Vota e Protestës Boshnjake

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Bosnje tregojnë për një mospranim të qeverisë të korruptuar jo demokratike.

Vota e Protestës Boshnjake

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Bosnje tregojnë për një mospranim të qeverisë të korruptuar jo demokratike.

Rezultatet e zgjedhjeve lokale në Bosnje tregojnë se boshnjakët, grupi më i madh etnik në vend, kanë humbur besimin ndaj nacionalizmit, ndërsa fqinjët e tyre serb dhe kroatë i kanë mbetur besnik besimit të tyre politik.


Por po të shihet me kujdes një konkluzion i ndryshëm mund të nxirret nga rezultatet - vota boshnjake ka pasur më pak të bëjë me nacionalizmin se sa me hedhjen poshtë të autoriteteve të korruptuara dhe të pasuksesshme të republikës.


Partia e moderuar Social Demokrate, SDP, e Zlatko Lagumxhijas ka fituar më shumë vota se nacionalistët boshnjakë të Alija Izetbegoviq, të Partisë së Veprimit Demokratik, SDA.


Partia e Lagumxhijas triumfoi në pjesën më të madhe të qyteteve kryesore të Federatës - Sarajevo, Zenica dhe Tuzla. SDA-ja është ndëshkuar për pazotësinë e saj për të luftuar korrupsionin në rritje dhe problemet sociale dhe ekonomike. "Njerëzit kanë votuar kundër SDA-së, më shumë se sa në favor të SDP-së," thotë analisti politik Rasim Ljajiq.


Lagumxhija mendon se këto zgjedhje shënojnë "këngën e lamtumirës për partitë nacionaliste" dhe se zgjedhjet e përgjithëshme të tetorit mund të hapin derën partive reformiste në rradhët e serbëve dhe kroatëve tani që votuesit boshnjak kanë bërë hapin e parë.


Në zonat kroate dhe serbe partitë tradicionale nacionaliste - Bashkimi Demokrat Kroat, HDZ, dhe Partia Demokratike Serbe, SDS - kanë ruajtur mbështetjen e shumicës së votuesve.


Megjithatë partitë reformiste kanë regjistruar një rritje të përkrahjes ndaj tyre, duke zvogëluar ndjeshëm pjesën e votave të fituara nga nacionalistët.


Megjithëse akoma nuk ka përfunduar numërimi i votave, SDA-ja, HDZ-ja dhe SDS-ja duket se kanë marrë respektivisht 300,000, 150,000 dhe 34,000 vota më pak se në zgjedhjet e kaluara lokale në vitin 1997. Serbët e Bosnjes kanë votuar kundër drejtuesve të tyre për të njëjtat arësye që boshnjakët votuan kundër liderëve muslimanë - korrupsioni dhe abuzimi me institucionet demokratike.


Gjatë dy vjetëve të fundit komuniteti ndërkombëtar ka mbështetur me çdo çmim administratën e Milorad Dodik. Pas zgjedhjeve parlamentare të shtatorit 1998, Dodik ka humbur shumicën e tij parlamentare dhe mundësinë për të krijuar një qeveri. Ai ka mbijetuar si kryeministër vetëm në sajë të përkrahjes së komunitetit ndërkombëtar, i cili e konsideronte atë si të vetmin serb të Bosnjes të moderuar.


Vota tepër e rëndësishme për të zgjedhur Dodik në postin e kryeministrit, për shembull, është vonuar derisa helikopterët e SFOR-it kërkonin një anëtar të parlamentit duke e sjellë atë me urgjencë në parlament për të votuar.


Pas 1998 komuniteti ndërkombëtar frikësohej se parlamenti do të binte përsëri në kontrollin e udhëheqësve nacionalistë të kohës së luftës dhe vendosi të luftonte forcat jodemokratike me metoda jodemokratike. Megjithëse mendohej si një strategji pa rrezik për një farë kohe, kjo u provua si një strategji shkatërrimtare.


Parlamenti i Republika Srpska është parandaluar sistematikisht të krijojë një shumicë kundër Dodik. Ka rreth një vit tashmë që entiteti është pa një president pas shkarkimit të Nikola Poplasen, lideri i Partisë Radikale Serbe, nga ana e komunitetit ndërkombëtar për arësye se ai pengonte procesin e paqes.


Nga të gjitha institucionet e qeverisë vetëm qeveria e Dodik vazhdojë të funksionojë. Edhe kësaj i mungon legjitimiteti, sepse ka humbur mandatin në zgjedhjet e 1998.


Për votuesit në Republika Srpska, Dodik është i vetmi mbajtës i pushtetit. Ai ka humbur besimin e këtyre votuesve, të cilët tani i lidhin autoritetet me korrupsionin dhe shkatërrimin ekonomik. Një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Dodik ka qenë i lidhur me një skandal të kontrabandës së cigareve. Njoftimet e mediave të verës së kaluar kanë bërë të ditur edhe një skandal tjetër në rafinerinë e Brod. Drejtorët e kompanisë, të emëruar nga Dodik, nuk pranuan të paguanin taksa për shumën rreth 26 milion dollarë amerikan për një kohë prej rreth 4 muajsh. Ndërkohë shkalla e papunësisë ka arritur në 56 përqind.


Megjithatë partia e Dodik, Social Demokratët e Pavarur, SNSD, e ka rritur numrin e votave të fituara nga 56,000 në vitin 1998 në 93,000. Pjesa më e madhe e këtyre votave të reja kanë ardhur nga përkrahësit reformistë të ish koalicionit qeveritar Sloga, i cili ka pësuar një humbje të ndjeshme në zgjedhje.


Disa nga votat e Sloga-s kanë shkuar edhe për SDS-në, e cila është përpjekur shumë të tregohet si një parti jo e linjës së ashpër nacionaliste.


Por votuesit më të deziluzionuar të Sloga-s kanë zgjedhur Partinë për Progres Demokratik, PDP, të drejtuar nga Mladen Ivaniq, një profesor i ekonomisë nga Banja Luka dhe një i moderuar. Megjithëse është krijuar vetëm para katër muajsh, PDP-ja fitoi 54,000 vota.


Suksesi i PDP-së dhe shpërndarja e votave të Sloga-s tregon edhe drejtimet e votës boshnjake. Askush nuk është deklaruar me forcë kundër nacionalizmit por kundër qeverisjes së paaftë. Këto rezultate nuk do të thonë se në Republika Srpska nuk ka forca reformiste.


E ardhmja e reformave në Republika Srpska varet nga komuniteti ndërkombëtar dhe nëse ai është i përgatitur të vazhdojë të përkrahë Dodik, në kundërshtim të dukshëm me votuesit serb, të cilët nuk e konsiderojnë atë si një forcë reformuese.


Zheljko Cvijanoviq është gazetar i pavarur nga Republika Srpska.


Support our journalists