Analizë: Gjyqi i Millosheviq Mund të Zgjasë
Gjyqi ndaj ish udheheqesit Serb mund të zgjasë deri pesë vjet.
Analizë: Gjyqi i Millosheviq Mund të Zgjasë
Gjyqi ndaj ish udheheqesit Serb mund të zgjasë deri pesë vjet.
Kryeprokurori i gjyqit ndaj Millosheviqit, Geoffrey Nice, ka thënë për gjykatësit javën e kaluar se ai po përpiqej të gjente një rrugë për të shkurtuar kohëzgjatjen e gjyqit, i cili mendohet se mund të zgjasë deri në pesë vjet.
Ky gjyq është tepër i rëndësisëhm si nga qëllimi ashtu edhe për shkak të kompleksitetit të tij – dhe fakti që i pandehuri ngul këmbë të mbrohet vetë e bën këtë gjyq edhe më të vecantë.
Për shkak se i pandehuri akuzohet për 66 krime të ndryshme, krytari i gjykatës Richard May ka vendosur një afat të ngushtë kohor brenda të cilit prokurorët duhet të paraqesin provat dhe të provojnë akuzat e tyre.
Prokurorët duhet të përfundonin paraqitjen e provave më 26 Maj – por rreth 30 ditë janë humbur për shkak të gjendjes shëndetësore të Millosheviqit.
Edhe nëse këto 30 ditë të humbura i shtohen kohës në dispozicion të prokurorëve, Nice, ka deklaruar para gjykatës se do të ishte krejtësisht e pamundur që prokuroria të përfundonte paraqitjen e provave brenda afatit kohor të përcaktuar nga gjykata.
Akuza ndaj Millosheviqit në fakt është një bashkim i tre akuzave në një: Kosova, Kroacia dhe Bosnje Herzegovina.
Ndërsa prokurorët zbatuan afatin e vendosur nga trupi gjykues për paraqitjen e provave për akuzën e Kosovës, një numër i madh dëshmitarësh nuk u dëgjuan, dhe kjo mund të zgjaste procedurën edhe për të paktën 13 deri 20 ditë.
Nice ka thënë se për akuzën e Kroacisë prokurorët kanë vetëm dhjetë ditë pune kohë, por sipas prokurorëve paraqitja e të gjitha provave për këtë akuzë do të kërkojë të paktën edhe 22 ditë.
Nëse trupi gjykues e lejon Millosheviqin të bëjë pyetje ndaj dëshmitarëve të cilët dëshmojnë për krimet, në vend që të kufizojë dhënien e dëshmive të tyre me anë të deklarimeve me shkrim, mund të kërkohen edhe 16 deri 17 ditë të tjera pune shtesë.
Mendohet se akuzat për Kosovën dhe Kroacinë mund ti marrin të paktën tre të katërtat e kohës së mbetur në dispozicion të prokurorëve. Kjo do të bënte që ata të mos kenë kohë të mjaftueshme për të paraqitur pjesën më të madhe të provave për pjesën më të madhe të gjyqit – Bosnje Herzegovinës.
Nice ka bërë dallimin ndërmjet atyre që ai i ka konsideruar si dëshmitarë esencialë, të cilët i ka quajtur dëshmitarë me prioritet 1 dhe atyre më pak esencialë të cilët i ka quajtur me prioritet 2.
Të parët janë të rëndësishëm sepse japin dëshmi të lidhura drejtpërdrejt më krimet. Të tjerët japin një pamje më të plotë të asaj që ka ndodhur.
Në rastin e Bosnjes, vetëm dëshmitarët e prioritetit 1 mendohet se do të kërkojnë të paktën 80 ditë pune.
Rreth 41 ditë të tjera pune do të nevojiten për dëgjimin e dëshmitarëve për akuzat në lidhje me ngjarjet në Srebrenica dhe Sarajevo.
Dëgjimi i dëshmitarëve të prioritetit 2, do të kërkojë edhe 33 ditë pune më tepër.
Nëse Millosheviq do të pyesë shumë dëshmitarë, sic ka vepruar deri më tani, do të duhen edhe 32 ditë më tepër.
Po ti shtosh kësaj edhe dëshmitarët të cilët mund të vendosë të thërrasë trupi gjykues, atëherë del se për akuzën e Bosnjes, do të duhen të paktën 188 ditë pune.
Gjatë vitit të parë të veprimtarisë së saj, gjykata është mbledhur më pak se në 150 sesione.
Për pasojë nëse prokurorët nuk pakësojnë kohën në dispozicion të tyre, atëherë ky gjyq mund të zgjasë të paktën edhe 18 muaj të tjerë.
Në vijim, Millosheviq do të ketë të paktën një kohë të barabartë me prokurorinë në dispozicion për të bërë mbrojtjen e tij. Kjo do të bënte që ky gjyq të mund të zgjaste deri në pesë vjet.
Vështirë se mund të mendohet që Gjykatësi May do të pranonte një gjë të tillë, ndërsa ai përpiqet të shpejtojë ritmin e gjykimit.
