Pakësohen Shpresat për Kosovarët e Zhdukur

Fakte të reja kanë filluar të dalin në dritë rreth Shqiptarëve të zhdukur që prej luftës së vitit 1999

Pakësohen Shpresat për Kosovarët e Zhdukur

Fakte të reja kanë filluar të dalin në dritë rreth Shqiptarëve të zhdukur që prej luftës së vitit 1999

Pas lirimit të 143 të burgosurve shqiptarë nga burgjet në Serbi, në fund të muajit Prill, sipas burimeve të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, në burgjet në Serbi mbeten edhe rreth 300 Shqiptarë të tjerë.


Megjithatë, shumë Kosovarë të tjerë janë zhdukur gjatë luftës dhe prej asaj kohe nuk dihet më asnjë gjë për ta. Burime të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) dhe ato Shqiptare thonë se shumë të tjerë kanë humbur gjatë konfliktit të vitit 1999 - burimet Shqiptare thonë se kjo shifër është rreth 2000 njerëz. Dhe fati i tyre ndoshta mund të zbulohet tani.


Vëllai i Agim Muhaxhirit, Imeri është një ndër personat e zhdukur. Muhaxhiri ka qenë ndër të liruarit në fundin e muajit Prill. Ai është kthyer në shtëpinë e tij në Gjakovë dhe tani kujdeset edhe për fëmijët e vëllait të tij.


"Është e papërshkrueshme - një prind u kthye e tjetri jo", thekson Agimi. Askush nuk di gjë për fatin e Imerit i cili është zhdukur pasi një ditë Marsi në vitin 1999 kishte dalë për të blerë diçka dhe askush nuk e ka parë më pas.


Së fundi kanë filluar të dalin në dritë dëshmi rreth fatit të njerëzve si Imeri. Dëshmi të dëshmitarëve okularë të mbledhura deri më tani të çojnë në një përfundim të paevitueshëm - se shumica e atyre personave të zhdukur janë vrarë.


Nëse kjo është e vërtetë, atëherë numri i civilëve të vrarë gjatë luftës së vitit 1999, i cili deri më tani llogaritej në 10,000 mund të rritet ndjeshëm.


Një fakt i rëndësishëm rreth misterit të njerëzve të zhdukur është edhe artikulli i botuar në një revistë lokale në Serbinë lindore, Timocka Crime Revieë, rreth një kamioni frigorifer i ngarkuar me 50 kufoma i cili është nxjerrë nga ujrat e lumit Danub në vitin 1999. Zhivadin Gjorgjeviq ka konfirmuar se ai ka nxjerrë trupat e burrave grave dhe fëmijëve nga kamioni i cili kishte qenë me targa të Pejës (në veri të Kosovës).


Meqënëse menjëherë pas luftës, në varrezat e qytetit të Pejës janë zbuluar 205 varre të reja, mirëpo në shumicën e tyre nuk janë gjendur kufoma, mendohet se ato janë zhvarrosur dhe janë dërguar në Serbi për të zhdukur çdo provë për vrasjen e civilëve.


Mendohet se zhvarrosje të kufomave ka pasur edhe në shumë qytete e fshatra të tjera të Kosovës si në Gjakovë, Pustosellë, Izbicë etj.


Shaqir Gashi, 65 vjeç, i cili i ka mbijetuar një skuadre pushkatimi të Serbëve në Izbicë, në Kosovën qendrore, thotë se ai ka ndihmuar për të varrosur me duart e veta mbi 130 bashkëfshatarët e vrarë më 28 Mars, 1999. Gjashtë javë më pas, forcat Serbe i kanë zhvarrosur kufomat, dhe i kanë larguar të ngarkuar nëpër kamionë.


"Ne ishim fshehur të frikësuar, ndërsa Serbët erdhën dhe morën kufomat e të vdekurve nga varret … ende nuk e dimë se ku i kanë dërguar", thotë Shaqiri.


Shumë burime thonë se miniera e Trepçës në Kosovën veriore ka qenë destinacioni më i mundëshëm i tyre. Furrat e saj gjigande duket se kanë qenë vendi ideal për të djegur trupat pa jetë. Intervistat e bëra me Serbë dhe Shqiptarë e mbështesin këtë teori.


Shqiptarët kanë konfirmuar lëvizjet e trupave Serbe në drejtim të minierës. Gjithashtu, ushtarë Serbë të intervistuar në një program dokumentar të stacionit të radios Amerikane, Radio Kombëtare Publike, NPR, i kanë thënë gazetarëve se 1,500 kufoma janë djegur në minierë.


Ushtarët kanë treguar me hollësi se si janë djegur trupat. "Furra e shkrirjes ndodhej shumë lart, 15 metra lart ose më shumë. Me sa më kujtohet, vetëm njëra nga furrat ishte duke punuar. Ato digjeshin në një temperaturë jashtëzakonisht të lartë".


Richard Boucher, zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit, pas transmetimit të dokumetarit në fjalë tha se qeveria e SHBA-së, "ka konfirmuar se në të gjithë Kosovën ka pasur përpjekje për të zhdukur gjurmët e krimeve të luftës të kryera aty".


Pavaresisht dëshmive se shumë nga të zhdukurit në të vërtetë janë të vdekur, anëtarët e familjeve të cilëve u mungojnë anëtarë vazhdojnë të kërkojnë. Shukrie Rexha, kryetare e Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe të Zhdukurve, me qendër në Prishtinë, thotë se familjarët bëjnë përpjekje të mëdha për të mësuar ndonjë të re.


"Përditë vijnë familjarë me rrëfime të ndryshme që kanë dëgjuar për vendndodhjen e anëtarëve të tyre të zhdukur të familjes, por pak ose aspak nga këto janë


të vërteta", thotë ajo. "Duket se shumë prej të zhdukurve nuk janë më në mesin tonë".


Fejzë Hyseni, 67 vjeçar, thotë se është tepër e vështirë të jetosh vetëm me shpresë . Ai nuk di asgjë për gjashtë djemtë e tij të marrë në Maj të 1999-ës nga forcat Serbe në Zahaq, pranë Pejës, në ditën kur në fshat është kryer një masakër mbi civilë. "Gjithmonë do të vuaj me këtë plagë", thotë ai. "Do të falja shumë gjëra nëse të paktën do të dija se ku ndodhen eshtrat e djemve të mi. Nuk po kërkoj asgjë më shumë".


Por, ndërsa administrata e tanishme nuk po bën ndonjë përpjekje serioze për të zgjidhur këtë çështje, duket se është e pamundur që njerëzit si Fejza nuk do të mund të zbulojnë kurrë të vërtetën. Dhe për sa kohë që e vërteta për zhdukjen e civilëve Shqiptarë të Kosovës nuk do të dalë në dritë, çdo pajtim ndërmjet komuniteteve Serbe dhe Shqiptare mbetet i pamundur.


Adriatik Kelmendi është një gazetar i Koha Ditore.


Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists