BOSNJE: SHTETI QË NUK FUNKSIONON

Dobësia e vazhdueshme e shtetit të Bosnjes duket se është pengesa më e madhe në rrugën për në Evropë.

BOSNJE: SHTETI QË NUK FUNKSIONON

Dobësia e vazhdueshme e shtetit të Bosnjes duket se është pengesa më e madhe në rrugën për në Evropë.

Monday, 21 February, 2005

Ndonjë turist i rrallë i cili shëtit nëpër rrugët e kryeqytetit të Bosnje Herzegovinës, Sarajevë, mund të falet nëse mendon se ky vend ballkanik është në prag të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.


Një shëtitje me tramvajin e sponsorizuar nga BE në qendër të qytetit do ta kalonte atë pranë tabelave të mëdha të cilat reklamojnë aktivitetet e BE-së dhe agjensitë e tij në Bosnje dhe prosperiteti që rrjedh nga qenia anëtar i këtij klubi prestigjioz vendesh.


Por pas këtyre tabelave, shihen ndërtesa të shkatërruara nga lufta, pensionistë të cilët kërkojnë nëpër kazanet e plehrave për gazetat e një dite më parë dhe edhe ndonjë ushqim, dhe të pastrehë e invalidë lufte të cilët lypin nëpër rrugë.


Pamje të tilla bëjnë edhe turistin më moskokcarës të kuptojë se BE mbetet një ëndërr e largët për këtë vend të shkatërruar nga lufta. Pavarësisht se konflikti ka përfunduar tetë vjet më parë, Bosnja sapo e ka nisur rrugën e vështirë drejt integrimit në BE.


SHTETE BRENDA SHTETIT


Bosnja ka arritur një progress të ndjeshëm që prej fillimit të viteve nëntëdhjetë, kur imazhet e tmerrshme të një vendi të përfshirë nga konflikti i armatosur kanë mbushur ekranet e televizioneve në perëndim.


Marrëveshja e paqes e nënshkruar në Dayton, Ohio, në vitin 1995, i ka dhënë fund luftës e cila ka zgjatur për tre vjet e gjysëm. Marrëveshja e ndau ish republikën jugosllave në dy pjesë, Federata dhe Republika Srpska, secila me qeverinë e saj, institucione dhe sistemin e saj ligjor. Një Përfaqësues i Lartë i emëruar nga komuniteti ndërkombëtar është vendosur në vend për të mbikqyrur procesin e paqes.


Por ndërsa marrëveshja e plotësoi qëllimin e saj - për ti dhënë fund luftës - është bërë më se e qartë se institucionet qendrore në vend, të cilat mund të flasin në emër të të dyja entiteteve, duhet të forcohen nëse Bosnja dëshiron të realizojë ambicjen e saj për tu pranuar në programin Partneritet për Paqe të NATO-s, dhe në BE.


Në vitin 2000, një 'plan veprimi" për BE ka identifikuar tetëmbëdhjetë hapa të cilat duhet të ndërmerren nga Bosnja përpara se të fillojnë bisedimet për një marrëveshje asocimi dhe stabilizimi me Brukselin.


Në shtator të vitit 2002, pjesa më e madhe e këtyre hapave ishin kryer, megjithëse shumë prej tyre ishin arritur vetëm me ndërhyrjen direkte të komunitetit ndërkombëtar nëpërmjet Përfaqësuesit të Lartë.


Në vitin 2003, BE dhe programi Partneritet për Paqe i NATO-s kanë shprehur gadishmërinë e tyre për të pranuar së shpejti Bosnjen në gjirin e tyre - por jo deri sa vendi të ketë nisur reforma rrënjësore të cilat do të tregojnë se vendi është i bashkuar dhe i gatshëm të flasë me një zë të përbashkët.


Megjithatë, kjo mbetet ende e vështirë, për sa kohë që të dy entitetet vazhdojnë axhendat e tyre për të mbrojtur interesat e tyer etnike. Në të vërtetë, institucionet locale të entitetit vazhdojnë të mbizotërojnë ndaj institucineve qendrore të dobta dhe kryesisht të lëna pas dore.


