Instensifikohet Gjuetia për Karaxhiqin dhe Mladiqin

Tani që Sllobodan Millosheviq është në pranga në Sheveningen, Haga ka shtuar përpjekjet e saj për të kapur edhe ish drejtuesit e Serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.

Instensifikohet Gjuetia për Karaxhiqin dhe Mladiqin

Tani që Sllobodan Millosheviq është në pranga në Sheveningen, Haga ka shtuar përpjekjet e saj për të kapur edhe ish drejtuesit e Serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq.

Drejtuesit e Republika Srpska, RS, janë vendosur nën një presion gjithnjë e më të madh për të ekstraduar të dyshuarit për krime lufte të entitetit. Megjithatë, një gjë e tillë, do të shkaktojë një furtunë zemërimi në gjysmën Serbe të Bosnjes. Kjo është edhe arësyeja që mladen Ivaniq, kryeministri i RS, duhet të negociojë me kujdes përpara se të dërgojë në Hagë ish presidentin Radovan Karaxhiq dhe Gjeneralin Ratko Mladiq.


Gjatë një vizite në Hagë më parë këtë muaj, Ivaniq ka thënë se qeveria e tij kishte aprovuar një ligj të ri mbi bashkëpunimin me gjykatën. Ai ka thënë se sapo ligji i propozuar të miratohej nga parlamenti në Banja Luka, mund të ndodhin edhe arrestimet dhe deportimet. Ministrja e drejtësisë e RS, Biljana Mariq, ka thënë se ligji, ku përfshihen pjesa më e madhe e kërkesave të gjykatës, mund të diskutohet në parlament në sesionin e ardhëshëm të tij.


Ivaniq tanimë ndodhet nën një presion tepër të madh nga Perëndimi për të ndjekur shembullin e Serbisë dhe për të dërguar në gjykatë të dyshuarit për krime lufte. Por ai do të duhet të jetë i kujdesëshëm. Ekstradimi i Millosheviqit nga ana e qeverisë Serbe ka shkaktuar zemërim në rradhët e Serbëve të thjeshtë në Bosnje. Të mësuar nga një propagandë prej shumë vjetësh, Serbët e Bosnjes ende i konsiderojnë ish drejtuesit e tyre si heronj dhe nuk pranojnë të besojnë se në emër të tyre janë kryer krime lufte.


RS është vendi i fundit i sigurtë në ish Jugosllavi për njerëz të cilët kërkohen për krime të kryera gjatë luftës në Bosnje. Por edhe ata politikanë të cilët mendojnë se Karaxhiq dhe Mlladiq do të përfundojnë në Hagë, do të parapëlqenin që ata të arrestoheshin nga trupat e NATO-s. Megjithatë, komandantët e forcave aleate nuk dëshirojnë të rrezikojnë viktima në rradhët e tyre duke dashur të çajnë mbrojtjen e njerëzve të armatosur rëndë të Karaxhiqit dhe Mladiqit.


Bisedat e lira në rrugët e RS-së tregojnë se sa thellë është krijuar besimi se Haga po merret vetëm me krimet e kryera nga Serbët duke injoruar ato të kryera nga Kroatët dhe Boshnjakët.


"Unë mendoj se Haga është krijuar vetëm për të gjykuar popullin Serb," thotë Jelena, një studente në universitetin e Banja Lukës. "Presidentët e shteteve të tjera nuk janë akuzuar. Për këtë arësye autoritetet tona nuk duhet të bashkëpunojnë me gjykatën, dhe nuk duhet të arrestojnë Karaxhiqin dhe Mladiqin apo të tjerë njerëz të cilët figurojnë në listën e personave të kërkuar. Vendimi i autoriteteve Serbe për të ekstraduar Millosheviqin ka qenë krejtësisht i papranueshëm".


Marrëveshja e Dejtonit, e cila i ka dhënë fund luftës në Bosnje, i ka detyruar nënshkruesit të bashkëpunojnë me gykatën. RS është një nga palët nënshkruese. Megjithatë, menjëherë pasi njerëzit morrën vesh se kush ishte në listën e personave të kërkuar si kriminelë, Partia Demokratike Serbe, atëherë në pushtet, e cila është krijuar nga Karaxhiq, refuzoi të bashkëpunonte me gjykatën.


SDS thoshte se gjykata është një institucion politik anti-Serb dhe jo një organizëm ligjor. Falë dominimit të saj në media, administrata e SDS-së bindi opinionin publik se akuzat ndaj Karaxhiqit dhe Mladiqit përbënin një sulm ndaj të gjithë popullit Serb.


Kur në muajin Maj 1996, OSBE-ja nuk lejoi personat emrat e të cilëve figuronin në listën e të akuzuarve nga Haga të merrnin pjesë në zgjedhje, në qytetet kryesore të RS-së pati demonstrata të fuqishme. Që nga Prijedor në perëndim deri në Trebinje në lindje, demonstruesit mbanin në duar fotot e Karaxhiqit, dhe thërrisnin: "Ne nuk do ta dorëzojmë Radovanin" dhe "Karaxhiqi jemi të gjithë ne".


