Rrjedhja që Helmoi Marrëdhëniet Ballkanike

Politikanët Ballkanikë po përpiqen të ndajnë përgjegjësinë ndërsa një rrjedhje masive cianuri po drejtohet nga Rumania për në Detin e Zi.

Rrjedhja që Helmoi Marrëdhëniet Ballkanike

Politikanët Ballkanikë po përpiqen të ndajnë përgjegjësinë ndërsa një rrjedhje masive cianuri po drejtohet nga Rumania për në Detin e Zi.

Tuesday, 6 September, 2005

Një rrjedhje cianuri, e përshkruar si katastrofa më e madhe ekologjike në Europë që pas Cernobilit, po shkakton një problem të madh politik në katër shtete Ballkanike.


Helmi vdekje prurës ka rrjedhur nga një minierë ari në Rumani, Aurul SA, muajin e kaluar, kur reshjet e dendura të dëborës shkaktuan tejmbushjen e një rezervuari të grumbullimit të mbeturinave. Më tepër se 375,000 litra mbetje të helmuara janë derdhur në Lumin Somes, dhe më pas në atë Tisza, në Hungarinë fqinje. Vala rreth 250 kilometra e gjatë pritet të mbërrijë në Detin e Zi, pasi të ketë kaluar nëpërmjet Jugosllavisë dhe Bullgarisë.


"Shkalla e plotë e dëmit mund të mos dihet deri në fillim të pranverës, kur të mbijë vegjetacioni i ri," ka thënë Anton Vlad, një zëdhënës i Ministrisë Rumune të Mjedisit.


Megjithatë, gjatë muajit të kaluar, kjo rrjedhje ka infektuar furnizimet me ujë të pijshëm për rreth 2.5 milion njerëz dhe ka shkaktuar ngordhjen e 80 përqind të peshkut në Lumin Tisza.


Reagimi i popullsisë lokale ka qenë i ndryshëm, disa janë treguar tepër praktik disa të tjerë e kanë mistifikuar këtë ngjarje. Ndërsa vullnetarët kanë pastruar peshqit e ngordhur nga lumi në një përpjekje për të shpëtuar jetën e zogjve të cilët ushqehen me peshk, komunitete të tjera kanë organizuar procesione zije me qirinj.


Shumë hungarezë besojnë se katastrofa është shkaktuar nga neglizhenca e Rumunëve, gjë e cila u kurorëzua me dhunë muajin e kaluar kur demonstruesit Hungarezë kanë thyer xhamat e konsullatës Rumune në Budapest.


Ndërkohë, një luftë fjalësh ka shpërthyer ndërmjet qeverive Ballkanike, dhe politikanët e të gjithë vendeve kanë qenë shumë të gatshëm për t'ia hedhur fajin njëri tjetrit. Më 15 Shkurt, Kryeministri hungarez Viktor Orban njoftoi se Hungaria do të kërkonte kompensim nga Rumania - një hap, të cilin Ministri i Jashtëm Rumun e hodhi poshtë si "një veprim krejtësisht politik".


Specialistët Hungarezë kanë vlerësuar se niveli i ndotjes në ujë është rreth 300 herë më i lartë se niveli i pranueshëm. Qeveria Rumune thotë se kjo shifër është shumë e ekzagjeruar dhe ka akuzuar Budapestin se po përpiqet të fryjë kërkesat për kompensim në të ardhmen.


Edhe Jugosllavia po kërcënon se do të padisë Rumaninë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë - megjithëse shumë analistë thonë se ky veprim është kryesisht një hakmarrje ndaj mbështetjes së Rumanisë për sulmet ajrore të NATO-s mbi Beogradin, verën e kaluar.


Zyrtarët rumunë kanë akuzuar menjëherë kompaninë Australiane që ka në pronësi minierën e arit, Esmeralda Exploration, e cila zotëron 50 përqind të aksioneve në uzinën në Baia mare. Zëdhënësi i qeverisë Romica Tomescu tha se autoritetet kishin nisur një akuzë zyrtare ndaj firmës.


Zoltan Illes, kryetari i komitetit Hungarez për ambjentin, ka akuzuar Esmeralda Exploration se "përdor teknologji të cilat janë të ndaluara në Europën Perëndimore."


Kompania ka hedhur poshtë të gjitha akuzat, duke thënë se autoritetet Hungareze dhe ato Rumune kanë ekzagjeruar shkallën e dëmit. Pronarët deklarojnë se rrjedhja është shkaktuar nga kushtet e këqija të motit dhe jo nga neglizhenca, ndërsa pjesa më e madhe e peshqve kanë ngordhur si pasojë e klorit të përdorur për të luftuar rrjedhjen e cianurit.


Ekspertët lokalë tani po kërkojnë për mjetet për të disintegruar cianurin, përpara se ai të mbërrijë në grykëderdhjen në Detin e Zi, një zonë e pasur me bimësi. Megjithatë, qeveritë Ballkanike nuk janë në gjendje të aplikojnë për grante të Bashkimit Europian për të ndihmuar në luftimin e pasojave sepse marrëveshjet ekzistuese ndërmjet vendeve fqinje për ujërat dypalëshe nuk janë sipas standarteve të BE-së.


Njëzet e pesë ekspertë ndërkombëtar nga Kombet e Bashkuara janë dërguar në zonat e dëmtuara për të vlerësuar shkallën e dëmit ndaj ambjentit. Ata do të paraqesin një raport me fakte OKB-së në muajin Mars, i cili do t'u jepet edhe vendeve të prekura dhe Komisionit Europian.


Marian Chiriac është redaktor i lajmeve në Agjensinë e Lajmeve MediaFax në Bukuresht dhe redaktor i Politika e Jashtme, një revistë që botohet një herë në tre muaj nga Shoqata Akademike Rumune.


Frontline Updates
Support local journalists