Komuniteti ndërkombëtar (dhe disa polikianë local) kanë frikë se sistemi i tanishëm administrativ i Bosnjes është shumë kompleks dhe i pakontrollueshëm dhe nuk mund të cojë vendin drejt anëtarësimit në BE.


Por dy entitetet kanë kundërshtuar thirrjet për të bërë ndryshime në kushtetutën e Dejtonit, vecanërisht Republika Srpska, e cila mbron me forcë të drejtën e saj për të mbrojtur territorin dhe pushtetin që ka fituar në kuadër të marrëveshjes së paqes së vitit 1995.


"Marrëveshja e Dejtonit është një ndër pengesat për funksionimin e shtetit në Bosnje Herzegovinë," ka thënë Doris Pack, drejtuesja e komisionit të Parlamentit Evropian për Europën Juglindore, për IWPR. "Ajo është bërë një pengesë për integrimin evropian".


"Shteti është ende tepër i dobët," pranon Markus Cox, një analist për Inisiativën Evropiane për Stabilitet. "Institucionet nuk tregojnë asnjë shenjë që të paktën të kuptojnë se cfarë problemesh kanë.


"Problemi praktik i drejtimit është ende një problem që kërkon zgjidhje. Askush nuk e di se kush është përgjegjës për këtë".


Dobësia e shtetit duket se është pengesa më e madhe në rrugën drejt integrimit evropian. Si analistët lokalë ashtu edhe zyrtarët ndërkombëtar janë të shqetësuar se pa një rishikim të marrëveshjes së Dejtonit, dyert e BE-së mund të mbyllen përgjithnjë për Bosnjen.


CFARË KËRKON EVROPA


Vështirësia për të plotësuar reformat është bërë më e dukëshme qëkur Komisioni Evropian ka vendosur vitin e kaluar të kryejë studimin e leverdisshmërisë për të vlerësuar gadishmërinë e Bosnjes për të hedhur hapin e rradhës drejt integrimit në BE.


Të gjithë e dinin se një përgjigje negative do të dëmtonte pozitat e politikanëve në të dyja krahët e ndarjes etnike - megjithëse në pakicë - të cilët janë të gatshëm të lënë më një anë ndarjet e tyre etnike në favor të progresit të përbashkët drejt integrimit në BE.


Për këtë arësye, përgjigja e dhënë nga studimi "Po, por" nuk përbën ndonjë surprizë.


Në raportin e Komisionit Evropian thuhet se ai shpreson të rekomandojë hapjen e bisedimeve për marrëveshjen e asocimit vitin e ardhëshëm "me kusht që Bosnja të arrijë progress të dukshëm në një sërë fushash të identifikuara si prioritare".


Një listë e reformave të propozuara prej 16 pikësh i është dorëzuar autoriteteve boshnjake.


Kërkesat e BE-së kanë të bëjnë me përmbushjen e detyrimeve ndërkombëtare ekzistuese, një qeverisje më të efektëshme, një administratë publike më të efektëshme, sigurimin e të drejtave të njeriut, reforma në sistemin gjyqësor, lufta kundër krimit të organizuar, një kontroll më i mirë i sistemit të azilit dhe migracionit, reforma e sistemit doganor dhe taksave, legjislacioni i buxhetit, prodhimi i statistikave të sakta, një politikë tregtare më konsistente, krijimi i një tregu të integruar të energjisë, krijimi i një hapësire të vetme ekonomike dhe reformimi i medias elektronike shtetërore.


Qeveria e ka pritur shumë mirë përgjigjen "Po, por" të evropës dhe pjesa më e madhe e mediave - e pasuar nga politikanët - kanë premtuar se "progresi domethënës" i kërkuar nga KE do të arrihej nga mesi i vitit 2004.


Drejtoria e Integrimit Evropian e qeverisë kka pargatitur një plan ambicioz, i cili parashikonte miratimin e 45 ligjeve të reja dhe 25 institucioneve për të siguruar zbatimin e reformave të kërkuara nga KE.


Pesë muaj pas përgatitjes së studimit të leverdishmërisë, komuniteti ndërkombëtar, analistët dhe media kanë filluar t'u bien këmbanave të alarmit.


Më 10 mars të këtij viti, Përfaqësuesi i Lartë, Paddy Ashdown, ka kritikuar ashpër partitë nacionaliste të cilat janë në pushtet në të dyja entitetet se po pengojnë reformat dhe ecjen e Bosnjes drejt integrimit evropian.


