Dhuna e Shqiptarëve Ngadalëson Kthimin e Serbëve

Vala e fundit e dhunës së shqiptarëve në Kosovë ka vënë në pikëpyetje përpjekjet e KFOR-it për të kthyer refugjatët serbë.

Dhuna e Shqiptarëve Ngadalëson Kthimin e Serbëve

Vala e fundit e dhunës së shqiptarëve në Kosovë ka vënë në pikëpyetje përpjekjet e KFOR-it për të kthyer refugjatët serbë.

E vendosur mes maleve rreth 50 kilometra larg Prishtinës, Slivovo duket e boshatisur dhe e zymtë. Një pikë fushimi ushtarake e KFOR-it është vendosur mbi një pllajë që kontrollon gjithë fshatin. Helikopterë të aleancës fluturojnë mbi zonë vazhdimisht.


Slivovo është një prej disa fshatrave të vegjël në Kosovën qendrore të braktisur nga pjesa më e madhe e banorëve të tyre serbë në qershor të vitit 1999 pas tërheqjes së forcave jugosllave nga provinca. KFOR po përpiqet tani të inkurajojë rikthimin e refugjatëve duke siguruar zonën.


Por gjatë dy javëve të fundit Operacioni Trojan është rrezikuar nga një shtim i dhunës etnike në të gjithë Kosovën, si pasojë e së cilës janë vrarë tetë dhe janë plagosur dymbëdhjetë serbë. Në fshatin me popullsi të përzier Cërnica në Kosovën juglindore janë vrarë tre njerëz, përfshirë edhe një fëmijë katërvjeçar, në një shkëmbim zjarri më 4 qershor.


Shtimi i dhunës ka goditur besimin serb në mundësinë e forcave ndërkombëtare për t'i mbrojtur ata. Pjesa më e madhe e trazirave kanë ndodhur jashtë Kosovës qendrore, por edhe në këtë zonë ka pasur disa probleme.


Majori Methju Mekdonald, oficer kanadez përgjegjës për planifikimin e Operacionit Trojan, ka bërë të ditur tashmë nevojën për të transferuar tregun e Graçanicës, ku më 6 qershor njerëz të panjohur kanë hedhur një granatë dore mbi një grup serbësh duke plagosur tre njerëz.


Gjatë një proteste të mëvonëshme të serbëve lokalë, trupat e KFOR-it që ruanin komandantin e zonës, gjeneral Riçard Shiref, kanë qëlluar dhe plagosur një demonstrues.


Shiref, i cili është vlerësuar nga disa drejtues të komunitetit serb për përpjekjet e tij për të përmirësuar gjendjen e sigurisë në Kosovën qendrore, ka thënë për këto sulme: "Mund t'i përshkruaj pa vështirësi ato që kam parë dy ditët e fundit si terrorizëm."


"Ne po merremi me zgjidhjen e problemeve si lëvizja e lirë, komunikimi, shërbimet shëndetësore, arsimi dhe tregtia," ka thënë Shiref. "Operacioni Trojan mendohet të rrisë nivelin e sigurisë dhe cilësinë e jetesës për serbët në zonën që mbulojmë ne."


Përpara valës më të fundit të dhunës, prifti Sava, një nga drejtuesit e Këshillit Kombëtar Serb të Kosovës dhe Metohisë, ka thënë se shoqata mbështet plotësisht Operacionin Trojan. Pas ngjarjeve në Graçanicë, KKS ka pezulluar bashkëpunimin me administratën ndërkombëtare. Kryetari i këshillit, peshkopi Artemije, ka thënë se shumë nga komuniteti serb po i bojkotonin kolegët e tij "sikur të ishim në fajtorë për viktimat."


Mekdonald ka insistuar se Operacioni Trojan ka sjellë rezultate të mira dhe ka përmirësuar ndjeshëm gjendjen e komunitetit serb. "Ne kemi vënë re në pikat e kontrollit se rrugët përdoreshin vetëm nga shqiptarët," ka thënë Mekdonald. "Serbët nga Fushë Kosova përdornin rrugë dytësore për të ardhur në Graçanicë. Kështu që vendosëm të shikonim se ku dhe kur do të shkonin serbët në mënyrë që jo vetëm t'u jepnim atyre shoqërim, por edhe të riparonim rrugët."


