Beteja për Kompensimet e Ushtrisë Jugosllave
Familjet të cilat kërkojnë kompensime nga Ushtria Jugosllave për të afërmit e tyre të vrarë në Kosovë gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak thonë se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh.
Beteja për Kompensimet e Ushtrisë Jugosllave
Familjet të cilat kërkojnë kompensime nga Ushtria Jugosllave për të afërmit e tyre të vrarë në Kosovë gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak thonë se kërkesat e tyre nuk po merren parasysh.
Një ish gjyqtar në gjykatën e lartë ushtarake jugosllave ka dënuar ushtrinë për qëndrimet e mbajtura nga ajo për sa i përket kompensimeve financiare për familjet e ushtarëve të vrarë gjatë konfliktit në Kosovë.
Jovan Buturoviq i ka quajtur ofertat e ushtrisë për të paguar një shumë prej 10,000 marka gjermane për familjet e dëmtuara si të pallogaritëshme dhe ka akuzuar ushtrinë se po pengon paraqitjen e kërkesave për dëmshpërblim.
"Për të vrarë një drer në një pronë private duhet të paguash 20,000 marka gjermane," ka thënë ish gjyqtari i Gjykatës së Lartë Ushtarake. "Familjarët e të vrarëve po kërkojnë me të drejtë në se djemtë e tyre vlejnë sa një gjysëm dreri."
Familjet e ushtarëve të vrarë kanë filluar të hedhin në gjyq ushtrinë pas skadimit të një moratoriumi mbi kompensimet të vendosur prillin e kaluar kur fushata e bombardimeve të NATO-s ka qënë në kulmin e saj.
Disa nga familjet e shkatërruara nga hidhërimi po kërkojnë kompensime deri në dy milion marka gjermane.
Me sa duket të trembur se mos gjenden përballë një vale kërkesash të tilla nga familjarët e mbi 500 ushtarëve te vrarë në Kosovë, ushtria ka marrë masa për të ulur presionin mbi gjykatat e saj.
Tani familjarët mund të kërkojnë dëmshpërblim vetëm në rast se kanë aplikuar më parë direkt pranë ushtrisë për kompensim. Por familjarët thonë se kjo është një taktikë për të vonuar procedurat, sepse afati për përgjigjen e ushtrisë ndaj një kërkese për kompensim është deri tre muaj.
Në një përpjekje tjetër të dukshme për të penguar këto kërkesa, ushtria ka thënë se rastet e kompensimeve mund të gjykohen vetëm nga gjykatat në qytetet ku kanë shërbyer ushtarët në momentin e vdekjes së tyre.
Meqënëse pjesa me e madhe e ushtarëve kanë qenë të dislokuar në Kosovë, e cila tani administrohet nga Kombet e Bashkuara dhe udhëheqësit shqiptarë, familjet e ushtarëve të vdekur nuk dinë se tek cilat autoritete gjyqësore duhet të paraqesin kërkesat e tyre.
"Djali më ka vdekur gjatë shërbimit ushtarak në Kosovë në njësinë 1728 në Gjakovë," thotë Radovan Josoviq. "Unë duhet të paraqitem në gjykatën në Gjakovë, por më kanë thënë se ajo do të transferohet në Serbi. Se kur dhe ku, unë nuk e di."
Edhe në ato raste kur ushtria pranon të paguajë kompensimet, familjet thonë se ata përfitojnë shumë pak.
Ka vonesa të mëdha dhe të pashmangëshme midis konfirmimit të pagimit dhe vetë pagesës. Për shkak të inflacionit tepër të lartë në vend, kjo do të thotë se në momentin që njerëzit marrin kompensimin vlera e tij ka rënë mjaft.
Dushan Vukoviq thotë se autoritetet ushtarake i kanë thënë atij të mbante faturat e shpenzimeve të funeralit të djalit të tij ne prill të vitit të kaluar. Shuma e përgjithëshme ishte rreth 40,000 dinarë jugosllavë, në atë kohë e barabartë me 4,000 marka gjermane. Tani kjo shumë është sa gjysma e asaj kohe. Derisa t'i paguhet shuma atij, nuk ka dyshim se ajo do të jetë akoma edhe më e ulët.
Nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar nga ana e ushtrisë për çështjen e kompensimeve, por një major në shërbimin ligjor të ushtrisë, i cili kërkon të mos përmendet me emër, ka deklaruar për IWPR-në se shteti nuk mundet t'i paguajë familjarët.
"Në se ne pranojmë të paguajmë vetëm një të dhjetën e asaj që po kërkojnë prindërit, kjo do të thoshte mbi 150 milion marka gjermane," thotë ai. "Shteti nuk i disponon këto para - dhe, edhe në rast se do t'i kishte, do të ishte e vështirë të mëndohet se këto para mund t'i paguheshin familjeve."
Miroslav Filipoviq është një gazetar i pavarur në Kraljevo.