Gjenerali Kroat do të Pyetet nga Gjykata
Kroacia është e shqetësuar për vendimin e gjykatës së Hagës për të pyetur komandantin e ushtrisë
Gjenerali Kroat do të Pyetet nga Gjykata
Kroacia është e shqetësuar për vendimin e gjykatës së Hagës për të pyetur komandantin e ushtrisë
Qeveria e koalicionit në Zagreb është përplasur me gjykatën e krimeve të luftës të Kombeve të Bashkuara pas vendimit të saj për të marrë në pyetje Shefin e Shtabit të ushtrisë Kroate, Gjeneralin Petar Stipetiq, rreth ofensivës ushtarake ndaj Serbëve gjatë shpërbërjes së ish Jugosllavisë.
Ndërkohë, Kroacia ka paraqitur një listë prej 13 kushtesh për të vazhduar bashkëpunimin me Gjykatën Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, ICTY, në Hagë dhe kryeprokurorja e Gjykatës do të vizitojë Kroacinë në Janar.
Ky është një moment i vështirë për Kryeministrin Ivica Raçan, sepse partneri i tij kryesor në qeverinë koalicionit të përbërë nga gjashtë parti është Partia Social Liberale Kroate, HSLS, e Drazhen Budishës, një nacionalist i cili mendon se Haga kërkon të "kriminalizojë" atë që ai dhe shumë Kroatë të tjerë e quajnë Luftën për Atdhe.
Nëse ai tërhiqet nga koalicioni për shkak të Gjeneralit Stipetiq, qeveria do të binte dhe kjo do të pasohej nga një mungesë stabiliteti politik.
Stipetiq, i cili është emëruar shef i shtabit nga qeveria e re reformiste në Janar, ka thënë se ai është i gatshëm të flasë me hetuesit e gjykatës. Por në Zagreb, ka shqetësim rreth faktit nëse ai do të pyetet si dëshmitar apo si i dyshuar.
Gjenerali ka luajtur një rol të rëndësishëm në Operacionin Furtuna në Gusht të vitit 1995, kur ushtria Kroate rimorri në kontroll pjesën më të madhe të Krajinas, qendrën e rebelëve Serbë që në vitin 1991. Si pasojë, 200,000 Serbë të cilët jetonin në këtë rajon u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre. Komiteti Kroat i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut ka dokumentuar vdekjen e rreth 677 civilëve gjatë këtij operacioni.
Stipetiq ka drejtuar forcat e armatosura në Banija dhe në Kordun. Megjithëse ai nuk konsiderohet direkt përgjegjës për krime lufte, mund të provohet se ai ka pasur dijeni që po kryheshin krime dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë për të dënuar fajtorët, gjë e cila e ngarkon atë me përgjegjësi penale.
Media Kroate ka njoftuar rregullisht se Haga po përgatit akuzat ndaj gjashtë Gjeneralëve Kroatë - Mirko Norac, Ivan Korada, Damir Krstiçeviq, Rahim Ademi dhe Mladen Markac. Këtyre emrave, shpesh u janë shtuar edhe ato të ish ministrit të brendëshëm, Ivan Jarnjak dhe Gjeneralit Stipetiq.
Zëvendës prokurori i ICTY-së, Graham Bluit ka lënë të kuptohet se këto emra janë të saktë, por nuk ka pranuar të japë hollësi të tjera.
Problemi kryesor për Kroacinë është nëse do të ekstradohen këta gjeneralë në rast se do të akuzohen nga gjykata.
Megjithëse ende nuk është shprehur haptazi, Budisha mendohet se është kundër ekstradimit të mundëshëm të komandantëve ushtarakë dhe mund të kërkojë që ekstradimi i tyre të mos kryhet, duke e vendosur këtë si kusht për vazhdimin e qëndrimit të tij në qeveri. Raçan, një socialist, ka gjithashtu frikë nga një reagim i mundëshëm i partive të djathta Kroate, veçanërisht asaj të Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, të krijuar nga ish presidenti Kroat Franjo Tugjman.
Në një intervistë me të përjavëshmen Kroate Globus, këshilltari i Raçanit, Goran Graniq ka folur për vazhdimin e bashkëpunimit me Hagën me terma të padëgjuara që nga koha e Tugjmanit. "Ne nuk do të pranojmë asnjë kërkesë nga Haga, edhe nëse kjo do të sjellë vendosjen e sanksioneve të OKB-së!" ka thënë ai. Graniq ka folur me tone të njëjta në një letër drejtuar ICTY-së më 18 Nëntor, e cila nuk është pritur mirë nga gjykata.
Deklarata prej 13 pikash e qeverisë Kroate i kërkon ICTY-së që Haga të hetojë vetëm krimet e veçanta dhe jo veprimet legjitime ushtarake, si Operacioni Furtuna.
Kjo deklaratë i kërkon gjithashtu gjykatës të hetojë krimet e kryera më parë. Kjo do të thotë se Kroacia nuk do të pranojë hetimin e krimeve të kryera gjatë Furtunës në vitin 1995 përpara hetimit të krimeve të kryera nga Ushtria Jugosllave e Millosheviqit në vitin 1991 dhe gjatë luftës në Kroaci.
Përgjigja e Hagës ishte e qartë dhe e menjëherëshme. Karla Del Ponte ka theksuar prerë se Kroacia nuk mund të diktojë ICTY-në.
Qeveria do të përballet me një situatë të vështirë nëse ICTY publikisht akuzon gjeneralët Kroatë.
Nëse ajo nuk do të pranojë të bashkëpunojë, pozita e saj përballë komunitetit ndërkombëtar do të rëndohet dhe ajo do të përballet me një izolim të ri ndërkombëtar, të njëjtë me periudhën kur HDZ-ja e Tugjmanit ishte në pushtet.
Por nëse qeveria ekstradon gjeneralët, ajo do të përballet me akuzat për tradhëti kombëtare nga krahu i djathtë i cili do të përpiqet të kthejë opinionin publik - i bindur prej vitesh nga propaganda e Tugjmanit se Kroatët nuk kanë kryer krime lufte gjatë luftës së tyre për liri - kundër autoriteteve.
Dragutin Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.