Historia e Filipoviqit

IWPR bën publike historinë e jashtëzakonëshme të artikujve të Miroslav Filipoviqit mbi krimet në Kosovë, për të cilat ai fitoi çmimin gazetaresk

Historia e Filipoviqit

IWPR bën publike historinë e jashtëzakonëshme të artikujve të Miroslav Filipoviqit mbi krimet në Kosovë, për të cilat ai fitoi çmimin gazetaresk

Tuesday, 6 September, 2005

Një nga njoftimet më tronditëse për krimet e kryera në Kosovë gjatë viteve të fundit ka pasur të bëjë po aq me Malin e Zi sa edhe me provincën e banuar kryesisht nga Shqiptarët.


Në artikullin e tij për IWPR-në i cili fitoi edhe çmim, "Oficerë Serbë Tregojnë Krimet", gazetari Miroslav Filipoviq ka cituar një dokument tepër sekret mbi krimet e luftës në Kosovë, të cilin ushtria Jugosllave e nxorri në Pranverë të vitit 2000, në një përpjekje për të ndaluar Sllobodan Millosheviqin të shkaktonte një konflikt të ri në Mal të Zi.


Për përjekjet e tij, Filipoviq është burgosur vitin e kaluar nga qeveria e Millosheviqit, dhe më pas liruar nga administrata e re.


Pasi është bërë i njohur në arenën ndërkombëtare - javën e kaluar ai është quajtur Gazetari i Vitit në Internet në dhënien e çmimeve të rëndësishme të Gazetarisë Britanike - shkrimet e tij kanë mbetur temë e një debati të ashpër në Serbi e cila ende nuk është e përgatitur të shohë realitetin e krimeve të luftës.


Saga e Filipoviqit ka filluar një ditë marsin e kaluar, kur një oficer i shërbimit sekret të ushtrisë e ka ftuar atë për një kafe.


Burimi - një i njohur i tij i vjetër - i ka dorëzuar Filipoviqit një raport të jashtëzakonshëm me tetë faqe (katër faqe nga të dyja anët) mbi moralin e ushtrisë.


Sipas këtij burimi, raporti është shkruajtur nga shërbimet sekrete të ushtrisë me pikësynimin për të testuar gjendjen e oficerëve të ushtrisë përpara një lufte të planifikuar nga Millosheviqi në Mal të Zi.


Dokumenti shumë sekret paraqiste një pamje shumë të errët të oficerëve të ushtrisë Jugosllave të cilët ishin ende thellësisht të tronditur nga krimet e kryera nga shokët e tyre në Kosovë. Ky raport nuk ishte një shenjë e mirë për një operacion ushtarak kundër Malit të Zi.


Raporti, në mënyrë të qartë ngrinte pyetjen nëse mund t'u besohej këtyre trupave për një konflikt të ri civil.


Studimi - dhe përfundimi i tij se lufta në Mal të Zi mund të ishte një katastrofë - i janë paraqitur Millosheviqit. Por presidenti i atëhershëm Jugosllav e ka hedhur poshtë këtë dokument.


Ai ose nuk e ka besuar, ose nuk i kushtonte rëndësi moralit të ushtrisë, ose thjesht nuk i besonte asgjëje që i thuhej nga shërbimet sekrete të ushtrisë - rivalët e bazës kryesore të pushtetit të tij, policisë. Kështu që ushtria vendosi ta bënte publik këtë raport.


Burimi i Filipoviqit e lejoi atë ta lexonte raportin, dhe i dha një kopje të tij. Ky burim nuk pranoi ti jepte Filipoviqit një kopje të një raporti tjetër mbi gjendjen e "të fjeturve", oficerë të ushtrisë të cilët ishin lënë pas në Kosovë me detyra sekrete pas tërheqjes së trupave Jugosllave, për të krijuar trazira të reja. Ky raport i dytë kishte nënshkrimin e Gjeneralit Nebojsha Pavkoviq, ish komandanti i atëhershëm i Armatës së Tretë.


Në atë kohë, Filipoviq ishte një korrespondent relativisht i panjohur në Kraljevo për gazetën e përditëshme të Beogradit Danas dhe agjensinë e shtypit Agence France Presse AFP, i cili mbulonte Serbinë jugore dhe rajonin me popullsi kryesisht Muslimane të Sanxhakut.


Nga pikpamja ushtarake, ai kishte një të kaluar si besnik i Jugosllavisë, pasi kishte shkruajtur një libër për industrinë Jugosllave të aeronautikës dhe kishte ndihmuar në organizimin e ndihmës humanitare pas bombardimeve të NATO-s.


Kontaktet personale dhe profesionale i jepnin atij një mundësi të mirë për të marrë informacione nga ushtarakët lokalë në një zonë tepër të ndjeshme. Pikërisht në Serbinë qendrore, Sumadija, kishin dalë në dritë shenjat e para të një revolte të brendëshme në rradhët e rezervistëve të kthyer nga Kosova.


Ata flisnin haptazi në shtëpi, kafene, dhe ndonjëherë edhe në stacionet lokale të radiove, për ato që kishin parë. Një Parlament i Qytetarëve i opozitës nisifillimisht në qytetin aty pranë të Caçakut i drejtuar nga një kryetar bashkie guximtar i cili më pas do të luante një rol të rëndësishëm në rrëzimin e regjimit.


Ndërsa Presidenti Malazez Millo Gjukanoviq po shtonte kontrollin ndaj organizmave shtetërore dhe atyre të sigurimit, Millosheviqi po bënte atë që kishte bërë gjithnjë: planifikonte konfrontimin e rradhës.


Plani ishte përpunuar në detaje. Sipas dokumentave të brendëshme ushtarake që Filipoviq morri nga burimi i tij, konflikti do të fillonte me një provokim: vrasjen e disa ushtarëve të ushtrisë Jugosllave në Mal të Zi nga forcat paraushtarake. Vrasja e tyre do t'u ngarkohej forcave speciale të Gjukanoviqit.


Batalioni i shtatë i ushtrisë, me qendër në Mal të Zi, do të arrestonte presidentin Malazez dhe do të shpallte gjendjen e jashtëzakonëshme. Baza më e fortë e opozitës së brendëshme në federatën Jugosllave do të mundej - dhe do të shfrytëzohej edhe një herë për të nxitur mbështetjen për regjimin e Millosheviqit.


Gjatë përgatitjeve, trupa dhe materiale ushtarake u mobilizuan në Serbi dhe pranë kufirit me Malin e Zi, në zonën e Sanxhakut, e cila ishte gjithashtu një burim i pakënaqësisë së brendëshme, dhe baza e Filipoviqit.


Filipoviq filloi të shkruante për IWPR-në pikërisht rreth kësaj periudhe. IWPR është rregjistruar si një organizatë jo fitimprurëse me qendër në Britaninë e Madhe. Ajo njihet kryesisht për botimin në faqen e saj të internetit të njoftimeve nga gazetarë vendas në zonat e krizave; trajnimin e gazetarëve të rinj, monitorimin e mediave dhe projekte të tjera në lidhje me zhvillimin e mediave në Ballkan, Kaukaz dhe Azinë Qendrore. Ajo gjithashtu bashkëpunon shpesh me median ndërkombëtare.


IWPR e ka punësuar fillimisht Filipoviqin për të punuar për një projekt për një dokumentar nga televizioni Britanik Kanali 4 dhe Shërbimi Publik i Transmetimeve Amerikane PBS.


IWPR-së i ishte kërkuar nga producentët një ndihmë lokale për të kryer disa hulumtime, veçanërisht për të zbuluar tregime të rezervistëve nga eksperiencat e tyre në Kosovë. Për këtë qëllim, IWPR-ja i kishte kërkuar Filipoviqit të gjente njerëz të tillë, ti intervistonte, dhe ti bindëte ata të tregonin para kamerave dëshmitë e tyre.


Intervistat e kryera nga Filipoviq dhe producenti Sajmon Cin, të siguruara pas shumë pune bindëse, disa vizitave të ekipit televiziv nga Londra, dhe të xhiruara me fytyrë të fshehur, ishin tronditëse.


"Unë kam parë me sytë e mi se si një rezervist rreshtoi rreth 30 gra dhe fëmijë Shqiptarë para një muri," kujtonte një oficer me emrin Drazhen. "Unë mendova se ai donte vetëm ti frikësonte ata, por pastaj ai shkoi pas një mitralozi kundër ajror dhe tërhoqi këmbëzën. Plumbat kalibër 12 milimetra i këputën trupat e tyre në mes".


Kjo dhe intervista të tjera u transmetuan nga rrjetet televizive Britanike dhe Amerikane, dhe në të gjithë botën. Ato do të përbënin edhe tema të rëndësishme për artikujt e Filipoviqit të cilat çuan edhe në burgosjen e tij. Citimet e drejt përdrejta në artikuj të rezervistëve janë marrë nga hulumtimet e Kanalit 4 dhe PBS si edhe nga burime të tjera të pavarura.


Por para tyre do të botoheshin artikuj të tjerë. Pas hulumtimit televiziv, Filipoviq sugjeroi një artikull alarmant mbi mobilizimin e ushtrisë në Sanxhak. Dis muaj më vonë, ai shkruajti një artikull edhe më provokues mbi përçarjen në rradhët e oficerëve të ushtrisë rreth një konflikti të mundëshëm në Mal të Zi - një artikull i cili, sipas burimeve të informacionit, i është dërguar direkt edhe Millosheviqit nga ndihmësit e tij dhe ai është zemëruar shumë.


Faktet tregonin se shumë oficerë të lartë të ushtrisë nuk dëshironin të merrnin pjesë në ndonjë veprim ndaj Podgoricës - disa edhe po mendonin të bashkoheshin me Gjukanoviqin. "Unë jam i sigurtë se pjesa më e madhe e oficerëve dhe ushtarëve nuk do të pranojnë të zbatojnë një urdhër i cili mund të shkaktonte gjakderdhje në Mal të Zi," kishte deklaruar komandanti i një njësie të motorizuar.


Po aq e rëndësishme, ishte fakti që artikulli konfirmoi se zyrtarët e ushtrisë po ndërmerrnin hapa direkte - përfshirë edhe rrjedhjen e informacioneve për shtypin - për të ndaluar një fushatë anti Malit të Zi.


Këto ishin burimet ushtarake të cilat i kalonin informacionet Filipoviqit. Disa kontakte ishin që nga koha e lidhjeve të vjetra shoqërore dhe profesionale. Të tjerët, sipas tij, i janë afruar për shkak të rolit të IWPR-së nëpërmjet faqes së saj në internet dhe shpërndarjes së postës elektronike si një dhënës i informacionit të vërtetë për diplomatët ndërkombëtarë, politikanët dhe njerëzit e tjerë që punonin për këtë konflikt.


Por zbulimi i vërtetë i Filipoviqit ishte dokumenti për Kosovën. Ekipi redaksional i IWPR-së, dhe vetë Filipoviqi, ishin shumë të ndërgjegjëshëm si për natyrën shpërthyese të materialit, ashtu edhe për rreziqet ndaj autorit. Veçanërisht një fjali në këtë artikull ishte tepër tronditëse: "dëshmitë e përbashkëta të oficerëve në terren … tregojnë se njësitë e Ushtrisë Jugosllave kanë qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 800 fëmijëve Shqiptarë nën moshën pesë vjeç".


Si pjesë e procesit redaktues të IWPR-së, teksti i është nënshtruar një procesi të hollësishëm kontrolli dhe rishikimi. Redaktorja e Filipoviqit, Gordana Igriq, i kërkonte atij informacione shtesë dhe qartësime, duke u kujdesur të kontrollonte të gjitha ndryshimet tekstit.


Redaksia e lajmeve nga bota e gazetës The Independent ka reaguar menjëherë ndaj këtij artikulli, duke pranuar të botojë të nesërmen atë. Nga eksperienca e saj në zonat e luftës, IWPR ka lejuar në raste të veçanta përdorimin e pseudonimeve, dhe pyetja e fundit nga redaktorët doli të ishte një profeci e vërtetë: "Ky është një artikull për të cilin mund të marrësh çmim, por është edhe një rrezik i madh. Do ta vendosim emrin e autorit --të takon ty ta marrësh këtë vendim".


Filipoviq është përgjigjur i vendosur: "Vëreni emrin". Artikulli është botuar më 4 Prill, 2000.


Një muaj më vonë ai është arrestuar. Filipoviq dhe kolegë të tjerë filluan të vënë re se shërbimet e sigurimit papritmas u bënë shumë kurioz për IWPR-në dhe aktivitetin e saj në Serbi. Por askush nuk ishte përgatitur për ngjarjet e 8 Majit, kur policia shkoi në shtëpinë e gazetarit në Kraljevo, sekuestroi një sërë dokumentash, kompjuterin e tij dhe pasaportën, dhe e burgosi atë. Që prej fillimit, u duku qartë natyra politike e këtij arrestimi. Si shpjegoi në atë kohë një korrespondent i IWPR-së: "Dy gjahtarë [ushtria dhe policia] po luajnë një lojë të rrezikëshme, dhe Miroslavi është lepuri i jgendur në mes dy zjarreve". Në gjendje arresti, zyrtarët e policisë e pyetën Filipoviqin për të gjitha artikujt e fundit të tij për IWPR-në, duke e pyetur veçanërisht për burimin e informacioneve të tij - të cilin ai nuk e dha asnjë herë.


Pas disa ditësh, kur ushtria morri në dorë këtë rast, ai u lirua menjëherë. Pas lirimit të tij të shkurtër, Filipoviq morri dy vendime.


I pari ishte që ai nuk do të përpiqej të largohej nga Serbia. Mund të gjendeshin rrugë të sigurta largimi nëpërmjet Malit të Zi. Por kjo do të konsiderohej - me ose pa të drejtë - si një konfirmim i fajësisë së tij për diçka.


Vendimi i dytë ishte të komunikonte me burimin e tij në ushtri rreth raportit. Në rast të pyetjeve të mëtejshme, çfarë do të thonin ata? Dhe çfarë të bënte me raportin për përdorim të brendëshëm. Burimi u shpreh shumë qartë: "Thuaj çfarë të duash, por unë do të hedh poshtë faktin që raporti ekziston, dhe do të mohoj që ne të jemi takuar".


Burimi ishte mjaft i qartë edhe për sa i përket pikës së dytë: "Shkatërroje atë". Ai e bëri këtë gjë menjëherë. Pavarësisht kontrollit të apartamentit të tij, oficerët nuk kishin gjetur dokumentin më të rëndësishëm. Vetëm disa ditë më pas, prokurori ushtarak u zëvendësua me një njeri besnik të Millosheviqit, dhe Filipoviq u arrestua përsëri.


Gjendja u keqësua menjëherë, pasi u morr vesh edhe akuza e rëndë - përhapje informacionesh të rreme dhe spiunazh. Kjo gjë e bëri Filipoviqin ndoshta të parin gazetar i cili dënohej për spiunazh sepse kishte botuar artikuj të tij në internet. Pas një gjyqi të mbyllur, ai u dënua me shtatë vjet burgim.


Mbështetja publike - brenda dhe jashtë vendit - ishte e madhe. Sapo filloi fushata e nisur nga IWPR me mbështetjen e shumë organizatave jo qeveritare dhe atyre të mediave, kësaj çështjeje iu kushtua një vëmendje e madhe nga shtypi dhe diplomacia. Rrjetet e mëdha televizive si CNN, dhe gazetat si New York Times, shfaqën dhe botuan lajme dhe artikuj për këtë çështje.


Në Britaninë e Madhe, Filipoviq u cilësua Gazetari Europian i Vitit për Internetin në dhënien e çmimeve Netmedia, ndërsa Amnesti International e futi atë në listën e kandidatëve për çmimin e saj të rëndësishëm për gazetarinë për të drejtat e njeriut.


Bashkimi Europian bëri kërkesa zyrtare, dhe shumë qeveri të vendeve të ndryshme i paraqitën zyrtarisht shqetësimin e tyre autoriteteve të Beogradit. Disa fondacione dhuruan në mënyrë bujare fonde për të paguar avokatët, për të mbështetur financiarisht familjen dhe ndihma të tjera.


