Tifozët e Yllit të Kuq Heshtin

Atmosfera e nxehtë para-zgjedhore është shtrirë edhe në shkallët e stadiumeve të futbollit.

Tifozët e Yllit të Kuq Heshtin

Atmosfera e nxehtë para-zgjedhore është shtrirë edhe në shkallët e stadiumeve të futbollit.

Friday, 1 September, 2000

Këngët tradicionale të tifozëve të klubit të futbollit të kategorisë së parë Crvena Zvezda (Ylli I Kuq) janë zëvendësuar me këngë anti-qeveritare.


Thirrjet, përfshirë edhe një thirrje tepër të përhapur për presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq - "Sllobodan, Shpëto Serbinë! Vrit Veten" - kanë qenë të padurueshme për qeverinë, duke sjellë në këtë mënyrë një ndërhyrje të ashpër të forcave policore.


"Ne nuk do të lejojmë askënd të 'varë' Millosheviqin në stadiumet jugosllave," ka thënë Komisioneri për Siguri i Federatës Jugosllave të Futbollit, FSJ, Kosta Vukoviq. Çdo përsëritje e këtyre këngëve, ka paralajmëruar ai, do të sjellë zbrazjen e stadiumit nga policia - në këtë mënyrë do të vuajnë si klubet ashtu edhe tifozët e futbollit.


Tifozët e Yllit të Kuq janë të njohur për pikëpamjet e tyre anti-qeveritare. Kur stacioni i pavarur televiziv Studio B u mbyll nga qeveria në maj, në një përpjekje për të bllokuar median e pavarur, ata u bashkuan në protesta dhe shumë prej tyre u përleshën dhunshëm me policinë. Flamujt e lëvizjes studentore Otpor shihen së bashku me flamujt e ekpit në shkallët e stadiumit.


"Ne tregojmë publikisht se jemi kundër tiranit," thotë Nane, një tifoz i Yllit të Kuq. "Kështu që policia na rreh. Por ne nuk kemi frikë dhe nuk do të tërhiqemi."


Gjatë një takimi të kohëve të fundit ndërmjet Yllit të Kuq dhe Torpedo Kutisi të Gjeorgjisë, policia ka treguar se as ajo nuk do të tërhiqet. Kur tifozët nisën valën e parë të këngëve anti-Millosheviq, policia ndërhyri brutalisht. Rreth 20 policë e tifozë u plagosën dhe 151 tifozë u arrestuan.


"Policia rrahu çdo gjë që lëvizte," thotë Nane. "Ata goditën me shkopinj gome edhe fëmijë - një vajzë nuk ishte më e madhe se 12 vjeç. Tifozët u përgjigjën aq ashpër sa e gjithë tribuna veriore u shndërrua në një fushë beteje."


Në faqen zyrtare të internetit të Yllit të Kuq janë dhënë edhe tregime më dramatike për këtë dhunë. "Ishte si në filmin 'Zemërtrimi' - ishte një përplasje e pabesueshme. Disa nga ne 'bombardonin' policët me ndenjëse, ndërsa pjesa tjetër mbanin frontin. Policia ka qenë më brutale se kurrë ndonjëherë, kështu që hëngrën edhe dru si asnjëherë tjetër."


Regjimi është aq i nevrikosur nga tifozët e Yllit të Kuq saqë televizioni shtetëror serb hoqi zërin gjatë transmetimit të ndeshjeve të futbollit. Në takimin e fundit Ylli i Kuq-Torpedo Kutisi komentatori nuk tha asnjë fjalë rreth betejës që po zhvillohej në shkallët e stadiumit por fliste për "mjedisin e mrekullueshëm të krijuar në këtë natë futbolli".


Policia ia atribuoi dhunën "huliganëve të dehur, ndërmjet të cilëve disa të droguar ndiznin zjarre, thyenin karrike dhe hidhnin zjarr në fushë."


Por një zyrtar i klubit të Yllit të Kuq, i cili dëshiron të mos citohet me emër, e kundërshton këtë: "Nuk është e vërtetë që tifozët e shkaktuan këtë rrëmujë, sepse tifozët tanë janë më mirë të organizuarit në Serbi. Është e kuptueshme që dikush urdhëroi policinë të ndëshkonte tifozët, sepse ata deklaruan publikisht se janë kundër regjimit."


Media zyrtare ka fajësuar tifozët dhe drejtuesit e klubit. E përditshmja zyrtare Politika e ka quajtur sjelljen e tifozëve një formë terrorizmi, ndërsa televizioni i Beogradit ka akuzuar drejtuesit e klubit se kanë ndihmuar në krijimin e vandalëve.


Presioni nga autoritetet jugosllave së bashku me paralajmërimet e Bashkimit të Federatave Futbollistike të Europës, UEFA, se klubi mund të përjashtohej nëse vazhdon dhuna në shkallët e stadiumeve ka shkaktuar reagimin e drejtuesve të klubit që t'i kërkojnë tifozëve të mos këndonin këngë politike në takimin e 23 gushtit me Dinamon e Kievit.


Dy ditë përpara takimit, një zëdhënës i tifozëve i ka dërguar një mesazh policisë duke i thënë se ata nuk duan rrëmujë, por se këngët dhe thirrjet do të vazhdojnë.


"Njerëzit jetojnë me vështirësi të shumta," ka thënë ai. "Nuk ka asnjë ligj që të thotë se njerëzit e uritur të mos e thonë këtë. Këngët politike që këndojmë nisin spontanisht. Njerëzit e mbledhur me shumicë shprehin pakënaqësinë e tyre me shoqërinë ku jetojnë. Ne as nuk duam, por as nuk mundemi t'i ndalojmë ata të këndojnë kundër regjimit."


Por gjatë kësaj ndeshjeje tifozët u vetëpërmbajtën. Edhe regjimi u përmbajt; nuk pati asnjë polic me uniformë në të gjithë stadiumin.


Vëzhguesit thonë se ka mundësi që të jetë arritur një marrëveshje ndërmjet drejtuesve të Yllit të Kuq, tifozëve dhe shtetit, kështu që tifozët do të qëndronin të qetë, ndërsa policët do të qëndronin jashtë stadiumit.


Por kjo paqe mund të ketë jetë të shkurtër, sipas një tifozi të Yllit të Kuq. "Stadiumet e futbollit janë një valvel sigurimi për të shfryrë pakënaqësinë. Është i vetmi vend ku mund të mblidhen më shumë se dhjetë njerëz së bashku pa qenë rreziku se policia mund t'i arrestojë."


Istvan Molnar është gazetar i vendosur në Beograd.


Serbia, Georgia
Frontline Updates
Support local journalists