TADIQ OFRON MBËSHTETJE PËR QEVERINË E BRISHTË TË SERBISË
Aleanca jo zyrtare me Partinë Demokratike do të bëjë që Koshtunica të mund ti mbijetojë humbjes më të fundit zgjedhore
TADIQ OFRON MBËSHTETJE PËR QEVERINË E BRISHTË TË SERBISË
Aleanca jo zyrtare me Partinë Demokratike do të bëjë që Koshtunica të mund ti mbijetojë humbjes më të fundit zgjedhore
Partitë qeverisëse në Serbi kanë pësuar humbje në zgjedhjet lokale të kësaj jave, por qeveria nuk do të rrëzohet falë mbështetjes së presidentit të Serbisë, Boris Tadiq, dhe partisë së tij.
Megjithëse dy partitë e opozitës, Partia Demokratike e Tadiq, DS, dhe Partia Radikale Serbe, SRS, kanë fituar në zgjedhje, ky rezultat nuk do të shkaktojë ndonjë krizë qeveritare për koalicionin e drejtuar nga Vojislav Koshtunica, kryetari i Partisë Demokratike të Serbisë, DSS.
Komisioni zgjedhor nuk ka përfunduar ende numërimin e votave në të gjitha bashkitë dhe qytetet ku janë zhvilluar zgjedhje më 19 shtator.
Por është e qartë se DS pro perëndimore dhe nacionalistët e linjës së ashpër të SRS, praktikisht kanë ndarë mes tyre pjesën më të madhe të votave.
Rezultatet në shumicën e bashkive kanë qenë të ngjashme me atë në kryeqytet, Beograd. Atje, kandidati i DS për postin e kryetarit të bashkisë, Nenad Bogdanoviq, ka fituar 33 përqind të votave, ndaj 29 përqind të rivalit të tij radikal, Aleksandar Vuciq.
Kandidati i DSS së Koshtunicës për postin e kryetarit të bashkisë, Zoran Drakuliq, ka dalë i treti me 15 përqind, ndërsa kandidatët e partive të tjera pjestare në koalicion, G17 Plus, Lëvizja për Ripërtëritje Serbe, SPO, dhe Serbia e Re, NS, ka fituar nga më pak se 5 përqind secili.
Megjithëse kandidatët e DS dhe SRS kanë fituar numrin më të madh të votave, këto dy parti nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë shumicën në qeverisjet lokale në pjesën më të madhe të qyteteve pa mbështetjen e DSS, e cila në shumë zona ka qenë partia e dytë.
Vladimir Goati, një analist politik, thotë se balanca e re e pushtetit përbën problem për qeverinë e Koshtunicës, e cila tani përballet me një “ndryshim të thellë në pushtetin e saj në parlament dhe në nivel lokal”.
“Kjo gjë mund të zgjidhet në tre mënyra,” shton Goati. “Njëra është që qeveria të rikompozohet, e dyta janë zgjedhjet e reja parlamentare dhe e treta është që qeveria të mos bëjë asgjë dhe të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur gjë”.
Pavarëisht se ka pësuar një humbje për herë të dytë – e para ka qenë në qershor, kur Tadiq ka mundur DSS në zgjedhjet presidenciale – analistët thonë se Koshtunica do të vazhdojë si kryeministër edhe për disa kohë përpara se të thirren zgjedhje të parakohëshme parlamentare.
Megjithëse qeveria gëzon mbështetjen e vetëm rreth një të pestës së elektoratit, sipas anketimeve, aleanca e saj jo zyrtare me Tadiq i cili po forcohet gjithnjë e më tepër mund ta mbajë atë në këmbë.
Në fakt, rezultatet e zgjedhjeve lokale dhe balanca e re e pushtetit mund të forcojnë edhe më tepër aleancën ndërmjet DS dhe DSS.
Dy partitë demokratike kanë qenë rivale të forta prej kohësh, pasi më parë kanë qenë aleate kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit në vitet nëntëdhjetë.