Autoritetet e Bosnje, ka thënë ai "nuk po përmbushin shumë nga afatet e caktuara nga vetë ata për fillimin e bisedimeve për marrëveshjen e asocimit," ka thënë ai.


"Asnjë prej 16 reformave nuk është zbatuar," ka qenë titulli i madh në revistën Slobodna Bosna.


Tarik Djodjiq, këshilltar ekonomik i Adnan Terziq, kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje Herzegovinës, i cili mbikqyr procesin e reformave nga Departamenti i Integrimit Evropian, thotë se ky vlerësim është i gabuar.


"Më secilën nga 16 reformat ne kemi bërë përparime," ka ngulur këmbë ai. "Ajo që ne po bëjmë tani nuk mund të gjykohet me shifra,"


Por një raporti i KE i 31 mars mbi progresin e procesit të reformave thotë se ndërsa është arritur një progres modest nga Bosnja, asnjë prej reformave nuk është plotësuar.


Michael Humphreys, drejtues i Delegacionit të Komisionit Evropian në Bosnje dhe Herzegovinë, ka përsëritur për IWPR se studimi nuk ka përcaktuar përfundimisht afatet për plotësimin e 16 pikave; ai vetëm ka kërkuar "progres domethënës" brenda një viti.


Ndërsa Humphreys, nuk ka dashur të japë një gjykim mbi progresin e Bosnjes, ai ka thënë se "reformat mund të ishin më të shpejta".


"Ende mbetet shumë për të bërë për të arritur një shtet efikas dhe funksional," ka thënë ai.


Megjithatë, zyra e Përfaqësuesit të Lartë, OHR, ka qenë më e hapur në shprehjen e pakënaqësisë së saj me progresin e ngadaltë të Bosnjes.


"Pikpamja e OHR, dhe ne do t'ja bëjmë të qartë atë KE, është se Bosnja nuk ka arritur progres të mjaftueshëm," ka thënë për IWPR, Julian Braithwaite, drejtor i zyrës së komunikimit në OHR.


FUSHAT PROBLEMATIKE


Megjithëse komuniteti ndërkombëtar dhe zyrtarët e qeverisë pranojnë se Bosnja ka arritur progres në disa fusha - ata citojnë reformat në sistemin gjyqësor, një ligj të ri për parandalimin e pastrimit të parave të pista dhe krijimin e Agjensisë Shtetërore për Informim dhe Mbrojte, SIPA - ende mbeten shumë probleme të pazgjidhura.


Njëri prej tyre është ligji për Shërbimin e Transmetimeve Radiotelevizive Publike, PBS. Stacioni televiziv qendror i Bosnjes është ende i ndarë në dy në nivel entitetesh, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar bashkimin e tij - dhe funksionimin e pavarur politikisht.


"Ne duhet të sigurojmë që PBS nuk do të përdoret kurrë më për të krijuar ndarje etnike," ka thënë Himphreys për IWPR.


Më 14 mars, OHR ka thënë se një projekt ligj për PBS është paraqitur në Këshillin e Ministrave por nuk ka qenë në nivelin e duhur. Ai nuk ka "arritur të bashkonte vërtetë shërbimin publik, infrastrukturën dhe programet e tij," është ankuar OHR, duke i kërkuar Këshillit të Ministrave të mos miratojë legjislacionin e propozuar.


Një tjetër pengesë serioze e cila vështirë se mund të zgjidhet përpara përfundimit të vitit është vendosja e bashkëpunimit të plotë me gjykatën e Hagës.


Gjykata kërkon mbi të gjitha arrestimin dhe dorëzimin e dy të akuzuarve kryesorë për krime lufte, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, si edhe akses të plotë në dokumentacionin në lidhje me ta dhe të dyshuar të tjerë.


Megjithatë, Republika Srpska - ku dy të kërkuarit vazhdojnë të konsiderohen si heronj - ka treguar pak vullnet për të zgjidhur këtë problem përvec disa deklaratave të paqarta. Presioni i madh ndërkombëtar ndaj entitetit për arrestimin e Karaxhiq dhe Mlladiq - respektivisht ish drejtuesi politik dhe ushtarak i serbëve të Bosnjes - dhe hapjen e arkivave të saj për prokurorët e gjykatës - nuk ka dhënë rezultat.


