përhapin mjegull kur flasin për "pushtuesit Maqedonas" dhe "barbarinë Maqedonase", dhe thonë se janë detyruar të nisin këtë luftë.
E vërteta është se gjatë dhjetë vjetëve të fundit gjendja e Shqiptarëve në Maqedoni është përmirësuar ndjeshëm, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen direkte të tyre në qeveri. Gjendja e tyre është shumë ndryshe nga dhuna dhe represioni sistematik që detyroi Shqiptarët e Kosovës të nisin rezistencën e tyre të armatosur kundër Sllobodan Millosheviqit.
Tani që palët po luftojnë me njëra tjetrën, shteti i ri Maqedonas mund të përballet me sfidën e tij më të madhe. Pavarësisht shumë krizave, Maqedonia ka shmangur deri më tani luftën për shkak të mirëkuptimit ndërmjet grupeve të saj etnike, evolucionit të të drejtave të tyre dhe më e rëndësishmja, mbështetjes strategjike ndërkombëtare.
Faktori më pak i rëndësishëm kanë qenë forcat e sigurimit të Maqedonisë. Ai që mendon se integriteti territorial i vendit mund të mbrohet me anë të policisë apo ushtrisë Maqedonase me siguri që gabohet.
Guerrilat Shqiptarë nuk mund të përballojnë një luftë në front të gjerë, por edhe shteti Maqedonas nuk mund t'i zhdukë ata. Forcat e sigurimit Maqedonase mund të përballen me një luftë guerrile të zhvilluar në një brez të gjerë toke që fillon nga Kumanova deri në Strugë.
Pas çdo sulmi të tyre guerrilat do të shtojnë rradhët, dhe logjika e guerrilave është të sulmojnë shtetin kudo që të jetë e mundur për të shkaktuar një reagim. Gjendja e tanishme nuk mund të zgjasë për shumë kohë.
Nëse luftimet vazhdojnë, do të kemi një ndarje të plotë të kombësive në Maqedoni, duke krijuar ushtri etnike, dhe ndoshta duke rezultuar në një ndarje gjeografike të grupeve më të mëdha etnike.
Një ndërhyrje ushtarake e NATO-s është gjithashtu e vështirë, sepse ajo e konsideron këtë si një konflikt të brendëshëm. Shtrirja e mandatit të KFOR-it edhe në Maqedoni as që mund të konsiderohet nga administrata e tanishme Amerikane. Shtetet Europiane do të jenë shumë të kujdesëshme për të dërguar trupa në një situatë ku guerrilat dhe policia ndjekin njëri tjetrin nëpër kodra.
Ka dy rrugë për të zgjidhur këtë konflikt: reforma ose revolucion. Revolucioni do të thoshte ndarja e Maqedonisë sipas linjave etnike. Nëse do të shmanget kjo, do të duhet të kryhen reforma serioze, të cilat të adresojnë tre faktorë kryesorë: mirëkuptimin e brendëshëm, të drejtat e njeriut dhe mbështetjen ndërkombëtare.
Një marrëveshje e re e brendëshme duhet të bazohet në reformimin e shtetit Maqedonas. Demokracia elektorale ka treguar se ofron avantazhe të mëdha, por ajo nuk ka mundur të tejkalojë votimin sipas përkatësisë etnike.
Prioriteti i mënjëhershëm duhet të jetë gjendja e mjeteve për të arritur një konsensus politik dhe social i cili të mos jetë produkt i votës etnike. Mekanizmi më konstruktiv do të ishte organizimi i një tryeze të rrumbullakët për të diskutuar një axhendë për reformat.
Karakteri i këtyre reformave duhet të përcaktohet gjithashtu qartë. Maqedonasit etnik duhet të ndjejnë se Maqedonia është shteti i tyre kombëtar, por Shqiptarët dhe pakicat e tjera etnike duhet të ndjejnë se ata janë pjesë konstituive e tij dhe kanë të drejta të barabarta.
Maqedonia duhet të gjejë një balancë të re ndërmjet të drejtave individuale të qytetarëve dhe të drejtave kolektive të grupeve etnike.
Natyrisht, përfaqësues të të gjitha rrymave politike duhet të përfshihen në procesin e tryezës së rrumbullakët, por pozicioni i guerrilave e komplikon ështjen në një vend i cili ka mbajtur zgjedhje të suksesëshme demokratike.
