KORRUPSIONI LARGON INVESTITORËT NGA RUMANIA

Bizneset e huaja do të mendohen shumë përpara se të investojnë në vend përderisa Bukureshti të marrë masa për luftimin e korrupsionit.

KORRUPSIONI LARGON INVESTITORËT NGA RUMANIA

Bizneset e huaja do të mendohen shumë përpara se të investojnë në vend përderisa Bukureshti të marrë masa për luftimin e korrupsionit.

Rumania duket se do ta ketë të vështirë të thithë investimet e huaja nëse qeveria nuk ndërmerr hapa urgjente për të luftuar korrupsionin.


Kritikat ndërkombëtare ndaj Rumanisë janë shtuar kohët e fundit. Një raport i Bankës Botërore në shtator ka theksuar se korrupsioni dhe problemet ligjore dhe juridike janë pengesat më të mëdha për rritjen ekonomike të Rumanisë.


“Rumania është një vend me shumë probleme dhe veçanërisht me një nivel të lartë korrupsioni,” ka thënë për IWPR, Varrick Smith, autori kryesor i Raportit të Zhvillimit Botëror për vitin 2005.


“Ne e kemi nxitur vazhdimisht Bukureshtin të ndërmarrë masa drastike për të zgjidhur këtë problem në mënyrë që vendi të krijojë një klimë më të mirë për investimet,” ka shtuar ai. “Qeveria duhet gjithashtu të pakësojë ndërhyrjen e saj në ekonomi”.


Sipas një raporti të Bankës Botërore, 34.9 përqind e investitorëve vendas dhe të huaj e shohin korrupsionin si pengesën më të madhe për biznesin e tyre dhe rreth 4.7 përqind e fitimeve të kompanive shkojnë për të paguar rrushfete “për të mbaruar punë”. Rreth 225 kompani lokale dhe të huaja kanë marrë pjesë në këtë studim.


Banka Botërore nuk është i vetmi organizëm i cili ka kritikuar kohët e fundit Rumaninë për ekzistencën e një ambjenti të korruptuar.


Indeksi i Korrupsionit i Transparencës Ndërkombëtare, për vitin 2004, i publikuar më 20 tetor, e ka vendosur Rumaninë të fundit në listën e 29 vendeve evropiane të cilat janë anëtare të BE-së apo kanë bërë kërkesë për anëtarësim (përfshirë Turqinë, Kroacinë, Bullgarinë dhe Rumaninë).


Korrupsioni përmendet gjithashtu si një shqetësim i madh edhe në raportin më të fundit të përgatitur nga Komisioni Evropian. Rumania synon anëtarësimin në BE deri në vitin 2007.


Shqetësimet për korrupsionin në Rumani kanë qenë një arësye që Brukseli ka ngulur këmbë për të shtuar një “pikë sigurie” në traktatin e anëtarësimit, sipas së cilës anëtarësimi i një vendi mund të shtyhet për një vit nëse ai nuk përmbush premtimet e tij.


Autoritetet rumune mbeten optimiste.


Negociatori kryesor i vendit me BE-në, Vasile Puscas, ka thënë pak kohë më parë për mediat se “Ne kemi besim se do të jemi të gatshëm për anëtarësim në vitin 2007”.


Puscas ka shtuar se ai ishte i sigurtë që Rumania do të mbyllë kapitujt e mbetur për drejtësinë, punët e brendëshme, dhe konkurrencën deri në fund të vitit, siç kërkohet nga BE, me qëllim që të nënshkruhet traktati i anëtarësimit në mesin e parë të vitit 2005.


Negociatori me BE ka pranuar se shqetësimet e KE “na shqetësojnë të gjithëve” por ka thënë se “Ne po përpiqemi me të gjitha forcat të luftojmë korrupsionin nga lartë deri në nivelet e ulta dhe pak kohë më parë kemi krijuar Zyrën e Prokurorisë Kombëtare Anti Korrupsion e cila e kupton mirë rëndësinë e kësaj çështjeje”.


Puscas ka pranuar se nëse kjo çështje nuk zgjidhet, Rumania do të ketë probleme për të tërhequr investime të huaja.