Si rrjedhojë KFOR ka ndërtuar rreth 20 km rrugë ndërmjet komuniteteve të ndryshme serbe dhe po punon edhe në një linjë hekurudhore nga Lipjani në Fushë Kosovë për në Zveçan, thotë Mekdonald.


Gjatë dy javëve të fundit janë rivendosur lidhjet me autobus ndërmjet Graçanicës dhe Mitrovicës, dy enklava të mëdha serbe. Linjat telefonike kanë filluar të funksionojnë ndërmjet Çagllavicës, Laplje Selo e Graçanicës, dhe nëpërmjet lidhjes me radio edhe me Fushë Kosovën e Prishtinën.


Një banor i Slivovo, Stana Simiq, e ka mirëpritur fillimin e lidhjes me autobus. "Unë shkova dje në Graçanicë për të folur në telefon me fëmijët. Shpresoj se ata do të kthehen të jetojnë këtu si më parë. U thashë se këtu gjendja është e sigurtë dhe se nuk ka probleme," thotë Stana. "Ne po shkojmë mirë me ushtrinë".


Përveç se po shoqëron fshatarët që punojnë në tokat e tyre, Mekdonald thotë se KFOR tani ka filluar të përdorë një sistem radari të quajtur Kojot për të kontrolluar zonën edhe gjatë natës. Të gjitha sinjalet e dyshimta hetohen nga patrulla të helikopterëve. "Kohët e fundit kemi zbuluar një grup njerëzish që po përpiqeshin të fshihnin nën tokë pushkë automatike dhe mortaja," thotë Mekdonald.


Kapiteni Tom Bateman i Dragojve skocezë drejton një forcë të përbashkët britanike-suedeze, prej pak më shumë se njëqind njerëzish, e cila patrullon zonën e gjerë me pyll ndërmjet bashkive të Graçanicës dhe Prishtinës. Në këtë zonë ndodhen gjashtë fshatra serbe, përfshirë Slivovo, të rrethuara nga komunitetet shqiptare.


"Qëllimi ynë fillestar është të kthejmë 15 familje serbe në Slivovo nga Graçanica ku gjenden tani," thotë Bateman. "Gjithashtu nja dhjetë burra vijnë çdo ditë në fshatin Peroviq nën mbrojtjen tonë për të përgatitur shtëpitë për kthimin e tyre."


Bateman tha se ai ishte i sigurtë se trupat e KFOR-it në zonën e tij e kishin nën kontroll situatën.


Stojna Marinkoviq nga Slivovo tha se dukej se fshatarët janë të lirë të shkojnë ku të duan. Por ajo shtoi se "unë akoma lëviz pranë shtëpisë nëse burri nuk vjen me mua."


Marinkoviq është larguar nga Slivovo më 19 qershor të vitit të kaluar së bashku me të gjithë fshatarët e tjerë. Djali i saj Goran, 19 vjeç, është zhdukur po atë ditë në afërsi të fshatit të Labjanit. Ajo është kthyer tre javë më pas e shoqëruar nga ushtarët suedezë të KFOR-it.


"Ndoshta ka serbë që kanë lyer duart me gjak dhe ata kanë frikë të kthehen. Djali im ishte i pafajshëm. Ai ka qenë një viktimë. Nëse do të kishte bërë krime do të ishte larguar menjëherë. Ai nuk do të kishte qëndruar këtu," thotë Marinkoviq.


Danijela Paviq, 18 vjeç, është kthyer në Slivovo këtë shkurt. Danijela, si shumë të tjerë që u larguan nga Slivovo, kishte përfunduar në Smederevo, në Serbi, ku ka jetuar për 10 muaj. "Atje nuk kishim shtëpitë tona, prandaj u kthyem," thotë ajo. "Këtu ndjehemi të sigurtë tani."


Bateman shpreson se fjala do të përhapet në Smederevo dhe se njerëzit do të fillojnë të mendojnë për t'u kthyer në shtëpi. Ai tha se shumë shpejt do të hapen në një shtëpi pranë kampit ushtarak të KFOR-it një qendër kirurgjikale, një shkollë dhe një qendër shpërndarëse.


Shiref mendon se prioriteti për momentin duhet t'u jepet njerëzve që duan të kthehen dhe të shohin me sytë e tyre nëse situata është qetësuar.


Radosha Milutinoviq është bashkëpunëtor i IWPR-së.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists