Votoni për 'Kriminelin e Luftës që Preferoni'

Nga Petar Lukoviq në Beograd. (BCR Nr.254, 8-Qershor-01)

Votoni për 'Kriminelin e Luftës që Preferoni'

Nga Petar Lukoviq në Beograd. (BCR Nr.254, 8-Qershor-01)

Serbët janë një popull paqedashës dhe tolerant, thonë ata, duke lënë më një anë të gjitha keqkuptimet e tyre, Sllobodan Millosheviqin dhe çdo gjë që ai përfaqësonte. 'Ne nuk e kemi dashur kurrë atë,' thonë Serbët tani. Ne mund të kemi votuar për të për më tepër se një dekadë, por e kemi bërë këtë gjë për të keqen e tij.


Serbia e re, e përmirësuar dëshiron që Europa të pranojë këtë vend të ri të reformuar i cili i ka thënë lamtumirë së kaluarës dhe ka kthyer sytë nga e ardhmja e saj e mrekullueshme.


Por një anketim i fundit i opinionit publik ka hedhur një hije të rëndë mbi këtë idil të së ardhmes. E gjithë kjo filloi kur agjensia e reklamave në Beograd Marketingu Strategjik ka vendosur të pyesë njerëzit se cilët janë heronjtë e tyre.


Fillimisht është dukur një pyetje shumë e pafajëshme për Serbët kozmopolitan, dhe ata i janë përgjigjur pa ndonjë problem anketuesve. Në vend të parë ka dalë Ratko Mlladiq, i dyti Radovan Karaxhiq dhe i treti Zheljko Raznatoviq "Arkan" - i cili kishte kaluar me pak vota Sllobodan Millosheviqin.


Një nga cilësitë e përbashkëta të të gjithë heronjve më të pëlqyer të kombit është se ata janë kriminelë lufte - njëri prej tyre tashmë ka vdekur, njëri ndodhet në burg, dhe dy të tjerët janë zhdukur.


Çfarë do të thotë kjo për mentalitetin e vendit - a po vuan nga humbja kolektive e memorjes apo nga një psikozë?


Por le të vazhdojmë më tej. Kjo nuk ka qenë pyetja e vetme. Pyetja e dytë në formularët e anketuesve ka qenë "Cili është fajtor për luftërat në ish Jugosllavi?" Dhe rezultati ka qenë: fajtori më i madh, Franjo Tugjman, i pasuar nga Alija Izetbegoviq dhe Millosheviq.


Populli tepër kritik ndaj vetes i është përgjigjur edhe pyetjes së tretë. "Cilat kanë qenë shkaqet kryesore që sollën luftërat e fillimit të viteve Nëntëdhjetë?" Njerëzit i janë përgjigjur: Nacionalizmi Kroat, Interesat Amerikane, dhe shpërbërja e BS, si edhe Islamistët e Alija Izetbegoviqit.


Askush nuk ka përmendur shkrimtarin ideolog Dobrica Cosiq, Akademinë Serbe të Arteve dhe Shkencave, Kishën Ortodokse Serbe, gjeneralët e Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe as Vojisllav Shesheljin. As masakrat dhe genocidin. Ne nuk kemi pasur aspak gisht!


Një çështje tjetër interesante që ka dalë nga anketimi është se dhjetë përqind e Serbëve dinë ndonjë gjë për krimet e luftës të cilat mund të jenë kryer nga bashkëkombësit e tyre. Megjithatë 85 përqind e tyre janë plotësisht të bindur se ndaj Serbëve janë kryer krime.


Unë nuk dëshiroj t'ju mërzis me kompleksin Serb të viktimësçkriminelit. Ajo që dëshiroj të theksoj është se në këtë vend kanë ndryshuar shumë pak gjëra. E për çfarë ndryshimesh mund të flasim nëse jemi të gjithë nën hijen e Gjeneralit Mlladiq? E si mund të predikojmë tolerancë kur Radovan Karaxhiq është zëdhënësi ynë?


Serbia sot po pretendon se tani ka kuptuar diçka nga tragjeditë e saj të shkuara. Në një farë mënyre, nëpërmjet syzeve të saj të mjegulluara ajo ende vazhdon të shohë idenë e një Serbie të madhe.


Mund të dëgjosh të qarat për heronjtë e Serbisë, tokat e vjetra të saj … Po, çmenduria jonë nuk është një fazë kalimtare, ajo është një gjendje e përherëshme.


Por nëse për një moment harrojmë, kemi ende shpatën e Damokleut të komunitetit ndërkombëtar që na qëndron mbi kokat tona ëndërrimtare. Kjo shpatë premton të na bjerë mbi kokë nëse ne nuk bashkëpunojmë me Hagën. Nëse nuk dorëzojmë Millosheviqin, ndihmat do të ndërpriten, paratë do të bllokohen dhe në fakt Serbia do të thahet.


Por nuk ka gjë! Ne mund ta përballojmë edhe një gjë të tillë. E përditëshmja e Beogradit Politika prej muajsh përpiqet ti shpjegojë lexuesve të saj se përse heroi numër katër - Sllobodan Millosheviq - nuk duhet të dërgohet në Hagë dhe për këtë qëllim po përdor një numër ekspertësh lokalë për të shpjeguar arësyet e këtij kundërshtimi.


Këta ekspertë shpjegojnë se nëse ai dërgohet në Hagë kjo do të thotë shkatërrim i identitetit tonë, se juristët e gjykatës nuk kanë asnjë provë për akuzat e tyre. Dhe sidoqoftë, Haga është thjesht një gjykatë e ngritur kundër Serbëve.


Unë dëshiroj të theksoj kontributin e çmuar të Momçillo Perishiqit, shefit të shtabit të përgjithëshëm të Ushtrisë Jugosllave gjatë Luftës në Bosnje dhe tani drejtues i një partie të vogël e cila bën pjesë në koalicionin qeveritar Opozita Demokratike Serbe, DOS.


Perishiq thotë se Millosheviqi nuk duhet të dërgohet në Hagë sepse, sipas tij, gjykata do të tërheqë të gjitha akuzat ndaj tij. Përse? Të gjithë e dinë se Millosheviqi ka bashkëpunuar me agjensitë e zbulimit Amerikane prej vitesh. Gjenerali i dikurshëm i hedh idetë e tij njësoj si hidhte dikur bomba mbi Mostar.


Prandaj, unë sugjeroj që ne të organizojmë një konkurs për "Heroin e Cmendur". Unë menjëherë do të thoja se numri një është gjenrali Perishiq! Sepse, me ose pa uniformë, kredencialet e këtij njeriu nuk kundërshtohen.


Petar Lukoviq, një komentator i njohur në Serbi, është redaktor i projektit të IWPR-së në Beograd.


Balkans, Serbia
Frontline Updates
Support local journalists