Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Ushtria Maqedonase Përfshihet nga Skandale

Ndërhyrja e qeverisë po fajësohet për një valë korrupsioni dhe mungese disipline në forcat e armatosura maqedonase.
By Zeljko Bajic

Efikasiteti i ushtrisë maqedonase është dëmtuar rëndë nga një sërë skandalesh, dezertimesh dhe mospranimesh për të kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak.


Për këtë krizë po fajësohet qeveria, e cila po përpiqet të kontrollojë njerëzit disidentë në rradhët e forcave të armatosura. Autoritetet janë akuzuar se po mbushin rangjet e larta të ushtrisë me aktivistë të partive në pushtet, të cilët nuk kanë ekperiencën e duhur në fushën ushtarake.


Gjendja e rëndë e ushtrisë ka shkaktuar reagimin e opozitës, e cila ka kërkuar shkarkimin e disa anëtarëve të qeverisë. Ministri i mbrojtjes, Nikola Klusev, kohët e fundit përballoi me vështirësi një votëbesim në parlament të kërkuar nga social demokratët.


Një hetim i qeverisë ka implikuar zyrtarë të lartë të ministrisë së mbrojtjes në kontrabandën e barutit për në një fabrikë armësh në Jugosllavinë fqinje. Fajtorët janë shkarkuar, por vetëm pak muaj më vonë u zbulua një përpjekje tjetër për të eksportuar raketa-hedhës krahu.


Ushtria është goditur edhe nga një sërë skandalesh të tjerë më të vegjël, por jo më pak të dëmshëm. Shoferi i Klusev është akuzuar nga një pastruese që shërben në shtabin e qytetit të Bitolas për ngacmime seksuale; një numër ushtarësh janë vënë nën hetim, sepse kanë marrë para nga shqiptarët që përpiqen të kalojnë kufirin për në Maqedoni; dhe dyzet anëtarë të një batalioni të trupave të zgjedhura janë transferuar në njësi të tjera pasi kishin marrë pjesë në një rebelim.


Megjithatë pa dyshim incidenti më i rëndë ka qenë vendimi i qeverisë për të shkëmbyer komandantin e UÇK-së Xhavit Hasani me katër ushtarë maqedonas të kapur nga njerëz të dyshuar si anëtarë të Trupave Mbrojtjese të Kosovës. "Terrorizmi tani ka zënë rrënjë në Maqedoni," thotë Vladimir Buçkovski, zëdhënësi i Partisë Social Demokrate. "Qeveria jonë po shkëmben ushtarët tanë më një kriminel. Ky është një turp si për shtetin ashtu edhe për qytetarët e tij."


Në të njëjtën kohë njoftohet se janë në rritje dezertimet dhe mospranimi për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Ministria e mbrojtjes e mohon këtë, por nuk mund të fshehë faktin se ka kohë që ajo po has vështirësi në thirrjen nën armë të rekrutëve të rinj, sidomos nga familjet e pasura e të respektuara maqedonase dhe nga komuniteti etnik shqiptar.


Goran K, student i shkencës së kompjuterëve, është një nga të rinjtë e shumë maqedonas të cilët nuk e pëlqejnë faktin se duhet të kryejnë shërbimin ushtarak. "Të shkosh ushtar është vetëm humbje kohe dhe parash. Tani unë punoj për një OJQ në mëngjes dhe për firmën e babait pasdite. Nëse duhet të shkoj në ushtri, nuk do të fitoj më para."


Një marrëveshje ndërmjet autoriteteve të Shkupit dhe NATO-s e ka ulur numrin e ushtrisë maqedonase nga 22,000 në 16,000 njerëz. Por ushtarakët e kanë kaq të vështirë të rekrutojnë njerëzit saqë do të jenë me fat të grumbullojnë 10,000 njerëz në vit.


Ndërkohë oficerë të ushtrisë maqedonase janë të shqetësuar se marrëveshja me NATO-n do të rrezikojë vendet e tyre të punës, sepse ata do të kenë më pak trupa për të komanduar. Bashkimi i pavarur ushtarak i ka shkruajtur së fundi një letër Klusevit duke shtruar këto shqetësime. Ministri vetëm sa premtoi se do të shkurtonte numrin e tyre gradualisht.


Analistët mendojnë se kriza në forcat e armatosura është rrjedhojë e politizimit të ushtrisë nga ana e koalicionit qeveritar. Partitë në pushtet, veçanërisht VMRO-DPMNE, kanë futur në rradhët e ushtrisë një numër të madh civilësh, të cilët janë pothuajse të gjithë aktivistë të partisë që punojnë në ministrinë e mbrojtjes.


Këto emërime janë bërë për të ushtruar një kontroll politik ndaj ish-oficerëve të Ushtrisë Jugosllave, JNA, të cilët dyshohen se kundërshtojnë pavarësinë e Maqedonisë dhe se kanë lidhje të ngushta me social demokratët.


Futja e personelit civil me njohuri minimale në çështjet ushtarake ka dëmtuar rëndë efektivitetin e ushtrisë. Oficerët ankohen se kjo gjë ka pakësuar mundësitë e tyre për karierë. Një oficer në korpusin e Bitolas, i cili preferon të mos identifikohet, thotë: "Unë njoh disa oficerë të lartë, të cilët prisnin për një promovim, por e humbën këtë mundësi për shkak të të përzgjedhurve të partisë."


Ky politizim po del tani edhe në forcat policore. Ministrja e brendshme, Dosta Dimovska, ka shkarkuar kohët e fundit mbi njëqind oficerë policie dhe i ka zëvendësuar me njerëz të lidhur me partinë në pushtet. Ky hap kërcënon neutralitetin dhe profesionalizmin e shërbimit.


Zheljko Bajiq është korrespondent i rregullt i IWPR-së.