Zbulohet 'Grushti i Shtetit' në Kroaci

Disa gjeneralë kroatë janë shkarkuar pasi janë akuzuar se po përgatiteshin të rrëzonin qeverinë.

Zbulohet 'Grushti i Shtetit' në Kroaci

Disa gjeneralë kroatë janë shkarkuar pasi janë akuzuar se po përgatiteshin të rrëzonin qeverinë.

Tuesday, 6 September, 2005

Presidenti Stipe Mesiq ka deklaruar se një letër e hapur nga 12 gjeneralë të ushtrisë ku kritikoheshin masat e marra nga qeveria ndaj kriminelëve të luftës kroatë ka qenë pjesë e përgatitjeve për një grusht shteti ushtarak.


Duke folur në Orahovica më 29 shtator, ditën që ai njoftoi shkarkimin e shtatë gjeneralëve aktivë nga 12 që kishin nënshkruar letrën, Mesiq tha se ai besonte se letra ishte botuar për të matur pulsin përpara një grushti shteti të mundshëm.


"Pikërisht kështu," ka thënë Mesiq. "Kjo është arsyeja që unë reagova kaq shpejt. Ky ishte vendimi i vetëm i mundshëm dhe e kam marrë pa asnjë hezitim."


Më 28 shtator 12 gjeneralët kishin botuar një letër ku i bëhej thirrje "zyrtarëve competentë shtetërorë dhe institucioneve... mediave për të mos u përfshirë në përfaqësimin negativ dhe pa baza historike të Luftës për Atdheun."


Letra theksonte gjashtë fusha pakënaqësie me politikat e qeverisë kroate ndaj luftës kundër Beogradit në fillim të viteve 1990. Deklarata gjithashtu kërkonte që në postet kryesore të ushtrisë kroate të emëroheshin vetëm njerëz të cilët kishin luftuar në Luftën për Atdheun.


Mesiq, i cili ishte në Strasburg kur u botua letra, tha se 12 nënshkruesit janë të lidhur me atë pjesë të Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, e cila nuk e ka pranuar kurrë humbjen në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit të kaluar.


Presidenti ka thënë se ai kishte vepruar me kaq vendosmëri se letra kishte ardhur menjëherë pas zhvillimit të protestave të krahut të djathtë ndaj arrestimeve të kohëve të fundit të të dyshuarve për krime lufte. Disa shoqata veteranësh të luftës, të lidhura me HDZ-në, kanë humbur shumë privilegje që prej ardhjes në pushtet të qeverisë së re - duke ofruar kështu mundësi për nacionalistët ekstremë.


Mesiq ka deklaruar se demonstratat në të gjithë vendin po organizohen nga të vetë-shpallurat "Shtabe për Mbrojtjen dhe Dinjitetin e Luftës së Atdheut". Ai ka thënë se këto demonstrata janë shtuar që prej vendimit të qeverisë për arrestimin e gjeneralit në pension Tihomir Oreskoviq, i dyshuar për krime lufte ndaj serbëve të Kroacisë në Gospiq.


Në fillim të muajit shtator u arrestuan 12 të dyshuar për krime lufte të përmendur nga Gjykata e Hagës, përfshirë heronj të 'Luftës për Atdheun'. Në muajt e fundit media kroate ka botuar disa artikuj mbi përfshirjen e ushtarakëve në krime ndaj civilëve serbë.


Mundësia e arrestimeve të tjera dhe ndërprerja nga ana e qeverisë e privilegjeve të ushtarakëve ka shtuar edhë më tepër zemërimin e së djathtës ekstreme dhe shoqatave të veteranëve të luftës.


Të paktën dy nga dymbëdhjetë nënshkruesit e letrës - gjeneralët Ante Gotovina dhe Mirko Norac - janë përmendur publikisht si të dyshuar të mundshëm nga Haga për krime lufte të kryera gjatë operacioneve të ushtrisë ndaj rebelëve serbë në vitin 1995.


Megjithëse vendimi i shpejtë i Mesiqit ka neutralizuar çdo kërcënim të mundshëm nga gjeneralët, kjo letër ka shkaktuar një krizë në skenën politike kroate.


Presidenti nuk është konsultuar fare me ministrin e mbrojtjes Jozo Radosh. Partia e tij, Partia Social Liberale kroate, HSLS, e cila ka tendenca të theksuara nacionaliste, është partia kryesore në koalicionin prej gjashtë partish të qeverisë së kryeministrit Ivica Raçan.


Injorimi i tij nga ana e Mesiq ka shtuar zërat, sipas të cilave ministri i mbrojtjes do të japë dorëheqjen. Ndërsa Raçan dhe katër partnerët e tjerë të koalicionit qeveritar kanë mbështetur veprimet e presidentit, HSLS, përfshirë edhe presidenti i kësaj partie Drazhen Budisha, fillimisht nuk kanë pranuar të bëjnë koment.


Një zëdhënës i ministrisë së mbrojtjes i ka përshkruar këto shkarkime si "drastike", megjithëse kjo deklaratë mesa duket është bërë pa u konsultuar me Radoshin.


Në përgjigje Mesiq ka thënë: "Ata që dëshirojnë të jenë në politikë, por në fakt janë në rradhët e ushtrisë, duhet të largohen nga ushtria. Si rrjedhojë e vendimit tim, unë u kam krijuar mundësinë këtyre gjeneralëve të merren me çfarë të dëshirojnë."


HDZ duket se po përpiqet të përfitojë nga çarjet e shfaqura në rradhët e koalicionit qeveritar. Më 30 shtator partia ka botuar një letër të hapur drejtuar "kroatëve brenda dhe jashtë vendit" duke bërë thirrje për zgjedhje të reja.


Vetëm pas 24 orësh nga vendimi i Mesiqit për të shkarkuar shtatë gjeneralët, Budisha më në fund ka deklaruar se vendimi i presidentit është i ligjshëm dhe kushtetues. Radosh ka thënë se Mesiq kishte pranuar në një farë mënyre se "do të kishte qenë më mirë" të ishte konsultuar më parë me ministrin e mbrojtjes, por ka këmbëngulur se ai nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.


Megjithatë Budisha e ka zvogëluar përkrahjen e tij për Mesiq duke thënë se gjeneralët ishin sulmuar pa ndonjë arsye dhe se kishin qenë viktima të një fushate armiqësore të nisur prej muajsh nga ana e medias.


HDZ vazhdon të ketë një influencë të madhe në ushtri dhe polici - baza e rëndësishme e pushtetit të ish-presidentit Franjo Tugjman. Përkrahësit e HDZ-së, përfshirë edhe 12 gjeneralët, janë vendosur në pozicione të rëndësishme të pushtetit dhe shumë prej tyre i ruajnë ende këto pozita.


Mesiq synon të depolitizojë ushtrinë kroate dhe të vendosë një institucion profesional e të pavarur politikisht. Por përfshirja e ushtarakëve në krime e korrupsion dhe interesat e fuqishme që ekzistojnë në këto aktivitete përbëjnë një pengesë serioze për presidentin në rrugën e tij.


Sipas një anketimi në të përditshmen e Zagrebit Jutarnji List, 66 përqind e kroatëve mbështesin vendimin e Mesiqit për shkarkimin e gjeneralëve. Siç u shpreh edhe një qytetar i Zagrebit, vendimi i presidentit tregoi se qeveria më së fundi "po sulmon ato fusha të cilat dikur kanë qenë të paprekshme."


Dragutin Hedl është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists