Kosova e Kërcënuar nga Droga

Trafikantët shqiptarë të drogës po lulëzojnë në Kosovën e pas-luftës.

Kosova e Kërcënuar nga Droga

Trafikantët shqiptarë të drogës po lulëzojnë në Kosovën e pas-luftës.

Një grup të rinjsh shqiptarë janë rehatuar në një kolltuk të njërës prej kafeneve kryesore të Prishtinës. Të rinjtë, gjysëm të përgjumur, me sytë të mbuluar me rrathë të zinj, janë viktima të kulturës së drogës që po gëzon një bum në Kosovë.


Një dozë marihuane, droga më e përhapur në Kosovë, kushton rreth 10 marka gjermane. Rrjeti i shëprndarjes është i organizuar shumë mirë. Disa dhjetra shitës - shumë prej tyre të rinj - furnizojnë qindra klientë.


Beni është një ndër këta shitësa. Ai shet të paktën dhjetë doza në ditë, marihuane dhe hashash. "Nëntë muaj më parë, kur fillova të bëja këtë punë, kisha vetëm pak klientë. Tani kemi shumë. Marihuana është droga më e kërkuar."


Droga hyn në kosovë nëpërmjet dy rrugëve -- nga Shqipëria dhe nga Maqedonia. Pjesa më e madhe e kanabisit të importuar konsumohet në Kosovë, ndërsa drogat e tjera më të shtrenjta si kokaina dhe heroina dërgohen në Shqipëri dhe prej atje në Europën perëndimore.


Ekspertët ndërkombëtarë të narkotikëve mendojnë se trafikantët e drogës në provincë kalojnë nëpër duar rreth pesë tonë heroinë në muaj, dy herë më shumë se sasia që kalonte përpara luftës.


"Tani droga vjen më me lehtësi dhe më e lirë - dhe ka shumë," ka thënë kohët e fundit Marko Nicoviq, zëvendës-president i shoqatës ndërkombëtare të kontrollit të drogës, për gazetën Dhë Gardian.


"Nëse kjo gjendje vazhdon, ne parashikojmë një bum të heroinës në Europën perëndimore të ngjashme me atë të fillimit të viteve 80-të."


Konflikti në Kosovë i detyroi trafikantët shqiptarë të drogës ta linin mënjanë "Rrugën Ballkanike" - një kanal kontrabande nga Afganistani nëpërmjet Bullgarisë, Maqedonisë, Kosovës për në Europën perëndimore.


Por me përfundimin e konfliktit dhe mungesën e ligjeve e të kontrolleve të rrepta në Kosovë, kjo rrugë po rinis të funksionojë, thonë ekspertët.


Menjëherë pas luftës droga filloi të hyjë në Kosovë nga Maqedonia. Oficerët e doganës maqedonase kapën kohët e fundit 465 kg kanabis në kufirin e tyre me Shqipërinë.


Në të njëjtën kohë kufiri i pakontrolluar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë u lejon trafikantëve mundësinë e kalimit të ngarkesave pa shumë probleme.


Shqipëria e jugut është një zonë e rëndësishme e kultivimit të kanabisit duke ofruar një mundësi dhe një burim të ardhurash të mirë për komunitetet e varfëra lokale. Pasi mblidhet ajo dërgohet në qytetin verilindor të Shqipërisë në Kukës dhe pastaj në Prizren në Kosovë.


Përforcimi i patrullave të KFOR-it përgjatë kufirit Shqipëri-Kosovë ka pasur një farë rezultati duke i detyruar trafikantët të kërkojnë rrugë të tjera të pashkelura përgjatë kufirit. Një trafikant kosovar thotë se ai tani përdor rrugë dytësore për të transportuar dërgesat, "megjithëse ne tani transportojmë sasi më të vogla," pranoi ai.


Trafikanti thotë se ai shiste drogë në Gjermani, por është kthyer në Kosovë vitin e kaluar. Ai thotë se tani bën pjesë në një rrjet të mire-organizuar që vepron në Kosovë, i cili kontrollohet nga të huajt. "Ne i marrim urdhërat nga bosët që ndodhen në Zvicër dhe Gjermani," thotë ai.


Përfshirja e bandave kriminale shqiptare në trafikun e drogës është e dokumentuar mirë. Media zvicerane ka njoftuar shpesh për numrin e trafikantëve shqiptarë të drogës të arrestuar në Zvicër.


Administrata ndërkombëtare në Kosovë deri tani ka preferuar ta lërë mënjanë këtë çështje.


Burime të policisë së UNMIK-ut thonë se askush nuk është arrestuar deri më tani për krime të lidhura me trafikun e drogës në Kosovë. I njëjti burim thotë se policia "po e ndjek me kujdes situatën", por ai shton se "ne kemi gjëra më të rëndësishme për të bërë."


Lënia pas dore nga ana e komunitetit ndërkombëtar e çështjes së drogës po krijon kushte ideale për lulëzimin e këtij biznesi. Provinca, e rënduar nga gjendja ekonomike dhe në mungesë të zbatimit të ligjeve të duhura, po shndërrohet në një vend ideal për veprimet e mafias së drogës. Një kulturë e tillë do të jetë shumë e vështirë për t'u çrrënjosur pasi të jetë ngulitur mirë.


Imer Mushkolaj është kryeredaktor i së përditshmes shqiptare në Kosovë "Epoka e Re".


Frontline Updates
Support local journalists