Informacioni më i fundit në raportin e Departamentit të Integrimit Evropian për progresin e Bosnjes i paraqitur më 16 mars, ka theksuar se afati më i fundit për nxjerrjen e kriminelëve të luftës para drejtësisë kishte përfunduar më 1 janar.


CFARË DUAN NJERËZIT?


Pjesa më e madhe e qytetarëve të Bosnjes do të dëshironin të gëzonin prosperitetin që premton të sjellë anëtarësimi në BE. Megjithatë, një anketim i kryer së fundi nga agjensia Prizma me qendër në Kroaci për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara në Bosnje, PNUD, tregon se anëtarësimi nuk përbën një prioritet për asnjë nga tre grupet etnike të cilat përbëjnë vendin.


Në Republika Srpska, vecanërisht, shumë njerëz kundërshtojnë me forcë sakrifikimin e pavarësisë së entitetit në interes të integrimit evropian. "Ideja e popullit serb që Republika Serbe nuk duhet të shkatërrohet duhet të respektohet," ka thënë presidenti i Republika Srpska, Dragan Caviq, në muajin shkurt, "sepse nëse nuk ka të ardhme për Republika Srpska, nuk do të ketë të ardhme as për Bosnje Herzegovinën".


Megjithatë Caviq ka shtuar se "Nëse ne dëshirojmë të ruajmë Republika Srpska, nuk duhet të lejojmë që të jemi fajtorë për mosfunksionimin e Bosnje Herzegovinës".


Serbët e Bosnjes nuk janë të vetmit fajtorë për "mosfunksionimin" e shtetit. Ndërsa boshnjakët dhe kroatët e Bosnjes shpesh duken më në favor të integrimit dhe ndërmarrjes së reformave kushtetuese të cilat mund të shpejtojnë integrimin, edhe partitë e tyre veprojnë hera herës duke penguar po aq sa edhe kolegët e tyre serbë të Bosnjes.


Në fillim të marsit, për shembull, Ashdown ka akuzuar partinë më të madhe boshnjake, Partia për Veprim Demokratik, SDA, se po pengon procesin e transferimit të kompetencave gjyqësore në nivel shtetëror. OHR ka akuzuar gjithashtu edhe partinë më të madhe kroate të Bosnjes, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ, se po bllokon krijimin e një sistemi të vetëm arsimor.


Megjithatë, është e vërtetë se si populli ashtu edhe drejtuesit politik të federatës duket se janë më pak kundër planeve për të dobësuar apo edhe skatërruar entitetet në interes të anëtarësimit në BE.


BOSNJE HERZEGOVINA DUHET TË BËJË MË TEPËR


Ndërsa kritikat nga OHR shtohen dhe afatet skadojnë, duket se Bosnja ka pak mundësi të përmbushë kushtet e vendosura nga KE - ta paktën, jo deri në fund të këtij viti.


Studimi i KE detyron Bosnjen të tregojë pavarësi dhe maturi si një shtet duke bërë kështu që OHR të "jetë më tepër në rolin e ndërmjetësit".


Por kjo nuk po ndodh. Në vend që të nisë ndryshimet vetë, Bosnja vazhdon të presë që komuniteti ndërkombëtar të veprojë në emër të saj.


"Komuniteti ndërkombëtar vazhdon të marrë përsipër përgjegjësitë për marrjen e vendimeve më të rëndësishme," thotë Cox. "Në një demokraci, qeveria punon kur është nën presion. Bosnja ka nevojë për këtë lloj presioni demokratik".


"Vetë boshnjakët nuk presin shumë nga politikanët e tyre por i kthejnë sytë nga komuniteti ndërkombëtar".


Cox mendon se Bosnja nuk po bën sa duhet për të siguruar anëtarësimin në BE: "BE nuk do të vijë ti lutet Bosnjes; është Bosnja ajo e cila duhet të shkojë tek BE dhe ti thotë se ka disa arësye që ju duhet të na pranoni".


Sipas Humphreys, struktura shtetërore në Bosnje megjithëse e dobët duhet të kishte arritur të zbatonte më tepër reforma. "Reformat nuk janë aq të vështira," ka thënë ai për IWPR.


