Kosovarët Votojnë në Masë
Pengesat e momentit të fundit nuk mundën të shuajnë entuziasmin e votuesve në Kosovë.
Kosovarët Votojnë në Masë
Pengesat e momentit të fundit nuk mundën të shuajnë entuziasmin e votuesve në Kosovë.
Të shtunën herët në mëngjes, Mentori, një nxënës 15-vjeçar, kujdesej për dyqanin ushqimor të familjes së tij në qendër të Prishtinës. "Prindërit më kanë lënë mua këtu sot që të shkojnë të votojnë," thotë ai me krenari, "Po kështu ka ndodhur edhe në të gjithë dyqanet e tjerë të lagjes."
Të veshur me rrobat më të mira, banorët e Prishtinës qëndronin me durim në rradhët e gjata jashtë qendrave të votimit në qytet për të votuar në zgjedhjet e para të lira në historinë e Kosovës.
"Ne kemi dalë që herët në mëngjes për të përmbushur detyrën tonë si qytetarë," thotë Dritoni, një tregtar 31-vjeçar, i cili kishte ardhur me gjithë bashkëshorten e tij për të votuar në shkollën e mesme "Faik Konica" në qendër të Prishtinës.
Pjesëmarrja e votuesve në zgjedhje ka qenë tepër e madhe - afërsisht 85 përqind - gjë të cilën Daan Everts, drejtuesi i Organizatës për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, e ka përshkruar si një testament për suksesin e procesit elektoral të organizuar nga organizata që ai drejton.
Drejtori për zgjedhjet i OSBE-së Xhef Fisher tha se pjesëmarrja tepër e lartë në orët e para të mëngjesit krijoi disa probleme administrative. Hyrjet në disa qendra votimi, veçanërisht në Drenicë, në Kosovën qendrore, u bllokuan nga votuesit e shumtë.
Por brenda qendrave të votimit procedura ka qenë e organizuar mirë. "Unë prita për një orë jashtë, por kur hyra brenda mbarova punë shpejt," thotë Dritoni.
"Jam shumë i lumtur që po votoj në atdheun tim të lirë. Ndjehem shumë mirë," thotë ai duke shprehur një ndjenjë gëzimi që ka qenë e pranishme në të gjithë provincën.
Më herët këtë javë, gazeta e përditshme më e madhe në Kosovë, Koha Ditore, citoi burime të brendshme të OSBE-së të kenë thënë se ishin bërë gabime të shumta në procesin e regjistrimit dhe zgjedhjet do të ishin një katastrofë.
Megjithëse ka pasur raste kur mungonin emra zgjedhësish nëpër lista, pjesa më e madhe e problemeve u arrit të shmangeshin.
Kur Blerim Raçi, një mësues nga Prishtina, shkoi për të votuar, ai nuk mundi të gjejë emrin e tij në listë. "Ata më futën në një dhomë tjetër, ndërsa kërkonin në bazën e të dhënave," thotë ai. Mesa duket emri i tij u gjend dhe ai u lejua të votonte.
As bashkëshortja e drejtuesit të moderuar të Lidhjes Demokratike të Kosovës Ibrahim Rugova nuk mundi të gjente emrin e saj në listë.
Ankesa më e madhe për sa i përket procesit të zgjedhjeve ka qenë për numrin e vogël të qendrave të votimit, gjë e cila çoi edhe në krijimin e rradhëve të mëdha përpara qendrave të votimit. Shkolla e Mesme Teknike në Prishtinë ka pasur aq shumë zgjedhës saqë procesi i votimit ka vazhduar edhe pas orës 19.00 të vendosur si afati i fundit nga OSBE-ja.
Zyrtarët e OSBE-së kanë transmetuar në radio mesazhe ku siguronin njerëzit se të gjithë ata që ndodheshin në rradhë përpara qendrave të votimit do të lejoheshin të votonin, por disa qendra votimi në Prishtinë u mbyllën në orën 19.00 duke detyruar disa votues që kishin pritur në rradhë për orë të tëra të mos votonin.
Flamujt shqiptarë u vendosën në qendrat e votimit dhe në dyert e tyre pavarësisht nga një vendim i marrë nga OSBE-ja për të mos lejuar vendosjen e simboleve nacionale. Organizata e anulloi këtë vendim në momentin e fundit pas paralajmërimeve të drejtuesve shqiptarë se kjo mund të shkaktonte dhunë të panevojshme dhe një vendimi të KFOR-it për të mos ndërhyrë për të hequr flamujt.
"Unë nuk dëshiroj keqkuptime. Unë nuk dua që njerëzit të mendojnë se ne po përkrahim njërën palë," tha Everts. "Por unë gjithashtu e kuptoj se kjo është një ngjarje e rëndësishme e historike dhe gjërat simbolike duhet të kenë vendin e tyre gjatë ngjarjeve historike."
Shqiptarët e mirëpritën këtë vendim, megjithëse disa njerëz thonin se nuk ka rëndësi se çfarë flamuri vendosej, mjaft që të mos ishte ai jugosllav.
"Zgjedhjet janë më të rëndësishme se prania e flamurit," thotë votuesi Vesel Fejzullahu. "Nuk ka flamuj jugosllavë - kjo është e rëndësishme."
Publiku i konsideron zgjedhjet lokale si një hap të madh drejt demokracisë dhe pavarësisë.
Pas përfundimit të votimit, Everts dhe të gjithë drejtuesit e rëndësishëm politikë thanë se Kosova kishte kaluar me sukses testin e saj të parë të demokracisë. Everts vlerësoi atmosferën "festive", e cila mbizotëroi në Kosovë gjatë votimeve.
Veton Surroi, botuesi i Koha Ditore dhe analist politik i pavarur, i ka përshkruar zgjedhjet si zgjedhjet më të suksesshme në të gjithë Ballkanin.
Bernar Kushner, francezi emocional në krye të Misionit të Kombeve të Bashkuara, tha se zgjedhjet e bënë atë të ndjehej krenar. "Unë uroj drejtuesit tuaj për një fushatë politike pa dhunë. Askush nuk e besonte këtë, por ju e bëtë," tha ai.
Kushner dhe Everts e kaluan ditën e zgjedhjeve duke udhëtuar nëpër Kosovë, ku vizituan qendra votimi në zonat e banuara nga pakicat joshqiptare. Atmosfera, sipas tyre, ka qenë e njëjtë - "festive".
Pakicat turke dhe myslimane votuan në një përqindje të madhe. Vetëm pakica serbe nuk mori pjesë - pjesa më e madhe e tyre nuk votoi fare.
Agon Maliqi është student i shkollës së mesme në Prishtinë.