Banja Luka Kundërshton Forcimin e Millosheviqit

Politikanët serbë të Bosnjes dyshojnë se Beogradi po përpiqet të rivendosë kontrollin e tij në Republika Srpska.

Banja Luka Kundërshton Forcimin e Millosheviqit

Politikanët serbë të Bosnjes dyshojnë se Beogradi po përpiqet të rivendosë kontrollin e tij në Republika Srpska.

Tensionet në rritje ndërmjet Banja Lukas dhe Beogradit shpërthyen javën e kaluar kur presidenca trepalëshe e Bosnjes emëroi një serb që konsiderohet si i afërt me Sllobodan Millosheviqin në postin e kryetarit të qeverisë qendrore të republikës.


Megjithëse ai nuk dihet të ketë lidhje me partitë, profesori i ekonomisë Spasoje Tusevljak është përkrahur nga partia në pushtet gjatë kohës së luftës e nga Republika Srpska, Partia Demokratike Serbe (SDS) dikur e kontrolluar nga Millosheviq.


Ky emërim ka zemëruar kryeministrin e RS Millorad Dodik, i cili e ka akuzuar Tusevljak se ka lidhje të forta me presidentin jugosllav. Dodik ka deklaruar se ai ka jetuar në Beograd gjatë gjithë luftës në Bosnje, ku ai ka drejtuar një institut ekonomik dhe ka patur lidhje të mira me regjimin. Këto akuza mund ta kthejnë komunitetin ndërkombëtar kundër Tusevljak.


Dodik, i cili kryeson koalicionin Sloga, rivalin kryesor të SDS, është bërë kryeministër me ndihmën e komunitetit ndërkombëtar në vitin 1998. Përpara kësaj, pjesa më e madhe e strukturave shtetërore - ekonomia, policia dhe media - kontrolloheshin nga Beogradi. Millosheviq ka pasur gjithashtu dorë edhe në krijimin e partive të reja politike, me përjashtim ndoshta vetëm të Partisë Popullore Serbe të drejtuar nga Biljana Plavshiq.


Që pas përfundimit të luftës komuniteti ndërkombëtar ka ushtruar presion ndaj drejtuesve politikë për t'u distancuar nga Millosheviqi, përndryshe ata do të përjashtohen nga pushteti.


Tani e vetmja parti që pranon besnikërinë ndaj Beogradit është Partia Radikale Serbe e Nikola Poplasen - një lidhje që rezultoi në ndalimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e fundit lokale. Poplasen ishte shkarkuar më parë nga posti i tij si president i RS-së nga Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar.


Dodik i ka kthyer shpinën Millosheviqit rreth 18 muaj më parë dhe forcoi lidhjet e tij me komunitetin ndërkombëtar. Që prej asaj kohe ka patur të paktën rreth dymbëdhjetë përpjekje për të rrëzuar qeverinë e tij, pjesa më e madhe e të cilave të organizuara nga Beogradi.


Beogradi e kritikon Dodik se mbështet komunitetin ndërkombëtar "anti-serb" dhe se mirëpret disidentët politikë të Serbisë si artistin e mirënjohur nga Valjevo Bogoljub Arsenijeviq Maki dhe aktivistë nga lëvizja e opozitës studentore Otpor.


Millosheviq e akuzon Dodik se ka organizuar valën e fundit të vrasjeve politike, ka lehtësuar rrëmbimin dhe deportimin e të dyshuarve për krime lufte si Dragan Nikoliq-Jenki dhe se ka organizuar një takim ndërmjet Otpor dhe Robert Frouik, i dërguari amerikan në Bosnje, gjatë të cilit është deklaruar se pjesëmarrësit kanë diskutuar rreth destabilizimit të regjimit serb.


Dodik nuk është frikësuar nga fushata e Beogradit. Ai ka vizituar së fundi Gjykatën e Krimeve të Luftës në Hagë ku ka folur rreth rritjes së bashkëpunimit me këtë organizëm ndërkombëtar - një hap i cili e ka zemëruar jashtë mase Millosheviqin e akuzuar nga kjo gjykatë.


Ndarja dhe armiqësia me Banja Lukan është aq e madhe saqë një nga ofendimet më të rënda që mund t'i bëhet një rivali politik është ta akuzosh atë për lidhje të ngushta me Millosheviqin. Zyra e kryeministrit ka akuzuar së fundi rivalin reformist të Dodik në zgjedhjet e fundit, Mladen Ivaniq, se është përkrahur nga gruaja e Millosheviqit, Mira Markoviq. Plavshiq i ka quajtur kundërshtarët e saj "njerëz që veprojnë sipas urdhërave të Beogradit".


Baza mbështetëse e Millosheviqit në republikë, e cila është pakësuar kur ai ka humbur përkrahjen e Dodik, është dobësuar edhe më tepër nga arrestimi i kohëve të fundit i drejtuesit të SDS-së Momçillo Krajishnik nga ana e Gjykatës së Hagës. Ky arrestim i ka krijuar mundësinë partisë të distancohet nga Beogradi dhe të reformohet.


Edhe Partia Socialiste, e cila tradicionalisht ka përkrahur Beogradin, nuk mund të konsiderohet më si përkrahëse e tij pasi vetëm një krah i partisë është pro-Millosheviqit haptazi. Udhëheqësi i saj Zhivko Radishiq po përpiqet akoma - ashtu si edhe Dodik - që të kënaqë si komunitetin ndërkombëtar ashtu edhe Beogradin.


Ndërsa këto shenja të dobësimit të lidhjeve mirëpriten nga kundërshtarët e Millosheviqit dhe perëndimorët, ka shqetësime të vërteta se presidenti jugosllav mund të përdorë dhunën për të rimarrë kontrollin. Duke pasur parasysh vrasjet e fundit në Serbi, kjo mund të përfshijë edhe sigurinë e Dodik.


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists