KINA, SHPËTIMI I BEOGRADIT

Kapitalet kineze po ndihmojnë regjimin e Beogradit, i cili është në gjendje të vështirë financiare.

KINA, SHPËTIMI I BEOGRADIT

Kapitalet kineze po ndihmojnë regjimin e Beogradit, i cili është në gjendje të vështirë financiare.

Tuesday, 1 February, 2000

Lidhjet më të forta financiare ndërmjet Kinës dhe Jugosllavisë duket se po e zgjasin jetën e regjimit të Milosheviqit duke dëmtuar përpjekjet e perëndimit për të pakësuar futjen e monedhës së fortë në Jugosllavi.


Në dhjetor, 300 milion dollarë amerikanë janë transferuar nga llogari bankare në Kinë për në Serbi, duke bërë të mundur për qeverinë serbe ë shmangë një krizë financiare.


Sipas ekonomistëve, fondet -- një pjesë e të cilave janë përdorur menjëherë për të ndaluar zhvleftësimin e dinarit jugosllav në tregun e zi - duhet të mjaftojnë për të parandaluar inflacionin e lartë në Serbi për gjashtë muaj dhe për të paguar pensionet, ushtarakët dhe policinë edhe për disa muaj të tjerë.


Beogradi fillimisht i ka cilësuar kapitalet kineze si një "dhuratë", më pas si kredi tregëtare, por kritikët e regjimit janë mjaft skeptikë ndaj këtyre vlerësimeve.


"Nuk mund të jetë dhuratë, sepse Kina nuk bën dhurata financiare," thotë Mlladjan Dinkiq, ekonomist i njohur në Beograd. "Unë mendoj se këto para janë pjesë e fondeve të udhëheqjes politike serbe të cilat janë transferuar jashtë vendit, së pari në Qipro, dhe vende të tjera, dhe më pas në Kinë, e që janë rikthyer në dhjetor."


Thuhet se disa kompani serbe kanë filluar të transferojnë para nga Qipro dhe banka të tjera perëndimore në Shanghai dhe Hong Kong që verën e kaluar, duke e parashikuar se përleshjet në mes Ushtrisë Jugosllave dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të sillnin rinovimin e sanksioneve ndërkombëtare.


Transferimi i kapitaleve në Kinë është influencuar edhe nga përpjekjet e Qipros për t'u afruar më tepër me Bashkimin Europian, si edhe kontrollet në rritje të llogarive serbe në bankat europiane nga Karla Del Ponte, kryeprokurorja e Gjykatës për Krime në ish-Jugosllavi e OKB (ICTY).


Përveç rritjes së aktivitetit ekonomik, është shtuar edhe ai diplomatik.


Çdo javë një avion i Jugoslav Airlines ulet në Beograd duke sjellë një delegacion të ri kinez. Këta zyrtarë të Pekinit janë pjesë e një numri të madh diplomatësh dhe burra shteti që d ëshirojnë të takojnë presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq.


Ndërkohë, Serbia ka hapur një konsullatë në Shanghai vitin e kaluar dhe ministrja jugosllave për bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare financiare, Borka Vuqiq, ka vizituar kohët e fundit Pekinin për të forcuar marrëdhëniet serbo-kineze.


Vuqiq, e cila mendohet të jetë përgjegjëse për rezervat në valutë të huaj për regjimin e Beogradit, i dhuroi kryetarit të Kryqit te Kuq Kinez një pyramidë të vogël në shenjë përkujtimore që përmbante mbetje nga ambasada kineze në Beograd e bombarduar nga NATO vitin e kaluar.


"Piramida ishte simbol i protestës kundër agresionit të NATO-s dhe një mesazh se kjo gjë as nuk mund të harrohet, as të falet," u tha ajo miqve të saj kinezë.


Beogradi dhe Pekini kanë forcuar marrëdhëniet e tyre miqësore që kur gruaja e Millosheviqit, Mira Markoviq, ka shkuar në Pekin gjatë demonstratave anti-qeveritare në Serbi në vitin 1996-1997.


Ajo u kthye tepër e gëzuar, duke vlerësuar lart strukturën marksiste politike në Kinë dhe ato të ekonomisë së lirë të tregut, si një model edhe për Serbinë, dhe bëri thirrje që edhe Beogradi si qytetet e tjera europiane të ketë lagjen e tij kineze.


Në fakt, aq e dashuruar ishte Markoviq me Kinën saqë partia e saj politike, e Majta e Bashkuar Jugosllave (JUL), ndonjeherë quhet si dega serbe e Partise Komuniste Kineze.


Bombardimi nga ana e NATO-s i ambasadës kineze në Beograd majin e kaluar, ku vdiqën tre shtetas kinezë dhe u plagosën 20 të tjerë dhe për të cilën SHBA pagoi dëmshpërblimin prej 24 milion dollarësh për Kinën, i ka afruar edhe më tepër Beogradin dhe Pekinin.


SHBA dhe NATO insistojnë se bomba ka qënë një aksident dhe ia kanë atribuar atë hartave të vjetra të CIA-s. Por disa njoftime kanë sugjeruar se ambasada është goditur sepse ajo shërbente si një qendër komunikimi për Ushtrinë Jugosllave pasi NATO kishte shkatërruar pikat e tjera të komandimit dhe kontrollit.


Qeveria kineze, nga ana e saj, ka përfunduar një hetim dhe vazhdon të jetë e bindur se bombardimi ka qënë i qëllimshëm.


Ndërsa lidhja me Kinën i jep mundësi Millosheviqit të sigurojë monedhë të fortë, kredi tregëtare, investime dhe prestigj, Serbia i ofron Pekinit një mundësi për të investuar në industritë europiane me çmime të ulta dhe një bazë në Europë për tregëti dhe spiunazh.


Bratislav Grubaqiq, redaktor i agjensisë së pavarur të shtypit VIP në Beograd, vlerëson se rreth dy te tretat e fondit të transferuar nga Pekini në Beograd në dhjetor kanë qënë pagesat kineze për një pjesë të aksioneve të rrjetit të ri të telefonisë së lëvizshme në Serbi dhe uzinës kimike të Pançevos.


Për më tepër, Pekini merr nëpërmjet Beogradit pagesat për një borxh të vjetër që i ka pasur Libia. Tripoli dërgon naftë në Serbi, e cila më pas kompenson Pekinin. Në vend të parave, Kina mund të jetë duke u paguar për naftën me një pjesë të aksioneve të rafinerisë së naftës në Pançevo.


Lora Rozen është bashkëpunëtore e rregullt e IWPR-së e cila ka raportuar nga Ballkani që prej vitit 1996.


Frontline Updates
Support local journalists