Pas zgjedhjeve të vitit 1996, kryeministri i ri Milorad Dodik vazhdoi politikën e mos bashkëpunimit me Hagën, por ndryshoi në një farë mase retorikën. Ndërsa lejpi zhvillimin e kontakteve të herëpasherëshme me hetuesit e gjykatës, ai nuk përmendi asnjë herë mundësinë e një ligji për bashkëpunim gjatë tre vjetëve që qëndroi në postin e kryeministrit. Po ashtu, asnjë person i dyshuar për krime lufte nuk u arrestua. Në disa raste u lejuan disa Serbë të shkonin për të dëshmuar si dëshmitarë në gjyqe.


Përgjegjësia për arrestimet iu la forcave të NATO-s. por politikanët ankoheshin me të madhe kur trupat e Aleancës arrinin të ndalonin ndonjë të dyshuar. Fillimisht, çdo arrestim pasohej nga protesta dhe demonstrata, por më pas ato u qetësuan.


Kur pas zgjedhjeve të Nëntorit të kaluar, SDS-ja rierdhi në pushtet, ishte e qartë se komuniteti ndërkombëtar do të shtonte përpjekjet e tij për të siguruar që RS të bashkëpunonte me Hagën. Drejtuesit e SDS-së e kanë pranuar parimin e bashkëpunimit në një dokument që nënshkruan me përfaqësuesin e lartë për Bosnjen, Volfgang Petriç.


Kryeprokurorja e Hagës, Karla Del Ponte e ka shtuar presionin e saj gjatë një vizite në Banja Luka në fillim të muajit Mars të këtij viti. Ajo i ka thënë Kryeministrit Ivaniq se ajo kërkonte që Karaxhiq dhe Mlladiq të arrestoheshin menjëherë - dhe dhe se nuk do të mjaftohej me premtimet e dhëna për një gjë të tillë.


Në Prill, Sinisha Gjorgjeviq, këshilltari ligjor i Ivaniqit, ka njoftuar se RS po mendonte të miratonte një ligj për marrëdhëniet me Gjykatën e Hagës. Pritet që parlamenti ta diskutojë këtë ligj nga fundi i muajit Korrik.


Prokurorët dhe zyrtarët ndërkombëtar të Hagës kanë akuzuar qeverinë e RS se po bllokon procesin. "Autoritetet e RS-së nuk kanë nevojë për ligje të reja për të arrestuar dhe ekstraduar në gjykatë cilindo për të cilin rëndon një akuzë, sepse kjo çështje është vendosur në Marrëveshjen e Dejtonit," ka thënë Petriç.


Edhe nëse parlamenti e miraton këtë ligj, zbatimi i tij do të jetë diçka e vështirë. Ivaniq thotë se gjykata duhet të lëshojë akuza edhe ndaj drejtuesve Kroatë dhe Boshnjak, nëse do ti kërkohet RS-së të dorëzojë njerëzit e saj.


Ivaniq dhe Mirko Saroviq, presidenti i RS-së, thotë se asnjë i dyshuar për krime lufte nuk jeton më brenda entitetit. Por edhe nëse Mladiq qëndron ndonjëherë në Beograd, dihet me siguri se Karaxhiq që prej vitit 1996 qëndron i fshehur në malet e pjesës lindore të RS. Dihet gjithashtu se ai ruhet nga rreth 100 anëtarë të stërvitur mirë të forcave speciale të RS-së të cilët kanë qenë besnik të tij që gjatë luftës.


Së bashku me Karaxhiq dhe Mlladiq, edhe rreth 37 persona të tjerë të dyshuar për krime lufte janë ende të lirë. Shumë prej tyre jetojnë qetësisht në pjesën lindore të republikës. Për ta nuk ka ndryshuar shumë, edhe tani që Millosheviqi është në Hagë dhe dy drejtues të Serbëve të Bosnjes në kohën e luftës, Biljana Plavshiq dhe Momçillo Krajishnik, po presin atje për t'u gjykuar.


Disa mendojnë se autoritetet e RS-së nuk dëshirojnë të dorëzojnë Kraxhiqin dhe Mladiqin sepse ata kanë frikë se edhe disa prej vetë atyre do të implikohen në krimet e kryera. Por pengesa më e madhe është se shumë Serbë të Bosnjes e konsiderojnë Hagën si një dënim jo vetëm për individët por edhe për politikat që çuan në spastrimin etnik, kampet e përqëndrimit, bastisjet, vrasjet dhe përdhunimet - politika këto të cilat janë mbështetur publikisht nga ata në atë kohë.


Gordana Katana është korrespondente e së përditëshmes së Sarajevos, Oslobogjenje në Banja Luka.


Frontline Updates
Support local journalists