Regjimi Mbyll Universitetet
Studentët po përballen të parët me dhunën në rritje në Serbi.
Regjimi Mbyll Universitetet
Studentët po përballen të parët me dhunën në rritje në Serbi.
Fakulteti i Bujqësisë në Universitetin e Beogradit ka qenë dëshmitar i një konfrontimi të përgjakshëm të martën në mbrëmje (23 maj). Pesëmbëdhjetë të rinj, të veshur njësoj dhe me maska kanë sulmuar studentët protestues duke i qëlluar me shkopinj bejsbolli. Studentët ishin mbledhur për të protestuar kundër veprimeve të mëparshme të policies, e cila kishte rrahur një nga shokët e tyre. U plagosën rreth 10 studentë.
Temperatura në Beograd po rritet në prag të mitingut të planifikuar nga Otpor për të shtunën, 27 maj. Çdo ditë dhe orë një përkrahës i Otpor apo i opozitës merret në pyetje apo keqtrajtohet. Të enjten ministri jugosllav i arsimit, Jevrem Janiq urdhëroi mbylljen e universiteteve brenda 24 orëve.
Megjithatë këto kërcënime vetëm sa po shtojnë tensionin edhe më shumë. Tani nuk ka më informacion të vërtetë. E gjithë media opozitare praktikisht është mbyllur. Fjalët shpërndahen nga goja në gojë. Pas mitingut të shtunën njerëzit presin që regjimi të kryejë arrestime në masë duke shtypur rebelimin.
Që prej vitit 1991 lëvizjet e protestave studentore si edhe opozita serbe në përgjithësi nuk kanë qenë të bashkuara dhe nuk kanë pasur seriozitetin e duhur për të sulmuar qeverinë e Millosheviqit. Ato kanë qenë diçka më shumë se bishta të partive politike dhe rrallë kanë paraqitur kërkesat e tyre.
Në vitin 1992 disa dhjetra mijëra studentë kanë marshuar tek vila e Millosheviqit në Dedinje për të kërkuar dorëheqjen e tij. Por edhe atëherë nuk ndryshoi asgjë. Me luftërat që vazhdonin në Kroaci e Bosnje regjimi shfrytëzoi me sukses euforinë nacionaliste për të shtypur rezistencën studentore si dhe protestat e opozitës.
Vetëm në fund të 1996-ës dhe në fillim të 1997-ës, kur Millosheviqi u duk me të vërtetë i dobësuar, studentët arritën të tregonin focën e tyre. Së bashku me opozitën, e cila ishte për herë të parë e bashkuar, studentët rrethuan ndërtesat e fakulteteve të Universitetit të Beogradit dhe ndërprenë leksionet në të gjithë Serbinë për disa muaj. Protestat detyruan edhe dekanin e Universitetit të Beogradit të jepte dorëheqjen.
Por Millosheviqi përdori disa taktika të njohura dhe të provuara për të zbutur protestat. Ashtu si disa herë regjimi ka përçarë opozitën duke i bërë disa lëshime disa prej drejtuesve të saj. Edhe këtë herë ai mori masa për rinovimin e ndërtesave të banimit të studentëve, bursat filluan të paguheshin në kohë dhe studentëve iu dha më tepër kohë për të studiuar përpara provimeve. Pas këtyre masave energjia kundër regjimit u pakësua.
Ndërkohë shumë studentë nga qendrat urbane - të cilët kanë qenë më shumë kritikë ndaj Millosheviqit - janë larguar nga vendi dhe vendet e tyre janë zënë nga refugjatë e fëmijë nga provincat për të cilët presidenti serb është një model i mirë. Mbi 10,000 studentë nga provincat jetojnë në Qytetin e Studentëve në Beogradin e Ri. Ideologët e regjimit e vizitojnë rregullisht këtë qendër. Këto takime fillojnë dhe mbarojnë me himne patriotike e muzikë popullore.
Qyteti i Studentëve dërgon pjesën më të madhe të telegrameve të përkrahjes për Millosheviqin në betejën e tij ndaj Rendit të Ri Botëror. Të trembur, të painteresuar, të blerë për tre vakte ushqimi në ditë - këta studentë janë ndryshe nga kolegët e tyre që vijnë nga qendrat urbane.
Megjithatë Otpor u krijua vitin e kaluar, fillimisht si një organizatë studentore alternative. Por ajo shpejt u shndërrua në një lëvizje të vërtetë rezistence në të gjithë Serbinë. Bërthama e Otpor, në Beograd dhe qytete të tjera në të gjithë vendin, përbëhet nga njerëz të rinj, të shkolluar dhe të aftë, të cilët e kanë bezdisur së tepërmi regjimin me taktikat e tyre të pazakonta.
Kjo është edhe arsyeja e përgjigjes histerike të regjimit. Policët, të cilët sillen rreth ndërtesave të fakulteteve duke rrahur këdo që gjejnë, është provë e mjaftueshme që autoritetet ndjehen të pamundura për të ndaluar protestat.
Grevat e studentëve në Fakultetin Bujqësor, Fakultetin e Inxhinierisë Civile, Fakultetin Mjekësor dhe atë Filozofik janë vetëm maja e aisbergut. Nën sipërfaqe zemërimi dhe indinjata po arrijnë pikën e vlimit.
Duhet pranuar se është e vështirë që vetëm veprimet e studentëve do të jenë të mjaftueshme dhe vendimtare në këtë periudhë trazirash që pritet të vijë. Por këto protesta mund të shërbejnë si katalizator.
Aktivitetet e Otpor tregojnë se shpirti i qytetarëve akoma nuk është thyer dhe e paraqet Qytetin Studentor pro Millosheviqit thjesht si një mirazh.
Dhuna policore dhe sulmet mbi studentët nga psikopatë paraushtarakë vetëm sa shkaktojnë më tepër trazira dhe pasiguri në Serbi, ku çdo formë dhune dhe terrori shtetëror duken të mundshme.
Kërkesat e studentëve janë më radikale se ato të paraqitura nga drejtuesit e opozitës. Thirrjet e njerëzve si Vuk Drashkoviq për durim, demonstrata jo të dhunshme, tërheqje graduale e qetësi, premtojnë vetëm se Millosheviq do të mbesë aty ku është. Këto protesta me gjysëm zëri vetëm e forcojnë regjimin.
Sfida e studentëve është i vetmi test me të cilin përballet regjimi. Gjatë ditëve dhe javëve të ardhshme do të shohim nëse protestat masive të njoftuara do të provokojnë një përgjigje të përgjakshme nga ana e Millosheviqit apo nëse ai do të përdorë përsëri taktikat e tij të njohura për të blerë drejtuesit e opozitës të etur për pushtet.
Shpresat mbeten se Otpor nuk do të përsërisë dështimet e parardhësve të tij. Këta studentë vijnë nga një brez tjetër, i cili është rritur praktikisht nën hijen e Sllobodan Millosheviqit.
Studentët e Serbisë tani përballen me provimin më të rëndësishëm dhe për ta kaluar atë me nder krimineli i luftës Millosheviq duhet të largohet.
Petar Lukoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.