Kriza e Udhëheqjes Serbo Boshnjake
Përkrahësit serbo boshnjakë të vijës së ashpër, mesa duket të mbështetur nga presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq, po përpiqen ta largojnë qeverine e moderuar të Republika Srpska.
Kriza e Udhëheqjes Serbo Boshnjake
Përkrahësit serbo boshnjakë të vijës së ashpër, mesa duket të mbështetur nga presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq, po përpiqen ta largojnë qeverine e moderuar të Republika Srpska.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (ZPL) e dënoi si të paligjshme dhe jokushtetuese një lëvizje të zëvendëspresidentit serb boshnjak Mirko Saroviq për të marrë përsipër udhëheqjen e Republika Srpska.
Saroviq, duke deklaruar qëllimin e tij në një deklaratë politike në entitetin serb të Bosnies, njoftoi të mërkurën, 26 janar, qëllimin për të marrë përsipër presidencën e mbetur bosh.
"Kjo lëvizje është një sulm për të ardhur keq ndaj institucioneve ligjore të Republika Srpska, me synim tëqartë e të dukshëm për të destabilizuar entitetin dhe për të minuar marrëveshjet e Dejtonit," tha zëdhënësi i ZPL-së Xhejms Ferguson.
"Z. Saroviq do të mbajë përgjegjësi për këtë. Çdo veprim që mund të ndërmarrë në përpjekje për të ushtruar këto kompetenca presidenciale do të jetë i paligjshëm."
Republika Srpska është pa një kryetar shteti që kur diplomati i mëparshëm prëndimor Karlos Uestendorp e hoqi presidentin Nikola Poplasen marsin e kaluar për qëndrimet e tij të vijës së ashpër dhe kundërshtimin ndaj procesit të paqes.
Saroviq nuk e pranoi një ofertë nga Uestendorp për ta caktuar president, me kushtet që vendosi komuniteti ndërkombëtar.
Kjo situatë i përshtatej organizatave ndërkombëtare në Bosnie, meqë nuk kishte asnjë që ta zëvendësonte ose ta sfidonte seriozisht favoritin perëndimor ndërmjet serbëve boshnjakë -- kryeministrin e moderuar Milorad Dodik.
Në bazë të kushtetutës së Republika Srpska,vetëm presidenti ka të drejtë të emërojë kryesiministrin.
Gjatë dy viteve të fundit, Dodik ka fituar mbështetje ndërkombëtare duke u ndeshur hapur me përkrahësit serbo boshnjakë të vijës së ashpër si Saroviq e Poplasen, por edhe me presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq.
Në disa raste, Millosheviq është përpjekur edhe të organizojë ekstremistët serbo boshnjakë në luftë kundër Dodikut, i cili ka minuar seriozisht autoritetin e udhëheqësit të Beogradit ndërmjet serbëve në rajon.
Dodik pretendon se javën e kaluar Millosheviq u takua me përkrahësit serbo boshanjkë të vijës së ashpër, të kryesuar nga Poplasen, në Beograd me qëllim që të gjente një rrugë për të zëvendësuar kryesministrin.
Njoftimi i Saroviqit, i bërë javën e kaluar pas takimit në Beograd, duket se vërteton pretendimin e Dodikut.
Zyrtarët perëndimorë theksojnë se veprimi i Saroviq duhet të konsiderohet në kuadrin e luftës së vazhdueshme për pushtet midis Millosheviqit dhe opozitës serbe, gjë që tani duket se po futet edhe në Bosnie. Dodik mbështet hapur opozitë serbe.
Një takim i zhvilluar këtë javë midis Dodikut, udhëheqësve të tjerë të koalicionit Sloga në pushtet dhe pretenduesit të fronit mbretëror jugosllav Aleksandar Karaxhorgjeviq, vuri në dukje nevojën për unifikimin e të gjitha partive opozitare serbe kundër Millosheviqit.
"Të gjithë duhet të punojmë për të larguar regjimin në Beograd njëherë e përgjithmonë," televizioni i Republika Srpska citoi Karaxhorgjeviq.
Siç pritej lëvizja e Saroviqit mbështetet nga Partia Demokratike Serbe dhe Partia Radikale të vijës së ashpër në Republika Srpska.
Por çuditërisht pati një reagim të heshtur nga pothuaj të gjitha partitë e tjera, përfshirë edhe ato anëtare të koalicionit Sloga, të cilat ose qëndruan të heshtura, ose kritikuan shumë butë Saroviqin për destabilizimin e situatës në Republika Srpska.
Saroviq ka zemëruar shumë në Republika Srpska, por ky zemërim duket se është temperuar nga bezdia lidhur me ndërhyrjen e vazhdueshme të ZPL-së në poiltikën e brendshme të entitetit.
Janez Kovaq është kontribues i rregullt i IWPR-së nga Sarajeva.