Bukureshti nuk është qeveria e vetme e cila përballet me problemin e indiferencës së investitorëve të huaj. Vendet fqinje të Evropës Lindore të cilat janë anëtarësuar kohët e fundit në BE kanë të njëjtin problem.


Sipas Indeksit të Investimeve Direkte të Huaja, investitorët ndërkombëtarë kanë shprehur më pak interes për tregjet e anëtarëve të rinj të BE-së këtë vit, krahasuar me vitin e kaluar.


Anketimi i përvitshëm i drejtuesve të biznesit nga kompanitë më të mëdha në botë është kryer nga firma amerikane e konsulencës A T Kearny dhe është botuar në mesin e muajit tetor.


Krahasuar me vitin e kaluar, Polonia ka rënë nga vendi i katërt në atë të dymbëdhjetë ndërsa Hungaria nga vendi i shtatëmbëdhjetë në atë të nëntëmbëdhjetë në listën e vendeve më tërheqëse për investime.


67 përqind e investitorëve ndërkombëtarë kanë përmendur infrastrukturën e dobët dhe 60 përqind korrupsionin si rreziqet më të mëdha për konkurrencën e dhjetë vendeve të reja anëtare të BE-së.


Nga ana e saj, Raporti i Zhvillimit të Bankës Botërore për vitin 2005 ka theksuar pengesa të tjera të cilat kanë ngadalësuar investimet e huaja në Rumani.


Ndër to janë mungesa e sigurisë për politikën ekonomike, konfuzioni mbi rregullat e biznesit dhe mungesa e besimit në aftësinë e gjykatave për të zgjidhur problemet e pronësisë.


Të marra së bashku, këta faktorë kanë kontribuar në pakësimin e investimeve, thuhet në raportin e bankës.


Në ndryshim nga vitet e tjera, raporti i Bankës Botërore për vitin 2005, përmban edhe rekomandime për të krijuar një klimë më të mirë investimesh.


Banka i ka kërkuar Rumanisë të zbatojë një politikë ekonomike më aktive për të tërhequr investitorë të huaj. “Përmirësimi i parashikimit të politikave mund të shtojë rreth 30 përqind mundësinë e tërheqjes së investimeve të reja,” thuhet në raport.


“Qeveritë do të mund të shmangin mungesën e besimit dhe të tërheqin investime të huaja duke pakësuar kostot dhe korrupsionin dhe duke inkurajuar konkurrencën,” ka thënë për IWPR, Francois Bourguigon, zëvendës president i Bankës Botërore.


George Melloan, zëvendës redaktor i Ëall Street Journal, pranon se një kombinim i disa masave është i nevojshëm për tërheqjen e investimeve të huaja.


“Një vend i cili dëshiron të tërheqë investime duhet të bëjë përpjekje për të përmirësuar klimën për bizneset, si për shembull të ndjekë politika të arësyeshme taksimi dhe të ruajë monedhën e vendit, hapa këto të cilat shpesh kërkojnë shkurtime të buxhetit,” ka thënë ai për IWPR.


Melloan ka shtuar se kompanitë amerikane, marrin vendime për investimet bazuar në disa faktorë të rëndësishëm, si kostoja e prodhimit dhe afërsia me tregjet e rëndësishme: “Rumania mund të bëhet një vend tërheqës nëse pakëson taksat dhe tatimet për prodhuesit dhe hap tregjet për konkurrencën dhe tregtinë e lirë”.


Rumania megjithatë nuk ka treguar ndonjë shenjë se po ndjek politika të tilla, dhe si pasojë ka tërhequr shumë pak investitorë amerikan gjatë dekadës së fundit.


Sipas Agjensisë Rumune për Investimet e Huaja, vetëm 3.9 përqind e firmave të huaja janë amerikane.


Banka Botërore në raportin e saj ka përmendur gjithashtu se rritja dhe forcimi i medias së pavarur në Rumani ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftën ndaj korrupsionit.


“Gazetat shpesh kanë bërë publike parregullsi dhe praktika korruptive, pavarësisht disa presioneve të cilat janë ushtruar ndaj gazetarëve të cilët hetojnë këto çështje,” thuhet në raport.


Daniela Tuchel punon për gazetën Libertatea me qendër në Bukuresht.


Frontline Updates
Support local journalists