KOMENT: GJYKATA E HAGES ENDE NUK MUND TE GJYKOHET

Kur ka kaluar një dekadë nga krijimi i saj, a i ka përmbushur kjo gjykatë shpresat që janë vendosur mbi të?

KOMENT: GJYKATA E HAGES ENDE NUK MUND TE GJYKOHET

Kur ka kaluar një dekadë nga krijimi i saj, a i ka përmbushur kjo gjykatë shpresat që janë vendosur mbi të?

Dhjetë vjet më parë, pikërisht këtë javë ka nisur nga puna gjykata e Hagës – dhe në këtë përvjetor askush nuk mund të thotë me siguri nëse ky eksperiment ka pasur apo jo sukses.


Një sërë mosmarrëveshjes ndërmjet gjykatësve dhe prokurorëve kanë tronditur gjykatën gjatë javëve të fundit, në një kohë, kur për të qenë realist, gjykata ka shqyrtuar një numër rekord rastesh.


Një nga rastet më të diskutuara ka qenë ai i gjykatësit Patrick Robinson në dënimin e Predrag Banoviq, një serb i Bosnjes i cili ka pranuar se ka rrahur deri në vdekje pesë muslimanë në kampin burg në Keraterm.


Prokurorët, mbrojtja, dhe dy nga tre gjykatësit kanë menduar se dënimi me tetë vjet burgim ka qenë i mjaftueshëm, por Robinson ka folur, duke paraqitur mendimin e tij kundër këtij vendimi, duke thënë se “Unë mendoj se kriminaliteti i të akuzuarit, i cili është fajtor për pesë vrasje të cilat kanë ardhur si rezultat i pjesëmarrjes së tij në rrahjen e pesë personave…kërkon një dënim më të rëndë me burgim se sa tetë vjet”.


Në këtë rast dyshohet se gjykatësit kanë dhënë këtë dënim me qëllim që të nxisin të akuzuarit e tjerë të pranojnë fajësinë.


Më pas ka ardhur deklarimi i kryeprokurores së gjykatës së Hagës, Carla Del Ponte e cila ka thënë se ajo po hetonte ish presidentin boshnjak Alija Izetbegoviq për krime lufte. Ajo e ka bërë këtë deklarim në kohën kur banorët e Sarajevës po i bënin nderimet e fundit dhe varrosnin ish udhëheqësin e tyre.


Del Ponte gjithashtu duket se ka shkelur politikën e deklaruar prej saj të ngritjes së akuzave dhe padive vetëm ndaj komandantëve të lartë. Ajo kohët e fundit ka ngritur padi ndaj dy shqiptarëve të Kosovës, roje në një kamp burgimi, duke shkaktuar komente sipas të cilave prokurorët i kanë akuzuar këta vetëm për arësye se duhet të ngrenë padi ndaj ndonjë shqiptari për të treguar se janë të paanshëm – deri më tani shumica e të akuzuarve në Kosovë janë serbë.


Prokurorët gjithashtu po kritikohen edhe në lidhje me disa raste kur të pandehurit kanë pranuar fajësinë në shkëmbim të dënimeve më të lehta. Këto raste janë shtuar në mënyrë të vazhdueshme duke bërë që të pandehurit të pranojnë fajësinë e tyre, dhe duke kursyer kohë dhe fonde nga mos zhvillimi i gjyqeve.


Disa janë të shqetësuar se mungesa e barazisë ndërmjet dënimeve që jepen nëse i pandehuri pranon fajësinë dhe në rast se ai nuk e pranon është tani kaq e madhe saqë shumë prej të pandehurve mund të vendosin të pranojnë fajësinë edhe nëse nuk janë vërtetë fajtor.


Një i pandehur, Momir Nikoliq, ka dhënë prova të rreme për prokurorët kur ka pranuar fajësinë, dhe ekziston frika se të tjerë mund të japin dëshmi të rreme me qëllim që të sigurojnë një marrëveshje për dënime të lehta.


E gjithë kjo ndodh për faktin se anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me në kryer SHBA, dëshirojnë që gjykata e krimeve të luftës ti japë fund veprimtarisë së saj sa më parë të jetë e mundur.


