Opozita Feston Fitoren

Duke gjykuar nga rezultatet paraprake dhe jozyrtare, Millosheviq dhe klika e tij kanë pësuar një humbje totale dhe katastrofike.

Opozita Feston Fitoren

Duke gjykuar nga rezultatet paraprake dhe jozyrtare, Millosheviq dhe klika e tij kanë pësuar një humbje totale dhe katastrofike.

Tuesday, 26 September, 2000

Më duket vetja si një parashikues fati - duke u përpjekur të shkruaj të hënën atë që do të ndodhë të martën.


Por të paktën kam diçka më të sigurtë dhe të prekshme se vizionet e shfaqura në sferën e kristalit. Një fakt kryesor karakterizon të gjitha analizat pas zgjedhore në Serbi - Opozita Demokratike e Serbisë, DOS, ka fituar. Dhe shumë më bindshëm se sa pritej. Kandidati i saj, Vojislav Koshtunica, ka mundur presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq në raundin e parë të votimeve.


Pavarësisht nga ndryshimet e shumta ideologjike në rradhët e opozitës në Serbi, votuesit i kanë parë këto zgjedhje si një referendum të drejtpërdrejtë ndaj Millosheviqit. Një votë për Koshtunicën ka qenë kundër presidentit.


Duke gjykuar nga rezultatet praprake dhe jozyrtare, Millosheviq dhe klika e tij kanë pësuar një humbje totale dhe katastrofike.


Ka katër orë që buletinet e lajmeve në Radio Televizionin e Serbisë të kontrolluar nga qeveria japin shifra nga shtabi i Partisë Socialiste të Serbisë, SPS - sipas të cilave, Millosheviqi kryeson me 44.41 përqind të votave.


Partneri i koalicionit të SPS-së, e Majta e Bashkuar Jugosllave, ka deklaruar një rezultat edhe më të pamundur prej rreth 56 përqind në favor të Millosheviqit.


Por e vërteta është krejtësisht ndryshe. Nëntëdhjetë përqind e banorëve të Beogradit kanë votuar kundër Sllobodanit dhe gruas së tij Mira Markoviq. Edhe në Pozharevc, vendlindja e Millosheviqit, opozita tani kontrollon shumicën. Në qytete, të mëdhenj e të vegjël, në të gjithë republikën opozita po feston fitoren.


Asgjë - asgjë - nuk do të jetë më si më parë.


Nëse ky do të ishte një vend normal si Norvegjia, çdo gjë do të ishte e qartë. Millosheviqi do të largohej, Koshtunica do t'i zinte vendin.


Por Serbia nuk është si Norvegjia. Prandaj ne duhet të presim dhe të shohim se çfarë do të bëjë regjimi i Millosheviqit. Por çfarë zgjidhjesh ka presidenti i cili është mburrur gjithnjë për aftësitë e tij taktike dhe gjenialitetin e tij strategjik?


Strategjia e tij ka dështuar dhe taktikat janë të qarta për cilindo. Millosheviq po përpiqet të fitojë kohë duke vonuar rezultatin. Ai mund të përpiqet të anullojë rezultatin e zgjedhjeve nëpërmjet gjykatave, ose mund t'i shpallë zgjedhjet të parregullta për shkak të infiltrimit të "votuesve agjentë të huaj."


Asnjë nuk mund ta përjashtojë mundësinë se ai mund të dërgojë trupat në Kosovë. Në fund të fundit ai krijoi një njësi ushtarake pikërisht për qëllime propagandistike me detyrën speciale për të pushtuar provincën dhe mbrojtur serbët e Kosovës.


Pastaj mund të jetë edhe Mali i Zi, i përçarë, dhe mjedisi ideal për të krijuar një rrëmujë për të larguar vëmendjen.


Një mundësi tjetër, e trajtuar si një shaka para zgjedhjeve, tani duket si shumë e mundshme. Kryeministri federal Momir Bullatoviq ka ngulur këmbë që presidenti jugosllav ka të drejtën sipas kushtetutës të qëndrojë në postin e tij deri në qershor të vitit 2001 kur i mbaron mandati. Koshtunica thjesht do të duhet të presë.


Zgjidhjet e thjeshta, si ajo që fituesi të zërë postin e tij, ka kohë që nuk aplikohen në Serbi. Millosheviq është një lojtar i cili nuk ka pranur asnjëherë humbjen politike dhe është i paaftë të përballet me realitetin e këtyre zgjedhjeve. Përgjigja e tij ndaj kësaj katastrofe është e parashikueshme.


Qëndrimi i votuesve serbë do të vendosë edhe të ardhmen e Millosheviqit. A do të pranojnë ata edhe një herë iluzionin dhe mashtrimin e fitores që në raundin e parë të Millosheviqit, apo do të ngrihen dhe ta mbrojnë atë për të cilën kanë votuar?


Situata është e qartë si dita. Kjo është një çështje mbijetese. Dhe është një zgjidhje e cila mund të vendoset vetëm në rrugë.


Petar Lukoviq është redaktor dhe gazetar i njohur në Beograd. Godine Raspada, një përmbledhje e gazetarisë së tij gjatë vitit të luftës, është botuar së fundi nga Feral Tribune në Kroaci.


Serbia, Kosovo, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists