Pavarësia e Malit të Zi Mbetet Pezull

Koalicioni pro pavarësisë në Mal të Zi arrin një fitore si e Pirros

Pavarësia e Malit të Zi Mbetet Pezull

Koalicioni pro pavarësisë në Mal të Zi arrin një fitore si e Pirros

Koalicioni pro pavarësisë i drejtuar nga presidenti i Malit të Zi Milo Gjukanoviq ka mundur ngushtësisht kundërshtarët e tij pro Jugosllavisë në zgjedhjet parlamentare të së Dielës.


Rezultati i ngushtë - vetëm 2 përqind diferencë - do të thotë se presidenti ndoshta nuk do të rrezikojë të mbajë një referendum për pavarësinë këtë verë.


Komuniteti ndërkombëtar tani mund të marrë frymë i lehtësuar. Një fitore bindëse e grupimit pro pavarësisë do të kishte siguruar një plebishit dhe tërheqjen pothuajse të sigurtë të Malit të Zi nga federata Jugosllave. Një gjë e tillë më pas do të ngrinte edhe çështjen e së ardhmes së Kosovës.


Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviqit, DPS, e cila ka thirrur edhe zgjedhjet e parakohëshme, do të ndjejë padyshim edhe pasojat e këtij rezultati. Megjithëse koalicioni qeveritar ka fituar, DPS ka humbur shumicën e saj të absolute në parlament. Rezultatet e pjesëshme tregojnë se blloku i Gjukanoviqit do të fitojë rreth 36 vende, ndërsa partitë pro federatës 33.


Mbështetësit e presidentit kishin menduar se do të fitonin një shumicë absolute në parlament. DPS-ja ka dominuar në politikën Malazeze që prej një dekade dhe rezultati i së Dielës i ka tronditur ata.


Partitë humbëse në fakt po festojnë për rezultatin. Media Serbe, duket se është e kënaqur dhe e ka përshkruar fitoren e Gjukanoviqit si një fitore e Pirros.


Koalicioni “Së Bashku për Jugosllavinë”, i cili përfshin Partinë Popullore Socialiste, Partinë Popullore dhe Partinë Popullore Serbe, ka marrë 40 përqind të votave. Blloku i Gjukanoviqit i përbërë nga DPS dhe Partia Social Demokrate ka fituar 42 përqind.


Përveç 36 vendeve në parlament të fituara nga koalicioni i Gjukanoviqit, edhe nëntë vende të tjera mendohet se do të fitohen nga partitë e tjera pro pavarësisë - gjashtë nga Aleanca Liberale dhe tre nga dy partitë Shqiptare - duke e çuar numrin e vendeve të kontrolluara nga këto parti në 45 nga 77 vende gjithsej.


Me qëllim për të formuar një qeveri, Gjukanoviq do të duhet të bashkojë forcat me Liberalët dhe ndoshta edhe partitë Shqiptare.


Megjithatë, të gjitha partitë pro pavarësisë së bashku nuk mund të kontrollojnë shumicën prej dy të tretash të nevojëshme për të miratuar lirisht ligjin për thirrjen e referendumit për shkëputje. Partitë e koalicionit së Bashku për Jugosllavinë kanë thënë përpara zgjedhjeve se ato do të bojkotonin çdo hap në këtë drejtim.


Presidenti Gjukanoviq tani përballet me një situatë të vështirë. Partnerët e tij të mundëshëm në koalicion, Liberalët, kanë kërkuar pavarësinë që prej vitit 1990 dhe pothuajse është e sigurtë që do të vendosë si kusht për pjesëmarrje në qeveri thirrjen e referendumit.


Zëdhënësja e Liberalëve Vesna Peroviq ka thënë për agjensinë e lajmeve Beta natën e zgjedhjeve se “Unë parashikoj një fillim të shpejtë të bisedimeve për krijimin e qeverisë dhe kushti ynë do të jetë thirrja e menjëherëshme e një referendumi dhe që pyetja në referendum të jetë shumë e qartë”.


Liberalët ka mundësi të kërkojnë gjithashtu edhe vende të rëndësishme për anëtarët e partisë së tyre, si ministrinë e brendëshme - një mjet i rëndësishëm kontrolli i Gjukanoviqit gjatë dekadës së fundit.


Rezultatet e paqarta natyrisht që do të shtojnë presionin nga jashtë ndaj Gjukanoviqit. Gjatë gjithë fushatës elektorale, komuniteti ndërkombëtar ka hedhur parrullën “Mali i Zi në kuadër të Jugosllavisë Demokratike” duke inkurajuar kështu bllokun pro Beogradit.


Të Hënën, Ministrja e jashtëme Suedeze Ana Lind ka thënë se rezultatet “nuk japin një mandat të qartë për të vazhduar me referendumin për pavarësinë … shoqëria është dukshëm e ndarë për sa i përket çështjes së statusit të ardhëshëm të Malit të Zi”. Suedia tani kontrollon presidencën e Bashkimit Europian.


Gerard Shtudman, drejtor i departamentit të të drejtave të njeriut në Organizatën për Sigurim dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, ka thënë: “Komuniteti ndërkombëtar ka mbajtur një qëndrim të pandryshuar që këto çështje duhet të zgjidhen nëpërmjet bisedimeve. Unë mendoj se ky rezultat do të konfirmojë se kjo është e vetmja rrugë zgjidhje”.


Zyrtarë të lartë të BE-së, përfshirë Sekretarin e Jashtëm Britanik Robin Kuk, do të vizitojnë së shpejti Podgoricën, ndoshta për të sjellë të njëjtin mesazh.


Ndërkohë, presidenti Jugosllav Vojislav Koshtunica ka mirëpritur rezultatin. “Zgjedhjet kanë treguar vitalitetin e idesë se Serbia dhe Mali i Zi janë një shtet,” ka thënë Koshtunica për agjensinë e lajmeve Tanjug. Ministri i Drejtësisë së Serbisë Vladen Batiq u ka bërë thirrje drejtuesve të Malit të Zi të fillojnë bisedimet me Beogradin për të ardhmen e shtetit të përbashkët.


Pak orë pas mbylljes së kutive të votimit, përkrahësit e bllokut pro Jugosllav kanë filluar të mblidhen në qendër të Podgoricës duke kënduar këngë “Cetnike” dhe duke përshëndetur në mënyrë tradicionale Serbe me tre gishta. Disa nga njerëzit që festonin kanë qëlluar edhe me armë në ajër. Drejtuesi i “Së Bashku për Jugosllavinë” Predrag Bulatoviq ka deklaruar se “nuk do të ketë asnjë referendum për pavarësinë e Malit të Zi”.


Ndërkohë, disa qindra metra më larg në ndërtesën e qeverisë, përkrahësit e Gjukanoviqit kanë pritur deri në orët e para të mëngjesit që dikush të lajmëronte për fitoren. Në ndërtesën qëndrore të DPS-së ndihej haptazi paniku dhe tensioni.


Por në një miting pas zgjedhor, presidenti Gjukanoviq u ka thënë përkrahësve të tij se “ne do të fillojmë që nesër të marrim masat për të krijuar një qeveri të vendosur për një Mal të Zi të pavarur, demokratik dhe pro Europian”.


Mbështetja për pavarësinë e Malit të Zi nuk ka qenë kurrë më e madhe. “Vetëm 28 përqind e qytetarëve të kësaj republike kanë mbështetur pavarësinë e Malit të Zi tre vjet më parë - tani ne jemi 57 përqind,” ka thënë drejtuesi i SDP-së Zarko Rakçeviq natën e zgjedhjeve. Ai ka përfshirë në këtë total edhe Liberalët dhe partitë Shqiptare.


Megjithatë, mbështetja nuk është ende e mjaftueshme për të realizuar së shpejti pavarësinë. Presidenti është kritikuar nga disa drejtime se nuk është bashkuar me Liberalët përpara zgjedhjeve. Gjukanoviq ishte i sigurtë se do të fitonte shumicën absolute.


Ai është dëmtuar edhe nga rrëzimi i ish presidentit Jugosllav Slobodan Millosheviq gjë e cila ka larguar dy aleatë të rëndësishëm për të - Perëndimin dhe opozitën demokratike në Beograd.


Komuniteti ndërkombëtar dhe qeveria e re Serbe kanë mbështetur aleatët e dikurshëm të Millosheviqit në Mal të Zi, partitë pro Jugosllave, duke thelluar kështu përçarjet në republikën e vogël dhe duke shtuar ndjenjën e pasigurisë.


Sido që të ndodhë, Mali i Zi duket se do të mbetet një shoqëri e përçarë - ndërmjet Beogradit dhe ëndërrave për pavarësi.


Milka Tadiq është redaktore e Monitor, një revistë e përjavëshme me qendër në Podgorica.


Serbia, Kosovo
Support our journalists