Shqiptarët e Tetovës Shohin një të Ardhme të Zymtë

Shqiptarëve të thjeshtë po u mbaron durimi me autoritetet Maqedonase

Shqiptarët e Tetovës Shohin një të Ardhme të Zymtë

Shqiptarëve të thjeshtë po u mbaron durimi me autoritetet Maqedonase

Thursday, 19 April, 2001

Shqiptarët që jetojnë në Tetovë dhe rreth saj, e cila ka qenë qendra e luftimeve gjatë muajit të kaluar, janë skeptikë ndaj premtimeve të qeverisë për të përmirësuar gjendjen e tyre.


Kur autoritetet Maqedonase nënshkruan marrëveshjen e stabilitetit dhe asocimit me Bashkimin Europian javën e kaluar, ata premtuan për marrëdhënie më të mira me popullsinë Shqiptare etnike në vend.


Por në Sllatinë, vetëm dhjetë kilometra larg Tetovës, banorët vendas mendojnë se ky dialog politik nuk do të bëjë asgjë për të zgjidhur problemet e rëndësishme sociale si papunësia.


"Politikanët Maqedonas nuk do të pranojnë kërkesat e Shqiptarëve për barazi," thotë Agimi, një i ri i papunë. "Dialogu i nisur nga presidenti duket thjesht si një mënyrë për të fituar kohë, për të ruajtur gjendjen e tanishme dhe për të mos ta zgjidhur kurrë atë".


Një nga inisiativat e pritura me dyshim është propozimi i presidentit Boris Trajkovski për krijimin e një sekretariati të përbashkët me synim caktimin e një ekipi ekspertësh në të gjitha fushat për të analizuar shqetësimet e Shqiptarëve etnik.


Një nga problemet është se Trajkovski dëshiron të zgjedhë vetë të gjithë anëtarët e komisionit.


"Kjo duket më tepër si ndërtimi i një labirinti me qëllim për të fituar kohë," thotë Selajdin Salihu, një shkrimtar nga Sllatina. "Nëse nuk do të zgjidhësh një problem atëherë krijon komisione. Kjo është logjika e tanishme dhe duhet ndryshuar me çdo kusht".


Problemet e Sllatinës janë evidente në kafenetë e mbushura me burra të papunë. Shifrat jo zyrtare thonë se meshkujt e papunë janë rreth 80 përqind.


"Tetova është kryesisht e banuar nga Shqiptarë, por pjesa më e madhe e atyre që janë punësuar në fabrikat shtetërore janë Maqedonas," thotë Xheviti, një shofer taksie. "Megjithëse disa mijëra banorë vendas janë të papunë autoritetet dërgojnë me autobusë punonjës Maqedonas nga Shkupi".


"çdo ditë, ka një rradhë të gjatë Shqiptarësh përpara zyrave të punës dhe që lexojnë njoftimet për punë në gazeta, ndërsa autobusë të shumtë kthejnë për në Shkup punëtorët Maqedonas".


Askush nuk e do luftën, thotë ai, por Shqiptarët po e humbasin shpresën dhe po përgatiten për më të keqen.


Atmosfera në fshatrat e sulmuara gjatë misioneve të forcave të sigurimit në fillim të muajit Prill është edhe më e rëndë. Në Poroj, banorët akuzojnë forcat e sigurimit se kanë përdorur forcë të panevojëshme.


Pasi forcat Maqedonase kanë hyrë në fshat më 6 Prill, banorët kanë paraqitur një protestë me shkrim disa organizatave vendase dhe ndërkombëtare.


Sipas ministrisë së brendëshme, ushtria ka kërkuar për armë dhe për luftëtarët e UCK-së, por banorët e Poroj thonë se ata kanë dëmtuar pronat e tyre dhe kanë rrahur burra, gra dhe fëmijë. Familja e Latif Tefik Ahmetit, i cili është arrestuar më 6 Prill, thonë se policia ka vendosur një pushkë automatike dhe një granatë dore në shtëpinë e tyre dhe e kanë përdorur këtë si një pretekst për të rrahur dhe dënuar të zotin e shtëpisë me 30 ditë burgim.


Sipas familjes Ahmeti, e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Abdilselam Jusuf Arsllanin, i cili ishte caktuar si përfaqësues i qeverisë për mbrojtjen civile të Poroj gjatë luftimeve.


Banorët e Porojt thonë se viktimat më të mëdha të këtyre kontrolleve kanë qenë tre anëtarë të familjes Asani të cilët janë shtruar për kurim në spital për disa ditë pasi kanë pasur kocka të thyera. Të gjithë janë liruar më pas pa u akuzuar për asgjë.


Nga rreth 35 njerëz të arrestuar në Poroj më 6 Prill, janë liruar të gjithë të nesërmen përveç katër prej tyre. Sipas zëdhënësit të ministrisë së brendëshme Stevo Pendarovski, ata janë akuzuar për mbajtje ilegale të armëve dhe eksplozivit.


Por disa ekspertë ligjorë thonë se forcat e sigurimit kanë ushtruar një forcë të panevojëshme. "Gjatë kontrolleve të kryera në fshatrat rreth Tetovës, policia Maqedonase ka ushtruar autoritetin e saj duke keqtrajtuar qytetarët dhe duke shkelur të drejtat dhe liritë bazë të njeriut," thotë avokatja Suzana Salihu nga Shkupi.


Duke pasur parasysh eksperiencën e tyre të fundit, banorët e Porojt nuk presin shumë nga qeveria. Shpresa më e madhe optimiste është që bisedimet e nivelit të lartë do të sjellin ndonjë avantazh për Shqiptarët, por Xhaviti mendon se drejtuesit politik të vendit nuk kanë edhe shumë kohë.


"Nëse procesi i dialogut zgjatet shumë," thotë ai, "ekziston rreziku për një konfrontim të ri por këtë herë me proporcione të paparashikueshme për popullsinë lokale".


Veton Latifi është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Africa
Frontline Updates
Support local journalists