Po ashtu, ky rast gjeti mbështetje edhe brenda vendit, veçanërisht në Caçak, Kraljevo dhe qytete të tjera të Serbisë jugore, ku u mbajtën koncerte me muzikë rrok në mbështetje të Filipoviqit. Anem dhe Radio B-92 kanë njoftuar vazhdimisht për këtë rast, dhe gazeta Danas i akordoi atij një çmim gazetarie.


Të gjitha këto përpjekje bënë që rasti i tij të mbetej në qendër të vëmendjes, mund të ketë luajtur edhe një rol sado modest në lëvizjen për ndryshim. Më 10 Tetor, Gjykata e Lartë ushtarake e liroi Filipoviqin. Presidenti Vojislav Koshtunica e fali atë një muaj më pas.


Por nën sipërfaqe, gjatë gjithë periudhës së burgimit dhe deri më sot, në Beograd ka mbizotëruar një frymë thashethemesh, duke hedhur dyshime për besueshmërinë e Filipoviqit, artikullit e tij për Kosovën, dhe IWPR-së.


Disa nga këto dyshime duket se janë për shkak të xhelozisë. Por të gjitha kanë qenë serioze, dhe kanë ardhur nga vetë mediat dhe komuniteti i OJQ-ve i cili i ka përkrahur ato publikisht.


Ata thonë se nuk ka asnjë mundësi që një gazetar provincial të ketë pasur burime kaq të rëndësishme nga brenda; se Filipoviq ka bërë gabim, dhe IWPR është treguar e papërgjegjëshme, duke publikuar një dokument shumë sekret; se në fakt, Filipoviq nuk e ka shkruajtur fare këtë artikull - ai është shkruajtur nga redaktorët e IWPR-së të cilët e kanë bërë për të pasur një histori të mirë pa marrë para sysh pasojat për njeriun e tyre në terren.


Kritikat e ardhura nga Beogradi fokusohen kryesisht në shifrën prej 800 fëmijësh të vrarë Shqiptarë - një numër i cili është vënë në pikpyetje edhe nga aktivistët kryesorë të të drejtave të njeriut në Serbi. Disa kanë hedhur dyshimin nëse ky raport sekret ekziston në të vërtetë.


Kjo zhurmë është krijuar kryesisht nëpërmjet bisedave të kafeneve - vendi kryesor i debatit të gazetarëve lokalë - por një pjesë e tij është bërë edhe më i plotë, përfshirë një kritikë të gjerë në Nin në muajin Shkurt, e përjavëshmja kryesore e Beogradit, e cila ka thënë se "akuzat e Filipoviqit, deri sa të bëhen nga njerëz me emër e mbiemër, janë të pabazuara dhe nuk mund të provohen".


Vërtetësia e dëshmive të përmendura - pjesa më e madhe e marrë nga hulumtimet - duhet të mos vihen në pikpyetje. Nëpërmjet bashkëpunimit me dokumentarin televiziv, shumë - për shembull, intervista me Drazhen - janë të filmuara në video kasetë dhe disa transkripte janë edhe në internet.


(http://www.pbs.org/wgbh/pages/frontline/shows/kosovo/interviews/serbs.html)


Sa për numrin e fëmijëve të vrarë, IWPR, dhe Filipoviq, i qëndrojnë asaj që është shkruajtur në artikull - dokumenti për përdorim të brendëshëm ka përdorur shifrën prej 800 fëmijë. Ajo që nuk mund të konfirmohet është vërtetësia e vetë raportit të brendëshëm. Natyrisht që njësia e shërbimeve sekrete të ushtrisë kishte një motiv të qartë për të paraqitur këtë raport, dhe për ta bërë publik atë nëpërmjet Filipoviqit. IWPR nuk ka bërë ndonjë deklarim rreth besueshmërisë së vetë dokumentit - përveç se ka thënë që ai ekziston.


Siç dihet, Filipoviq, e ka shkatërruar kopjen e tij. Por ai konfirmon se Gjeneral Pavkoviq, i cili ende është drejtuesi kryesor i ushtrisë, ka qenë i informuar personalisht dhe ka konfirmuar se ai i është treguar Millosheviqit.


Pavarësisht kësaj, një bashkëpunëtor tjetër i IWPR-së ka konfirmuar, nëpërmjet burimeve ministrore Serbe, se raporti në të vërtetë ekziston, por nuk mund të gjendet më.


"Pas artikullit të Filipoviqit dhe ndoshta përpara 5 Tetorit [dita e rënies së regjimit të Millosheviqit], shumë nga këto dokumenta janë shkatërruar", ka thënë një ministër kryesor i qeverisë së Beogradit, duke dashur të mbetet anonim.


Tani, thotë ai, edhe administrata e re nuk ka shumë dëshirë ti kushtojë vëmëndje këtyre gjërave. "Ka një vendim politik për të mos u marrë me të kaluarën, me ngjarjet në Kosovë. Askush nuk është i interesuar për këtë çështje. Ata po përpiqen të harrojnë, dhe do të donin që e gjithë kjo të mos kishte ndodhur kurrë".


Për sa i përket numrit të fëmijëve të vrarë, burimi nga ministria thotë se nuk ka një vlerësim zyrtar, dhe ka pasur njoftime të tjeraqë numri i tyre ka qenë 200 deri 700, por është shumë e vështirë për t'u konfirmuar. Por, thotë ai, "shumë nga shembujt e dhënë në artikull duken të vërtetë ose shumë pranë të vërtetës".


Por, ndërsa media ndërkombëtare vazhdon të vlerësojë Filipoviqin - si një "gazetar kurajoq i cili na bën të ndjehemi krenar për profesionin tonë," sipas gjyqtarëve të çmimit të shtypit britanik - asnjë media në Serbi nuk ka botuar artikujt e tij. (Danas, ish gazeta e tij, ka botuar disa pjesë të nxjerra nga shtypi ndërkombëtar). Dhe disa media të tjera vazhdojnë të venë në diskutim vërtetësinë e raportit.


Nga ana e tij, Filipoviq është shumë filozofik. Ai vlerëson se një sërë artikujsh të IWPR-së mund të kenë kontribuar në uljen e mobilizimit për luftë në Malin e Zi.


Ai mendon se të merresh me krimet e luftës në Serbi nuk është tani më e lehtë se sa një vit më parë. "Qëndrimi i kësaj qeverie ndaj gjykatës së krimeve të luftës nuk është i ndryshëm nga ai i qeverisë së mëparëshme", thotë ai. Arësyet që këto artikuj nuk janë botuar ende janë se edhe tani nuk botohet asnjë artikull për krimet e luftës.


"Edhe një letër nga At Sava (një Serb i njohur në Kosovë) rreth ndodhive dhe krimeve të luftës në Kosovë nuk është botuar. Kur Millosheviq ishte në pushtet, ne mendonim se ishte për faj të tij. Por tani ai nuk është më dhe përsëri njerëzit nuk mund të lexojnë këto artikuj në shtyp. Duket se arësyet janë më shumë se sa vetë Millosheviqi".


Sa për burimin nga shërbimet sekrete të ushtrisë, Filipoviq është betuar të mos e tregojë identitetin e tij. Por ai ka dalë papritur në sipërfaqe disa muaj më parë gjatë një programi televiziv me telefonata nga publiku në TV Caçak.


"Samo da pozdravim gospodina Filipovica" (Të përshëndes Zoti Filipoviq), dhe gazetari i habitur e ka njohur menjëherë burimin e tij, me të cilin nuk kishte folur që në muajin Maj.


Ai nuk ka bërë komente rreth ngjarjeve në të cilat ai ka luajtur një rol kaq të madh. Por ai ka përshëndetur Filipoviqin, dhe ka thënë se ndoshta në të ardhmen ata do të takohen përsëri. Më pas ai u largua menjëherë nga linja, pa e dhënë emrin.


Antoni Borden është drejtor ekzekutiv i IWPR-së.


Frontline Updates
Support local journalists