Qëndrimi më i mirë do të ishte legjitimizimi i guerrilave si një forcë sociale, dhe pastaj të arrihej pjesëmarrja e tyre nëpërmjet partive ekzistuese apo edhe atyre të krijuara rishtazi.
Çdo marrëveshje e re e brendëshme jo vetëm që do të arrinte një pjesëmarrje proporcionale të Shqiptarëve në institucionet shtetërore, por edhe do të tregonte suksesin e tyre në krijimin e kushteve për këtë pjesëmarrje.
Një evolucion i tillë do të ishte një shembull i mirë për të gjithë kombësitë në vend, dhe për vetë shtetin. Një gjë e tillë do të tregonte se evolucioni i të drejtave kolektive për popullsinë jo Maqedonase mund të ecë paralelisht me zhvillimin pozitiv të vetë shtetit, në ndryshim të theksuar nga modelet totalitare Jugosllave drejt një qëndrimi përfshirës Europian.
Mbështetja ndërkombëtare për një proces të tillë është tepër e rëndësishme, dhe SHBA dhe BE duhet të shkojnë përtej dënimit të dhunës dhe të ndërmarrin veprime aktive për të gjetur një zgjidhje, dhe për të rifuqizuar synimin strategjik përfundimtar të integrimit të Maqedonisë në Bashkimin Europian.
Një inisiativë e tillë do jepte përgjigje edhe shqetësimeve se problemet e brendëshme të Maqedonisë do të kenë një efekt zinxhir në të gjithë rajonin. Kjo është një frikë e vjetër që rrjedh nga e kaluara, dhe megjithëse ide të tilla mund të jetojnë ende në disa koka, Maqedonia nuk ka pasur kurrë fqinjë më të mirë.
Bullgaria është e vendosur për anëtarësim në BE; Greqia, tashmë një anëtar i BE-së, është investitori më i madh në vend; Shqipëria ka pasur një periudhë dy vjeare stabiliteti; Serbia është në tranzicion pas largimit të Millosheviqit; dhe Kosova, megjithëse ende nuk ka një qeverisje eficiente, ka një prezencë të fortë të NATO-s.
Po ashtu, edhe NATO mund të bëjë më tepër, por gjithsesi unë nuk jam i mendimit se prezenca e saj në Kosovë po shkakton mungesë stabiliteti: imagjinoni pak pasojat që do të kishte pasur situata në Preshevë dhe Maqedoni nëse nuk do të ishte kjo prezencë e NATO-s.
Maqedonia duhet të shfrytëzohet si një faktor pozitiv për zhvillimin rajonal ekonomik. Me mbështetjen e BE-së, Maqedonia Shqipëria dhe Bullgaria duhet të përfundojnë urgjentisht bisedimet për krijimin e një zone tregtare të lirë rajonale. Kjo mund të tërhiqte edhe fqinjë të tjerë dhe mund të përbënte një model të ri për politikën në Ballkan.
Praktikisht, e vetmja mënyrë është që Macedonasit dhe Shqiptarët të ulen së bashku dhe të hapin krejtësisht kartat. Ata duhet të deklarojnë, përfundimisht, se farë dëshirojnë. Kjo do të largonte shqetësimet se nëse Shqiptarët kërkojnë për shembull hapjen e universitetit të tyre, ata po përgatiten për të krijuar "Shqipërinë e Madhe".
Shqiptarët në zona të tjera dhe nga partitë politike duhet të deklarojnë haptazi pozicionin e tyre përpara BE-së. Kjo do të tregonte se politika për të cilën Shqiptarët kërkojnë mbështetjen e Perëndimit nuk është ajo e ndryshimit të kufinjve ekzistues por hapja e komunikimit ndërmjet atyre kufinjve.
Këto marrëdhënie komplekse dhe të paqarta kanë luajtur një rol në krizën e tanishme, dhe një zgjidhje pozitive në Maqedoni do të ishte një arritje e madhe për stabilizimin e rajonit dhe konfirmimin e qëndrimeve Europiane në të gjithë Ballkanin.
Veton Surroi është botues i Koha Ditore, dhe ka qenë pjesëmarrës si përfaqësues i pavarur i Shqiptarëve të kosovës në bisedimet ndërkombëtare.