PARTITE NE SERBI LUFTOJNE PER KONTROLLIN E POLICISE SEKRETE
Dëshira për të kontrolluar këtë strukturë dikur të frikëshme vazhdon të mbetet tepër e madhe për shumë politikanë demokratik.
PARTITE NE SERBI LUFTOJNE PER KONTROLLIN E POLICISE SEKRETE
Dëshira për të kontrolluar këtë strukturë dikur të frikëshme vazhdon të mbetet tepër e madhe për shumë politikanë demokratik.
Partitë më të mëdha në bllokun pro demokracisë në Serbi, të cilat do të krijojnë qeverinë e re, po luftojnë për të kontrolluar policinë secrete dikur tepër të fuqishme dhe të frikëshme, të njohur tani si Agjensia e Sigurisë dhe Informacionit, BIA.
Shefi i tanishëm i BIA, Misa Miliceviq, megjithëse i emëruar politikisht, ka arritur të distancojë me sukses agjensinë që drejton nga kontrolli politik, por që prej zgjedhjeve të dhjetorit 2003 disa drejtues të partive kanë filluar të kërkojnë të ushtrojnë influencë mbi shërbimet sekrete.
Njerëz të cilët e njohin mirë agjensinë në Beograd thonë se interesat e ndryshme të politikanëve mund të bëjnë që agjensia të gjendet në një udhëkryq të rrezikshëm, ku një rrugë e con drejt demokratizimit dhe përgjegjshmërisë, ndërsa tjetra e rikthen në politizim të thellë dhe shkelje të ligjeve.
Synimi më i qartë për të ndikuar mbi BIA është shprehur në muajin shkurt nga koalicioni monarkist - Lëvizja për Ripërtëritje Serbe, SPO, dhe Serbia e Re, NS - ndoshta edhe për arësyen se kryetari i SPO, Vuk Drashkoviq, ka qenë në shënjestër të dy përpjekjeve për ta vrarë të cilat kanë dështuar në vitin 1999 dhe 2000, ku shërbimet sekrete kanë qenë të përfshira.
Pasi partitë e tjera në bllokun pro demokracisë - Partia Demokratike e Serbisë, DSS, dhe G17 Plus - kanë kundërshtuar kërkesën e Drashkoviq për të marrë postin e drejtorit të BIA, ai ka kërkuar atë të zëvendës drejtorit.
Megjithatë, mendohet se fjalën e fundit mbi emërimin e drejtuesve të rinj të BIA do ta thotë DSS, sepse kjo është partia më e madhe në bllok dhe ka qenë edhe ajo më aktivja kundër abuzimeve të policisë sekrete për qëllime politike gjatë regjimit të Millosheviq dhe më pas.
Ndërsa mediat e Beogradit kanë njoftuar se posti drejtues i BIA mund ti jepet Rade Bulatoviq apo Gradimit Naliq, të dy këshilltarë të Vojisllav Koshtunica, kryetar i DSS, Bullatoviq ka mohuar më 23 shkurt se ai kishte marrë ndonjë ofertë për këtë post.
Ai ka shtuar se politikanët nuk duhet të shprehin më interes kaq të madh në këtë post sepse ai nuk ka më pushtetin që ka pasur dikur. "Policia e fshehtë do të bëjë vetëm detyrën e saj dhe do të kontrollohet nga parlamenti," ka thënë ai.
Kërkesat e politikanëve kanë nxitur një debat publik të paprecedent mbi të ardhmen e BIA. Disa mbështesin idenë që ajo duhet të trajtohet si pjesë e shpërblimit politik i cili i jepet cdo partie që fiton zgjedhjet, megjithëse kjo do të thoshte një ndërprerje e reformave të nisura në gjirin e organizatës. Të tjerë kërkojnë depolitizimin e plotë të saj.
Në të kaluarën, policia e fshehtë ka vepruar si një nga shtyllat më të rëndësishme të regjimit dhe si një pushtet më vete. Atëherë e njohur me emrin Shërbimi e Sigurisë Shtetërore të Serbisë, RDB, ajo ka qenë një prej mjeteve më të rëndësishme të përdorura nga Millosheviqi për zbatimin e planeve të tij për luftë, mbajtjen e lidhjeve me krimin e organizuar dhe kontrollimin e disidentëve politik.
RDB gjithashtu mendohet se ka qenë përgjegjëse edhe për vrasjen e Ivan Stamboliq, ish president i Serbisë dhe dikur rival i Millosheviq, dhe për përpjekjet për vrasjen e drejtuesit të SPO.
Rrëzimi i Millosheviq në tetor 2000 nuk ka sjellë ndërprerjen e aktiviteteve politike të agjensisë. Duke ndihmuar opozitën në rrëzimin e regjimit, një pjesë e madhe e policisë së fshehtë siguroi të ardhmen e saj me qeverinë e re demokratike.
Kjo bëri që ata të mund të bllokonin reformimin rrënjësor të organizatës, gjë e cila shpjegon edhe pavendosmërinë e mëvonëshme të qeverisë për të nisur ndonjë hetim të hollësishëm mbi rolin e policisë së fshehtë në luftërat në ish Jugosllavi.