Ai gjithashtu ka shprehur shqetësim rreth sasisë së kohës dhe energjive që komuniteti ndërkombëtar po shpenzon në Bosnje: "Në një moment komuniteti ndërkombëtar do të largohet nga Bosnja".


Sipas Braithwaite: "Bosnja duhet të kuptojë se sa më tepër të mbështetet në ndihmën tonë aq më larg do të mbeten nga BE".


Megjithatë, disa ekspertë të huaj i japin më tepër rëndësi progresit që është bërë deri më tani. "Bosnja po bën aq sa mundet të përmbushë reformat e kërkuara nga KE," ka thënë Pack. "Këtu funksionon në mënyrë efikase Departamenti i Integrimit Evropian. Unë vetëm nuk jam e sigurtë nëse ata do të mund të përfundojnë punën në kohën e duhur. Problemi kryesor është struktura e tanishme e shtetit".


Prezenca active e kaq shumë organizmave ndërkombëtare në Bosnje, ka vazhduar ajo, nuk është gjithnjë një ndihmë, duke iu shtuar "strukturës edhe ashtu të komplikuar të shtetit".


"Boshnjakët shpesh herë ndjehen të humbur në mes të kaq shumë axhendave dhe ndonjëherë nuk dinë se në cilin drejtim të shkojnë," ka thënë ajo.


Nga pikpamja e autoriteteve në Bosnje, vendi ka avancuar shumë që prej përfundimit të luftës në vitin 1995 dhe shteti është forcuar shumë në krahasim me më parë.


"Komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë që ne kemi nevojë për kohë për të zbatuar të gjitha vendimet," ka thënë Djodjiq. "Ky është një ndryshim rrënjësor i strukturës në të cilën kemi jetuar deri më tani.


"Evropa ka planet e saj për Bosnjen dhe ne dëshirojmë të jemi pjesë e saj. Ne do ta bëjmë veten tonë të dëshirueshme për BE-në".


ANËTARËSIMI NË VITIN 2009?


Megjithëse KE nuk pranon se ka pasur "progres të madh" gjatë këtij viti, ende ka shpresë se në planin afatgjatë vendi mund të anëtarësohet në një prej organizmave më prestigjioz të botës.


BE ka investuar shuma të mëdha në vend, dhe më vonë këtë vit do të shtojë prezencën në vend kur të marrë përsipër drejtimin e forcës paqeruajtëse nga SFOR.


Sipas disa analistëve, Bosnja nuk do të abandonohet në planin afatgjatë vetëm për shkak të arësyeve gjeo-politike.


"Ekzistenca e një grope të zezë nuk është në interesin strategjik të Evropës," ka thënë Cox. "Në parim, BE nuk ka treguar asnjëherë entuzisëm për të pranuar vende nga Ballkani. Por nga pikpamja strategjike ato duhet të mbeten të përfshira. Rajoni i ka kushtuar BE-së shumë para".


Pavarësisht vonesave të cilat kanë penguar edhe reformat më bazë, disa zyrtarë u janë përmbajtur të gjitha parashikimeve se Bosnja do të anëtarësohet në BE në vitin 2009.


Sipas Adnan Terziq, kryetar i Këshillit të Ministrave, pranvera e vitit 2009 do ta gjejë vendin anëtare të bashkimit.


Por shumë vëzhgues, pavarësisht se mund të jenë dashamirës, thonë se kjo datë është krejtësisht jo realiste. "Qeveria nuk duhet të mbajë shpresa për anëtarësim në vitin 2009," ka thënë Pack. "Në vend që të caktojë data ajo duhet të përpiqet të zgjidhë problemet e brendëshme. Ka ende shumë probleme që duhen zgjidhur brenda këtyre viteve. Është ende shpejtë të parashikosh një datë për anëtarësim".


Humphreys është i të njëjtit mendim: "viti 2009 nuk është një datë realiste. Ne nuk do të përcaktojmë një datë dhe nëse do ta bënim kjo nuk do të ishte një stimulim i mirë".


Nerma Jelaciq është drejtuese e projektit të IWPR në Sarajevë.


Frontline Updates
Support local journalists