Marrëdhëniet ndërmjet tyre kanë qenë veçanërisht të këqia kur ish kryeministri i Serbisë, Zoran Gjingjiq, ka qenë në krye të DS. Megjithatë, një afrim ka filluar kur Tadiq ka ardhur në krye të partisë, një ngjarje e cila ka koinciduar me daljen e DS në opozitë dhjetorin e kaluar.
Pasi ka fituar zgjedhjet presidenciale, Tadiq ka përmirësuar imazhin e partisë së tij në sytë e zgjedhësve, dhe prej asaj kohe DS është bërë partia më e madhe së bashku me radikalët.
Në të njëjtën kohë, Tadiq është munduar të mos lejojë rrëzimin e qeverisë, duke i dhënë Koshtunicës mbrojtjen e tij në mënyrë passive.
Si rezultat, megjithëse radikalët kanë propozuar krijimin e një aleance me DS pas zgjedhjeve lokale në shumicën e bashkive, DSS pritet të bashkojë forcat me DS në shumë bashki në Serbi.
Zoran Stojiljkoviq, një analist nga Fakulteti i Shkencave Politike në Beograd, ka thënë për median se DSS nuk është e vendosur për politikën që do të ndjekë në të ardhmen.
Partia është e pasigurtë “nëse do të mbështesë radikalët, për dimensionin e tyre nacionalist,” apo të bashkohet me bllokun pro perëndimor, të drejtuar nga DS, ka thënë ai.
“DSS do të studjojë të gjitha mundësitë por mendoj se do të vendosë shpejt të krijojë një koalicion me demokratët,” ka shtuar Stojiljkoviq.
Zoran Drakuliq, kandidati i DSS për postin e kryetarit të bashkisë së Beogradit, ka konfirmuar këtë mundësi më 21 shtator, jo vetëm duke shprehur mbështetje për krijimin e koalicioneve lokale DSS-DS por edhe për hyrjen e DS në qeveri.
“Është shumë e rëndësishme që DS të marrë pjesë në qeveri,” ka thënë ai për IWPR. “Një parti me një mbështetje të tillë popullore nuk duhet të jetë në opozitë”.
Pavarësisht nëse DS hyn apo jo në qeveri, apo jep mbështetjen e saj nga jashtë, kabineti i Koshtunicës do të jetë në gjendje të vazhdojë punën.
Sipas një burimi të afërt me udhëheqjen e DSS, Koshtunica dhe Tadiq kanë arritur një marrëveshje për krijimin e koalicioneve lokale, si edhe për të mbështetur kandidatët e njëri tjetrit në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, më 3 tetor.
Sipas këtij burimi, mbështetja e Tadiq do të ndihmojë qeverinë të miratojë në parlament projektin për një kushtetutë të re. Sipas këtij skenari, Koshtunica do të japë dorëheqjen dhe do të thërrasë zgjedhjet e jashtëzakonëshme parlamentare diku nga dimri, pas miratimit të kushtetutës.
Analistët thonë se pavarësisht ftesës së Drakuliq, partia e Tadiq vështirë se mund të hyjë në qeveri, kryesisht për faktin se nuk është në interesin e DS të bëhet pjesë e një administrate e cila do të detyrohet të marrë së shpejti disa vendime jo popullore.
Këtë vjeshtë, qeveria do të duhet t’u japë përgjigje kërkesave për ekstradimin e katër gjeneralëve, të akuzuar për krime lufte, në gjykatën e Hagës.
Koshtunica do të duhet të përballet gjithashtu edhe me problemet e shumta sociale dhe ekonomike të Serbisë. Ndërsa elektorati do të vazhdojë të ndëshkojë DSS për “dështimin” e tij në fushën e ekonomisë, është e kuptueshme që do të bjerë edhe mbështetja për këtë parti.
Sipas Djordje Vukadinoviq, redaktor i Nova Srpska Politicka Misao, kundërshtimi popullor ndaj ekstradimit të gjeneralëve, së bashku me pakënaqësinë sociale dhe presionin nga perëndimi, mund të dëmtojnë llogaritë e DS, dhe të rrëzojnë koalicionin qeveritar më shpejt. “Kjo mund të ndodhë kurdo pavarësisht dëshirave të ndonjërit,” ka thënë ai.
Zeljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR në Beograd.