Shtohet Presioni për Fillimin e Bisedimeve për Paqe në Maqedoni

Autoritetet Maqedonase duket se janë të gatëshme për të marrë para sysh një numër kërkesash të rëndësishme politike të Shqiptarëve

Shtohet Presioni për Fillimin e Bisedimeve për Paqe në Maqedoni

Autoritetet Maqedonase duket se janë të gatëshme për të marrë para sysh një numër kërkesash të rëndësishme politike të Shqiptarëve

Forcat Maqedonase të sigurimit po luftojnë ndaj ekstremistëve Shqiptarë përgjatë kufirit verior të vendit, pasi i kanë detyruar ata të tërhiqen nga kodrat rreth Tetovës.


Ushtria nisi ofensivën e saj ushtarake më 28 Mars në një zonë përreth fshatrave Graçan, Brest, Malinë e Vogël dhe Grusinë, duke shkaktuar përsëri largimin e partive Shqiptare të opozitës nga parlamenti.


Ndërsa nuk ka shenja për përfundimin e luftimeve, ekziston një nevojë urgjente për fillimin e bisedimeve zyrtare ndërmjet përfaqësuesve të Shqiptarëve etnik dhe qeverisë Maqedonase. Presioni ndërkombëtar për fillimin e këtyre bisedimeve po shtohet nga dita në ditë.


Ekziston frika se ekstremistët mund të përforcojnë pozitat e tyre nëse nuk nisin bisedimet.


Arbër Xhaferri, drejtues i partisë Shqiptare pjesëmarrëse në koalicionin qeveritar, Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, ka thënë më 27 Mars se ai ka vetëm një muaj kohë për të bindur elektoratin e tij se kërkesat e Shqiptarëve mund të zgjidhen nëpërmjet procesit demokratik politik. Ekzistojnë zëra të shumtë në shtyp se Havier Solana, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për çështjet e sigurimit dhe politikës së jashtëme, mund të ndërmjetësojë në bisedimet ndërmjet dy komuniteteve.


Shtypi në gjuhën Maqedonase nuk është treguar entuziast për mundësinë e përzgjedhjes së Solanës si ndërmjetës, sepse për shkak se Solana ka kërkuar pak kohë më parë një ndryshim të kushtetutës, kjo gjë e bën atë një ndërmjetës të njëanëshëm.


Nëse dhe kur të fillojnë bisedimet, ato ka mundësi të përqëndrohen në katër çështje kryesore. Kërkesa e parë e Shqiptarëve është që ata të mos konsiderohen më një pakicë por një komb në kushtetutë. Ata thonë se statusi i tanishëm i tyre është një nga fillesat e diskriminimit të komunitetit të tyre.


Shqiptarët kanë kundërshtuar prej kohësh rregjistrimin e popullsisë së vitit 1994, sipas të cilit ata përbëjnë 23 përqind të popullsisë. Disa vëzhgues ndërkombëtarë thonë se rregjistrimi i ardhëshëm i popullsisë i planifikuar për në muajin Maj do të tregojë që kjo shifër është rreth dhjetë përqind më e madhe, duke përforcuar kështu kërkesat e komunitetit Shqiptar.


Jo vetëm Shqiptarët, por edhe zyrtarë ndërkombëtarë kanë kërkuar ndryshimin e fjalëve në kushtetutë, por ata do të donin që Maqedonia të përshkruhej si një shtet demokratik, pluralist, i ndërtuar mbi nënshtetësinë, duke shmangur kështu nevojën për termasi etnik apo komb.


Kërkesa e dytë e Shqiptarëve është që gjuha e tyre të bëhet gjuhë zyrtare - diçka që shumë Maqedonas etnik nuk e pranojnë. Për momentin, një status i tillë mund të jepet vetëm bashkive ku Shqiptarët etnik përbëjnë një përqindje të madhe të popullsisë.


Kërkesa e tretë e Shqiptarëve është për një shkallë më të gjerë autonomie. Ata kërkojnë që bashkitë e tyre të kenë më shumë pushtet dhe një pjesë më të madhe të të ardhurave nga taksat për të zbatuar vendimet e marra.


Maqedonasit duket se janë të gatshëm të plotësojnë këtë kërkesë dhe tashmë kanë filluar përgatitjet për përmirësimin e legjislacionit. Parlamenti po mendon për një rishikim të legjislacionit të vetë-qeverisjes lokale.


Projekt ligji, i cili mbështetet edhe nga Këshilli i Europës, ofron mundësinë për një decentralizim të madh të pushtetit dhe për menaxhimin e pavarur të buxhetit në nivel bashkiak.


"Ne duhet të mendojmë për rrugë në të cilat pushteti i qeverisë të decentralizohet dhe pushteti lokal të forcohet," ka thënë kohët e fundit Presidenti Trajkovski.


Kërkesa e katërt e Shqiptarëve është që anëtarë të komunitetit Shqiptar të përfaqësohen më mirë në institucionet shtetërore.


Gjatë viteve të fundit është vënë re një progres në këtë drejtim. Në vitin 1993, vetëm tre përqind e gjithë punonjësve publik kanë qenë Shqiptarë. Nëpërmjet disa reformave dhe vendosjes së një kuote të detyrushme, kjo shifër është rritur në dhjetë përqind.


Përfaqësimi relativisht i ulët në shërbimet shtetërore nuk është vetëm për shkak të diskriminimit, por edhe për shkak të mungesës së kandidatëve Shqiptarë të kualifikuar. Për këtë arësye pritet që bisedimet të përfshijnë edhe një pikë për trajnimin profesional të komunitetit Shqiptar.


Të katër kërkesat janë të lidhura me njohjen e Shqiptarëve si të barabartë me Maqedonasit etnik dhe me pjesëmarrjen efektive të Shqiptarëve në procesin vendim marrës në të gjitha nivelet e shoqërisë.


Përmbushja në një shkallë të madhe e këtyre kërkesave do të luajë me siguri një rol të rëndësishëm në parandalimin e konflikteve, veçanërisht nëse bisedimet nisin në një periudhë të afërt kohe përpara se dy komunitetet të polarizohen edhe më tepër.


Meqënëse Maqedonia vuan nga një mungesë stabiliteti politik, do të jetë ndoshta e rëndësishme që të gjitha partitë e mëdha të zgjedhura demokratikisht të përfshihen në këto bisedime, me qëllim që të sigurohet një mbështetje e sigurtë për çdo vendim që mund të merret.


Karina Johansen është një studiuese e shkencave politike e vendosur në Shkup.


Frontline Updates
Support local journalists