Nice ka thënë përpara trupit gjykues së mënyra më e mirë për të zgjidhur një cështje kaq të komplikuar është një metodë e përdorur në kodin e procedurës civile, vecanërisht në gjyqe të komplikuara në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këto gjyqe, provat më të rëndësishme paraqiten me shkrim, dhe më pas lejohet një sesion i kufizuar pyetjesh, i pasuar nga pyetjet e trupit gjykues për të dyja palët. Kjo mënyrë shpesh bën që të kursehet shumë kohë.
Nice ka thënë se nëse trupi gjykues nuk pranonte këtë mënyrë, mund të ketë edhe mënyra të tjera për të shkurtuar kohë zgjatjen.
Ai ka thënë se prokuroria ka “propozuar disa mënyra për të kursyer kohë. Deri tani duket se trupi gjykues nuk ka pranuar asnjërën prej tyre”.
Një prej sugjerimeve të prokurorëve ka qenë që trupi gjykues të pranojë dhënien e disa dëshmive të tjera me shkrim, pa e lejuar Millosheviqin të pyesë dëshmitarët.
Kjo mënyrë mund të përdorej kur cështjet të cilat prokuroria dëshiron të provojë janë “cështje të ndryshme nga veprimet dhe sjelljet e të pandehurit, për të cilat ai akuzohet”.
Kjo mënyrë, e quajtur Rregulli 92/2, është përdorur për dëshmitarë të cilët kanë dhënë dëshmi në lidhje me krimet e kryera dhe jo për ekzistencën e një lidhjeje ndërmjet Millosheviqit dhe këtyre krimeve. Ky rregull përdoret në ato raste kur ai nuk akuzohet direkt për kryerjen e këtyre krimeve.
Ndërsa gjykata ka autoritetin për të pranuar dëshmi të tilla me shkrim, ajo e ka lejuar Millosheviqin të pyesë të gjithë dëshmitarët të cilët kanë dëshmuar në bazë të Rregullit 92/2 – zakonisht për një orë.
Nëse trupi gjykues nuk i lejon më Millosheviqit të pyesë dëshmitarët e Rregullit 92/2, atëherë mund të fitohen rreth 50 ditë kohë.
Prokurorët i kanë kërkuar gjithashtu gjykatës të pranojnë pjesë të provave të dëshmitarëve të dhëna në gjyqe të tjera në Hagë, në vend që ti kërkojë këta dëshmitarë të vijnë për të dëshmuar përsëri nga fillimi në gjyqin ndaj Millosheviqit.
Por ky propozim është kundërshtuar nga avokatët mbrojtës të caktuar nga gjykata për Millosheviqin.
Këta avokatë kanë theksuar se një procedurë e tillë bie në kundërshtim me të drejtën e Millosheviqit për të pyetur dëshmitarët. Megjithëse këta dëshmitarë janë pyetur në gjyqet e tjera, i pandehuri në ato raste mund të mos ketë bërë ato pyetje të cilat do të dëshirojë të bëjë Millosheviqi.
Trupi gjykues ende nuk ka marrë një vendim në lidhje me këtë cështje.
Nice ka thënë se trupi gjykues duhet “të përfshihet dhe të vendosë se cilët dëshmitarë dëshiron të dëgjojë”.
Kjo në fakt do të përbënte një dorëzim të një pjese të pushtetit të prokurorëve për të drejtuar si mendojnë më mirë paraqitjen e akuzës, por mesa duket ata janë të gatshëm të bëjnë një lëshim të tillë për të fituar sa më tepër kohë.
Por problemi kryesor qëndron: se si të shkurtohet koha e nevojëshme pa dëmtuar nevojën për paraqitjen e të gjitha provave për të provuar akuzën.
Shkurtimi i kohëzgjatjes së procesit gjyqësor mund të bëjë që prokurorët të mos kenë në dispozicion kohën e mjaftueshme për të bindur publikun për rolin e vërtetë të Millosheviqit në luftërat në Ballkan. Dhe kjo, më pas mund të bëjë që viktimat e këtyre luftërave të ndjehen të tradhëtuara dhe të mendojnë se jo të gjitha faktet janë paraqitur si duhet.
Tanimë, procesi është shkurtuar ndjeshëm: rasti i Bosnjes është pakësuar nga dhënia e provave për krime në 47 bashki që ishte menduar fillimisht, vetëm në 11 – përfshirë këtu edhe Srebrenicën dhe Sarajevon.
Nice ka kundërshtuar një akuzë nga Millosheviq i cili ka thënë se prokuroria ka kërkuar ndihmën e trupit gjykues për të vendosur se cilët dëshmitarë të thirren me shpresën se trupi gjykues mund ta ndihmojë për të provuar akuzën.
Prokurorët ende nuk kanë kërkuar zyrtarisht zgjatjen e afatit të parashikuar për dhënien e provave të tyre.
Përpara se trupi gjykues të marrë një vendim për ndonjë prej propozimeve të prokurorëve, mendohet se avokatët mbrojtës dhe vetë Millosheviqi do të paraqesin argumentat e tyre gjatë seancave të gjyqit.
Judith Armatta njofton rreth gjyqit për Koalicionin për Drejtësi Ndërkombëtare, www.cij.org