Vendet pjestare të Këshillit të Sigurimit janë të shqetësuara se gjykata e Hagës mund të tejkalojë afatin përfundimtar për veprimtarinë e saj, i cili është caktuar gushtin e kaluar për vitin 2010. Gjithashtu ka zëra se OKB mund të vendosë javët e ardhëshme të ndalojë prokurorët të nisin procese dhe të ngrenë padi të reja.


Pastaj është edhe gjyqi ndaj Millosheviq: ky gjyq po zgjatet pa fund, dhe tani procesi zhvillohet vetëm tre ditë në javë për shkak të gjendjes së keqe shëndëtësore të ish presidentit serb.


Prokurorët mund të fajësojnë vetëm veten e tyre, sepse kanë ngulur këmbë që procesi gjyqësor ndaj Millosheviq të mos përfshinte vetëm akuzat për luftën në Kosovë, por edhe ato për luftërat në Bosnje e Kroaci. Si rezultat, ata tani përballen me një cështje tepër të gjerë dhe të komplikuar, e cila do të zgjasë të paktën edhe për dy vjet të tjera, pa përmendur apelet e mundëshme.


Shumë ende nuk e kuptojnë se përse rasti i Kosovës, i cili duket se është edhe më i faktuari dhe më i lehtë për tu provuar nuk është gjykuar më vete, për të arritur një dënim dhe për ta mbyllur këtë cështje pa humbur kohë. Prokurorët mund të kishin përfunduar këtë rast dhe të siguronin një vendim, dhe më pas të nisnin proceset në lidhje me luftërat në Bosnje dhe Kroaci.


Nëse gjendja mjeksore vështirësohet deri në atë pikë sa procesi të ndërpritet apo ndalet, atëherë prokurorët vërtetë që do të kenë një problem të madh.


Të gjitha këto janë cështje tepër të rëndësishme – vecanërisht për pasojat që kanë në rradhët e popullsisë në Ballkan.


Serbët vazhdojnë të kundërshtojnë me forcë gjykatën, kroatët janë tepër skeptik, ndërsa edhe shqiptarët e Kosovës dhe muslimanët e Bosnjes, të cilët dikur e kanë përkrahur fuqimisht, tani janë konfuz dhe të pavendosur për shkak të zhvillimeve më të fundit në gjykatë.


Por optimistët mendojnë ndryshe: megjithëse këto incidente janë të rënda, ata thonë se këto janë të zakonëshme për cdo sistem drejtësie.


Vendimet e diskutueshme dhe gjykatës të cilët nuk janë dakort me këto vendime nuk janë dicka e re, dhe optimistët thonë se këto tregojnë forcë, dhe jo dobësi, të sistemit të Hagës, dhe po ashtu rrëzimi i akuzazve në disa raste është më mirë se një dënim 100 përqind për cdo rast.


Gjithashtu ata thonë se tani gjykata po punon me ngarkesë të plotë: ajo tani po shqyrton një numër record rastesh, dhe për cdo dënim të diskutueshëm të paktën gjashtë të tjerë pranohen se kanë vënë në vend drejtësinë.


Shumë të pandehurve u janë provuar me fakte krimet e kryera dhe janë dënuar me burgime të gjata, për krime të cilat në luftërat e mëparëshme në të gjithë botën kanë mbetur pa u dënuar. Sistemi i drejtësisë së Hagës nuk është i përsosur, thonë mbështetësit e tij, por ka treguar se funksionon.


Përvjetorët janë gjithnjë një moment i mirë për të bërë bilance, por e vecanta në këtë rast është se megjithëse ka kaluar një dekadë është ende shpejt të bëhen bilance.


Kjo për faktin se, megjithëse gjykata e Hagës ka filluar nga puna dhjetë vjet më parë, ajo nuk ka pasur një prokuror deri një vit më vonë, dhe nuk ka dhënë asnjë vendim deri në vitin 1996 – tre vjet më pas dhe një vit pas përfundimit të luftës në Bosnje.


E vërteta është se ende nuk mund të jepet një gjykim përfundimtar nëse eksperimenti më i madh në fushën e drejtësisë ndërkombëtare ka pasur apo jo sukses. Dhe ndoshta do të duhet ende edhe shumë kohë të arrihet në një gjykim të tillë.


Chris Stephen është drejtuesi i projektit të IWPR në Hagë.


Frontline Updates
Support local journalists