Millosheviq Shfrytëzon Ndryshimin e Brezave

Një tragjedi familjare nxjerr në pah ndryshimet e thella ndërmjet brezave që ekzistojnë në Serbi.

Millosheviq Shfrytëzon Ndryshimin e Brezave

Një tragjedi familjare nxjerr në pah ndryshimet e thella ndërmjet brezave që ekzistojnë në Serbi.

"Në rradhë të parë Millosheviq ka luajtur me jetën e djalit tonë," thotë me zë të lartë Dushan Vukoviq. "Dhe tani po luan me nervat tona."


Djali i Vukoviqit, Aleksandar u thirr ushtar në Kosovë vitin e kaluar dhe u vra në luftime. Vdekja e tij ka qenë në qendër të një fushate të jashtëzakonshme nga familja Vukoviq për të marrë kompensim nga regjimi i Millosheviqit.


Shpërthimi i babait përballë shtabit lokal të Ushtrisë Jugosllave në Nish vjen një ditë pasi babai i Dushanit, Radomir, pranoi medaljen e Millosheviqit, një dekoratë pas vdekjes, në emër të nipit të tij - të njëjtën dekoratë që Dushani e kishte kundërshtuar me neveri kur i ishte akorduar Aleksandrit në dhjetor.


Kjo histori tregon se sa e dhimbshme dhe me sa duket e thellë është ndarja e brezave në Serbi që kur Millosheviq erdhi në pushtet në fillim të viteve 1990.


Pjesa më e madhe e serbëve të vjetër në moshë të cilët janë rritur nën regjimin e Titos besojnë se politikat e Millosheviqit janë një vazhdim i "luftës së drejtë partizane" për socializmin. Ata ende besojnë në një Jugosllavi federale pavarësisht nga ngjarjet e ndodhura në dhjetë vjetët e fundit dhe shohin pas në periudhën e komunizmit duke e konsideruar atë si kohë paqeje dhe sigurie.


Por serbët e rinj nuk mund të injorojnë rezultatet shkatërrimtare të luftërave të Millosheviqit dhe nuk mund të harrojnë realitetin e vështirë të jetës në Serbinë e tanishme.


Ndërkohë presidenti e shfrytëzon këtë përplasje në maksimum.


Në ceremoninë për dorëzimin e medaljes të mbajtur në dhjetor, Dushan ka thënë me zemërim se djali i tij nuk e ka dhënë jetën për mëmëdheun, por për djalin e presidentit Marko. Ai mendon se vdekja e Aleksandrit ka shërbyer për të mbajtur në këmbë një regjim të korruptuar - të përbërë nga rrethi i ngushtë i familjarëve dhe miqve të Millosheviqit.


Menjëherë pas ceremonisë, drama është transferuar në një gjykatë, ku familja Vukoviq ka paditur Ushtrinë Jugosllave duke kërkuar 5,000,000 dinarë (218,000 marka gjermane) kompensim për humbjen e djalit të tyre. Përfaqësuesit e ushtrisë kanë hedhur poshtë çdo përgjegjësi për vdekjen e Aleksandrit.


Por me një vendim të paprecedent - vendimi i parë kundër shtetit jugosllav në dhjetë vjetë - gjykata e qarkut të Nishit në fund të korrikut ka urdhëruar ushtrinë t'i paguajë një milion dinarë (42,210 marka) familjes Vukoviq.


Por Dushan Vukoviq thotë se ai nuk është i interesuar për para. "Unë kam provuar se ushtria, gjeneralët e saj dhe Sllobodan Millosheviq janë fajtorët e vërtetë për vdekjen e djalit tim. Sa të jem gjallë unë nuk do të pranoj një pakt. Nuk e shes djalin tim dhe as nuk kam për ta bërë kurrë."


Ai ka njoftuar se hapi tjetër që do të ndërmarrë është padia ndaj individëve të veçantë, të cilët ai i quan përgjegjës për vdekjen e djalit të tij. Më pas, thotë ai, do t'i bëj thirrje të gjithë prindërve të ushtarëve të vrarë në luftë të ndjekin shembullin e tij dhe të padisin shtetin.


Por ai nuk kishte llogaritur përgjigjen e ushtrisë. Më 12 korrik ata kanë thirrur gjyshin e Aleksandrit, Radomir, në kazermat e Nishit dhe i kanë dhënë atij medaljen e "Millosheviqit". Në ndryshim nga djali i tij, Vukoviqi plak e ka pranuar atë duke thënë: "Unë jam shumë i trishtuar për vdekjen e nipit tim Aleksandar. Por është një nder i madh për mua të marr këtë dekoratë të lartë nga presidenti Sllobodan Millosheviq".


Po atë ditë Dushan Vukoviq u ka thënë gazetarëve se ai do ta kthente medaljen. Ai ka thënë se ka pasur grindje me të atin - një anëtar i Partisë Socialiste Serbe - që prej vdekjes së Aleksandrit. Radomir, ka thënë ai, preferon Sllobodan Millosheviqin ndaj nipit të tij.


Si rrjedhojë ka ardhur edhe skena përpara kazermave të Nishit kur Dushani - pasi nuk ka mundur ta kthejë medaljen - e ka thyer atë përpara kazermave ushtarake.


"Unë do të bëj një raport kriminal kundër Ushtrisë Jugosllave. Ata kanë kryer një akt kriminal - askush përveç prindërve të një ushtari të vdekur nuk mund të marrë një medalje për të. Sllobodan Millosheviq kërkon të provokojë të gjithë familjen time."


Historia e familjes Vukoviq vazhdon së bashku me ndarjen e thellë ndërmjet brezave.


Në prag të zgjedhjeve bashkiake dhe federale në vjeshtë, propaganda e regjimit është intensifikuar dhe media e pavarur është vënë nën një presion në rritje. Ashtu si edhe në të kaluarën, shumë të moshuar në Serbi po tregojnë se janë thellësisht të indoktrinuar nga propaganda e qeverisë.


Zgjedhjet e kaluara kanë treguar se kjo pjesë e popullsisë është e gatshme të mbështesë çdo hap të regjimit të Beogradit, pavarësisht nga vuajtjet që janë të detyruar të durojnë. Siç tregon edhe përçarja në familjen Vukoviq, nuk ka asnjë arësye të mendosh se këtë rradhë gjërat do të ndryshojnë.


Vlado Maresh është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists