Skandal Seksual në Serbi

Ministri i anti korrupsionit detyrohet të japë dorëheqjen për shkak të nja skandali seksual.

Skandal Seksual në Serbi

Ministri i anti korrupsionit detyrohet të japë dorëheqjen për shkak të nja skandali seksual.

Për herë të parë në Serbi një ministër i qeverisë është detyruar të largohet nga posti pas akuzave për ngacmime seksuale, një aktivitet i cilë shpesh shkakton admirim dhe jo censurë në shoqërinë Serbe të dominuar nga meshkujt.


Megjithatë, një shikim më i kujdesëshëm i kësaj ngjarjeje tregon se zëvendës kryeministri Vuk Obradoviq, megjithë reputacionin e tij si maniak seksual, në fakt mund të jetë larguar për shkak se fushata e tij anti korrupsionit mund të ketë shkuar shumë thellë.


Një ish gjeneral Jugosllav, Obradoviq është kryetar i Partisë Social Demokrate, SD, një nga 17 partitë pjesëmarrëse në koalicionin DOS e cila ka drejtuar Serbinë që prej rrëzimit vitin e kaluar të Sllobodan Millosheviqit.


Drejtuesit e DOS-it kanë votuar në unanimitet më 11 Maj për largimin e Obradoviqit nga posti. Shtatë ditë më parë, Obradoviq ishte akuzuar nga 15 zyrtarë të SD-së për "abuzim dhe ngacmim seksual" të zyrtareve të qeverisë, kolegeve të partisë dhe gazetareve


Pëlqimi i Obradoviqit për gratë është tepër e njohur. Gazetaret femra nuk kanë pasur dëshirë asnjëherë të shkojnë në zyrën e tij në Beograd. Por ngacmimi seksual nuk përbën krim në ligjin Serb, dhe as nuk shkakton ndonjë dënim të madh publik.


Shkarkimi i Obradoviqit ka ardhur në kohën kur ai ka qenë në majën më të lartë të pushtetit të tij politik. Ai ka qenë kryetari i komisionit qeveritar anti korrupsion të krijuar për të hetuar drejtuesit e kompanive të cilët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë gjatë periudhës së drejtimit të Millosheviqit.


Nakuza për ngacmime seksuale është ngritur nga Ljiljana Nestoroviq, një zëdhënëse e SD, gjatë një takimi të drejtuesve të partisë në fillim të këtij muaji.


Ajo ka thënë se Obradoviq ishte përpjekur disa herë ti kapte dorën gjatë takimeve, pavarësisht kundërshtimeve të saj. Ajo gjithashtu kishte hedhur poshtë kërkesën e tij "që buzët tona të bashkohen". Dikur një ish prezantuese e njohur televizive, Nestoroviq është ankuar duke thënë: "Kam pasur avanca agresive të turpshme me anë të të cilave ai përpiqej të arrinte intimitet seksual".


Ajo ka shtuar gjithashtu se Obradoviq ka bërë avanca edhe kolegeve femra në qeveri, SD dhe disa gazetareve.


I përballur me këto akuza, të mbështetura edhe me prova të incizuara, sipas burimeve të afërta me kryesinë e partisë, Obradoviq i ka premtuar anëtarëve të partisë në atë takim se do të hiqte dorë nga posti i drejtuesit të SD-së.


Por në fakt Obradoviq ishte përpjekur të fitonte kohë. Ai ka ftuar përkrahësit e tij nga qytete të tjera në Beograd, ku ata kanë denoncuar Nestoroviqin si një "maniake dhe kurvë". Më pas partia është përçarë por u duk se Obradoviq kishte arritur të ruante kontrollin mbi fraksionin më të madh.


Megjithëse ata nuk arritën ta largonin atë nga drejtimi i partisë, kundërshtarët e tij në SD kanë fituar përkrahjen e pjesës më të madhe të partive pjesëmarrëse në DOS. Kështu, me inisiativën e kryeministrit Serb Zoran Gjingjiq, Obradoviq është shkarkuar "për të mbrojtur reputacionin e qeverisë".


Obradoviq vlerëson se disa drejtues të DOS-it janë shqetësuar së tepërmi pasi ai ka marrë në dorë ekipin anti korrupsion në Janar. Ai ka akuzuar Gjingjiqin dhe ministrin e policisë Dushan Mihajloviq, një anëtar të ekipit anti korrupsion, se kanë komplotuar për të fabrikuar akuzat ndaj tij.


Vëzhguesit kanë thënë se disa nga ata që janë pasuruar gjatë qëndrimit të Millosheviqit në pushtet tani po përkrahin Gjingjiqin, dhe se ai po përpiqet ti mbrojë ata. Si kryeministri Serb ashtu edhe ministri i policisë kanë refuzuar deri më tani të komëntojnë rreth kësaj ngjarjeje.


Skandali seksual në Serbi është bërë publik vetëm disa javë përpara se të miratohej një taksë për pasurinë e vendosur gjatë viteve të fundit, të propozuar nga Obradoviq.


Pbradoviq kishte premtuar të botonte emrat e 7,000 kompanive të cilat do të duhet të paguanin këtë taksë, e cila sipas tij do të mblidhte rreth 5 miliard marka Gjermane.


Por në raportin e tij përfundimtar - i cili i është dhënë revistës Reporter e cila botohet në Banja Luka, disa ditë pas shkarkimit të tij - vetëm dy firma, Simpo nga Vranje, dhe Vujic, nga Valjevio, do të duhet të paguajnë. Taksa ndaj tyre do të jetë një shifër qesharake prej 9 milion Marka.


Përveç Simpos dhe Vujic, raporti përmendëte edhe 19 firma dhe individë të dyshuar për shkelje gjatë periudhës së Millosheviqit.


Një nga firmat më të mëdha, Mobtel, një kompani telefonash celularë në pronësi të familjes Kariq - një nga shtyllat e regjimit të Millosheviqit për pothuajse një dekadë - është kritikuar tepër lehtësisht.


Zoran Pavloviq, drejtori ekzekutiv i Braca Kariq - koncerni kryesor ekonomik i familjes - ka thënë se ata do të jenë të gatshëm të bashkëpunojnë me ekipin anti-korrupsion pasi të kenë marrë një kërkesë zyrtare.


Dokumenti i botuar përmendte edhe Milan Paniq, një biznesmen Serbo-Amerikan dhe ish kryeministër i Serbisë. Ai ka mbështetur Millosheviqin në fillim të viteve nëntëdhjetë. Më pas ata janë prishur dhe tani ai është tepër i afërt me Gjingjiqin dhe ministrin e drejtësisë Vladan Batiq.


Ekipi i Obradoviqit ka vënë në pikpyetje ligjshmërinë e privatizimit të ICN Galenika - fabrika më e madhe farmaceutike në Ballkan - të cilën Paniq e ka blerë me ndihmën e Millosheviqit në fillim të viteve 1990. Hetuesit mendojnë se qeveria Serbe është pronarja e ligjëshme e kompanisë.


Zëdhënësi i ICN-së, Dragan Krajoviq ka thënë: "Unë mundem tu them shkurtimisht atë që ka thënë Z. Paniq rreth kësaj histori: ICN mendon për të ardhmen, ndërsa Z. Vuk Obradoviq i përket së kaluarës".


Fakti që Kariq nuk do të paguajë asnjë taksë është tepër domethënës, sepse duket se tregon se edhe Obradoviq ka dashur të mbrojë disa njerëz. Kariq ka dhënë ndihmë financiare edhe për partinë e tij.


Megjithatë, Gjingjiq, mendohet të ketë dashur të dëmtojë perandorinë e Kariq. Asambleja e qytetit të Beogradit, ku Partia Demokratike, DS, e Gjingjiqit, kontrollon këshillin ekzekutiv, ka tërhequr fondet që ishin depozituar prej vitesh në bankën Astra të Kariqit.


Në të njëjtën kohë, Boris Tadiq, ministri federal i telekomunikacioneve dhe një zyrtar i DS, po përpiqet të bllokojë monopolin e kompanisë së Kariqit në fushën e telefonisë celulare. Për momentin, Mobtel dominon sektorin. Tadiq dëshiron edhe një kompani tjetër në këtë treg me qëllim që të shtojë konkurencën.


Në një zhvillim të mëtejshëm të kësaj krize, raporti i Obradoviqit kritikonte ministrin e policisë Mihajloviq se nuk kishte punuar sa duhej për të identifikuar ata që janë pasuruar gjatë dekadës së fundit.


Mihajloviq është themeluesi i kompanisë tregtare Lutra e cila ka pasur rezultate shumë të mira gjatë periudhës së Millosheviqit. Roli i tij në ekipin anti korrupsion ka qenë të hetojë tregtinë e cigareve, naftës dhe alkolit - fusha e biznesit të Lutra ka qenë pikërisht tregtia e naftës. Lutra nuk ka pranuar të bëjë asnjë koment.


Që prej shkarkimit të tij, Obradoviq ka deklaruar se disa anëtarë të ekipit të tij kanë penguar punën. Kjo, sipas tij, ka ndikuar edhe në paraqitjen e këtij raporti të shkurtër.


Në një përpjekje për të përmirësuar punën e tij, ai ka botuar një listë prej mbi 100 firmave, të cilat sipas tij kanë përfituar padrejtësisht gjatë periudhës së Millosheviqit. Obradoviq thotë se disa anëtarë të ekipit të tij kanë pasur hollësi të këtyre firmave por nuk kanë hetuar asnjë herë. "Disa nga këto raste as që nuk janë hapur," thotë ai.


Kriza për fushatën anti korrupsion është shumë më e madhe se rënia politike e Obradoviqit. Ajo tregon se politikanët Serbë janë shumë të përçarë mbi mënyrën se si të merren me të kaluarën e sundimit të Millosheviqit.


Nuk ka pasur garanci se Obradoviq do të shkulte nga rrënjët korrupsionin. Dhe ajo që është e sigurtë është se cilido që do ta pasojë atë do të duhet të fillojë nga fillimi, duke u lënë kështu kohë ministrave të fshehin fakte të papëlqyeshme për ta.


Zheljko Cvijanoviq është një gazetar i pavarur në Serbi.


Frontline Updates
Support local journalists