Hetimi mbi shkeljet e ndodhura në këtë organizatë është mbyllur me arrestimin e ish shefit të fundit të RDB gjatë kohës së Millosheviq, gjeneral Radomir Markoviq, dhe disa anëtarëve të Berretave të Kuqe - një njësi komando në rradhët e policisë së fshehtë, të dyshuar si pjesëmarrës në përpjekjen për vrasjen e Drashkoviq.
Bozidar Preleviq, një ish bashkë ministër i policisë, thotë se elita e re politika kishte një arësye më tepër për të ruajtur status quo-në në shërbimet secrete - dhe pikërisht për ta përdorur atë kundër rivalëve të saj në koalicionin e Opozitës Demokratike të Serbisë, DOS.
Preleviq një anëtar i OJQ-së Lex, e cila ka përgatitur ligjin e propozuar për vendosjen e agjensisë nën kontrollin e parlamentit, mendon se reforma ka dëshutar pikërisht për këtë arësye. "Projekti është ndalur për shkak se ligji përfshinte edhe krijimin e një sistemi të zhvilluar të kontrollit mbi policinë secrete," ka thënë ai. "Askush nuk ishte i interesuar për një gjë të tillë".
Megjithatë, aleanca jo zyrtare ndërmjet autoriteteve të reja dhe elementëve të mbijetuar në rradhët e shërbimeve sekrete është prishur pas kërkesave të komunitetit ndërkombëtar që Beogradi të përmbushte detyrimet e tij ndaj gjykatës së krimeve të luftës në Hagë.
Në nëntor të vitit 2001 autoritetet janë përballur me një krizë të rrezikëshme kur pjestarë të Berretave të Kuqe dhe ish komandanti i tyre Milorad "Legija" Lukoviq janë rebeluar, pas ekstradimit të disa të dyshuarve për krime lufte në Hagë.
Në vend që të shtypte këtë revoltë, qeveria është dorëzuar para kryengritësve, duke i dhënë postin e zëvendës drejtorit të RDB, Milorad Bracanoviq, një aleat i ngushtë i Legijas.
Qeveria nuk fitoi asgjë në planin afatgjatë, sepse Bracanoviq është arrestuar në lidhje me vrasjen e kryeministrit Zoran Gjingjiq, në mars 2003 - megjithëse ai është liruar më pas pa u akuzuar.
Emërimi i Misa Miliceviq në postin e kryetarit të BIA në janar 2003 ka qenë shenja e parë që Gjingjiq ishte më në fund i përgatitur të përballej me Legijan dhe botën e krimit të organizuar të pakontrolluar dhe shumë të politizuar në Serbi.
Ekspertë të policisë thonë se Miliceviq ka përdorur krizën pas vrasjes së Gjingjiq për të ndërmarrë hapat e parë drejt distancimit të agjensisë nga influenca e krimit të organizuar dhe politikës.
Burime të afërta me BIA kanë pranuar për IWPR se procesi i reformave është ende në hapat e para, megjithëse rreth gjysma e punonjësve të shërbimit janë zëvendësuar që prej tetorit të vitit 2000.
"Problemi qëndron në faktin se BIA ka ndryshuar shumë më tepër sesa pranojnë politikanët në deklarimet e tyre publike," thotë një burim.
Dobrivoje Radovanoviq, drejtues i Institutit të Kriminologjisë në Beograd, thotë se spekulimet në media rreth drejtuesit të BIA kanë dëmtuar reformat në agjensi dhe sigurinë kombëtare. "Jo shumë njerëz të aftë dhe të shkolluar do të pranonin të punonin në BIA nëse sa herë që ndryshon qeveria do të kishin frikë për vendin e tyre të punës," thotë ai.
Radovanoviq thekson se agjensia kishte bërë ndryshime të shumta gjatë vitit të kaluar dhe është një forcë krejt e ndryshme nga policia sekrete e Millosheviq.
Një burim i IWPR në BIA thotë se agjensia tanimë as nuk ka një seksion për kontrollin dhe survejimin e armiqve të brendëshëm politik dhe se zgjedhjet e vitit të kaluar kanë qenë të parat zgjedhje në të cilat shërbimet sekrete nuk janë përpjekur të ndikojnë mbi rezultatin.
Bozidar Preleviq, ka thënë për IWPR se ministri i ardhëshëm i policisë Dragan Jociq, një zëvendës kryetar i DSS, kishte treguar interes të madh gjatë kohës që ka qenë në opozitë për projekt ligjin e përgatitur nga Lex për kontrollin parlamentar të shërbimeve sekrete.
Por e ardhmja e BIA mbetet ende e paqartë. Pa një ligj i cili do të sanksiononte rregullat për kontrollin dhe dhënien e llogarisë - dhe pas shkeljeve të rënda gjatë viteve të kaluara - e ardhmja e BIA është ende në duart e politikanëve.
Zeljko Cvijanoviq është një korrespondent i rregullt i IWPR në Beograd.