Njerëzit e Millosheviqit Marrin Poste të Larta në Polici
Emërimet e diskutueshme në krye të policisë kanë ngritur pikpyetje mbi vendosmërinë e qeverisë Serbe për të kryer reforma
Njerëzit e Millosheviqit Marrin Poste të Larta në Polici
Emërimet e diskutueshme në krye të policisë kanë ngritur pikpyetje mbi vendosmërinë e qeverisë Serbe për të kryer reforma
Spastrimi i shumëpritur në postet e larta të policisë Serbe duket se nuk ka arritur të presë lidhjet me ish regjimin e Sllobodan Millosheviqit.
Një sërë emërimesh të reja në policinë sekrete, RDB, dhe atë civile gjatë dy javëve të fundit kanë bërë që disa zyrtarë të cilët kanë shërbyer në këto poste nën drejtimin e ish presidentit gjatë luftërave të fillimit të viteve 1990 në Ballkan dhe krizës së fundit në Kosovë, të ridalin në skenë.
Kryeministri Serb Zoran Gjinxhiq i ka përshëndetur këto emërime si hapat e para në luftën kundër krimit të organizuar. Shumë njerëz nuk do të ishin dakort me këtë deklaratë.
Emërimet e reja kanë filluar në fund të muajit Janar. Shefi i policisë së urryer sekrete Serbe, Rade Markoviq më në fund është zëvendësuar nga Goran Petroviq, i cili është shkarkuar në vitin 1999 prej Markoviqit nga rradhët e RDB-së.
Zoran Mijatoviq është emëruar më pas zëvendës i Petroviqit. David Gajiq, ish shef i RDB-së në Kosovë, dhe Milutin Popivoda, ish shef i RDB-së në Vojvodinë, janë rikthyer duke marrë poste të larta. Të gjithë ata kanë lidhje të ngushta me Jovica Stanishiq, ish shefi i RDB-së dhe krahu i djathtë i Millosheviqit përpara konfliktit në Kosovë.
Ministri i Brendëshëm i Serbisë Dushan Mihajlloviq ka vlerësuar Petroviqin për "eksperiencën e tij të konsiderueshme në RDB [policia sekrete Serbe]" dhe ka insistuar se ai nuk ka qenë i përfshirë asnjë herë në ndonjë aktivitet kriminal.
Stanishiq është larguar në vitin 1998 prej Rade Markoviqit në një "grusht pallati" nga RDB. Markoviq, një bashkëpunëtor i ngushtë i gruas së Millosheviqit, Mirjana Markoviq, dhe një anëtar i partisë së saj e Majta e Bashkuar Jugosllave, ka spastruar shërbimet sekrete nga të gjithë bashkëpunëtorët dhe besnikët e Stanishiqit, përfshirë edhe Petroviq, i cili është shkarkuar në Janar 1999.
Petroviq, në atë kohë, ka qenë në krye të kundërspiunazhit ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Gjatë dy vjetëve të kaluar, Petroviq, një jurist, ka punuar si konsulent ligjor për një kompani private me qendër në Beograd. Ai është rekomanduar në postin e shefit të RDB-së nga Ministri i Jashtëm Jugosllav Goran Svilanoviq, me të cilin ka lidhje të largëta familjare.
Një burim i IWPR-së thotë se Koshtunica është bindur nga reputacioni i Petroviqit në RDB, arsimimi i tij dhe vendosmëria për të reformuar shërbimet sekrete - diçka që ai ka filluar ta bëjë që tani. Vetëm pak ditë pas emërimit, ai ka filluar të largojë besnikët e Markoviqit.
Zoran Gjinxhiq e ka mbështetur emërimin e Petroviq ndoshta më tepër në sajë të lidhjeve të ngushta të kryeministrit me Stanishiqin.
Ish shefi i RDB-së është kontaktuar nga politikanë të opozitës përpara dy vjetëve dhe ka vendosur lidhje të ngushta me Gjinxhiq. Stanishiq së bashku me disa oficerë dhe ish oficerë të lartë të policisë kanë ndihmuar më pas kryeministrin e ardhëshëm të Serbisë të planifikojë rrëzimin e Millosheviqit Tetorin e kaluar.
Mesa duket, kryeministri tani po u lan borxhin e vjetër këtyre zyrtarëve. Këto lidhje me Stanishiq dhe ish regjimin e Millosheviqit nuk premtojnë asgjë të mirë.
Vrasjet politike misterioze, të cilat kanë ndodhur në Serbi gjatë qeverisjes së mëparëshme, kanë ndodhur pikërisht në kohën e Stanishiqit. Po ashtu, forcat paraushtarake të cilat mendohet të kenë kryer krime lufte në Bosnje dhe Kosovë janë krijuar gjatë kohës që ai ka qenë në krye të shërbimeve sekrete.
Në të njëjtën kohë me emërimin e zyrtarëve të rinj të RDB-së, Gjinxhiq ka emëruar Gjeneralin Sreten Lukiq si zëvendësues të zëvendës ministrave të brendëshëm të shkarkuar Obrad Stevanoviq dhe Vlastimir Gjorgjeviq. Lukiq do të drejtojë forcat e policisë civile.
Emërimi i tij ka shkaktuar shumë kritika në media Serbe dhe jashtë vendit. Lukiq ka qenë komandant i forcave policore Serbe në Kosovë përpara dhe gjatë sulmeve ajrore të NATO-s. njësitë e komanduara prej tij janë akuzuar gjerësisht për krimet e kryera në provincë.
E përjavëshmja e Beogradit Vreme ka theksuar se biografia zyrtare e Lukiq nuk përmban detyrën e tij si shef i policisë në Kosovë. Por në Maj 1999, sipas revistës, Millosheviq e ka ngritur në përgjegjësi dhe e ka dekoruar atë.
Gazeta The Washington Post, e cila citon burime të shërbimeve sekrete, e ka lidhur Lukiqin me vrasjet masive në fshatin Raçak në Kosovë. Në një bisedë telefonike të përgjuar, ish zëvendëskryeministri Jugosllav Nikola Sainoviq ka urdhëruar Lukiqin të dërgojë forcat policore në Raçak për të mos lejuar futjen në fshat të hetuesve të huaj.
Dushan Mihajlloviq ka hedhur poshtë kritikat, duke thënë se "Fakti që ai ka drejtuar forcat në Kosovë nuk do të thotë automatikisht që ai është përfshirë në ndonjë krim".
Ministri i brendëshëm ka thënë se një komision shtetëror do të krijohet për të hetuar akuzat e drejtuara ndaj ish zyrtarëve të policisë - dhe ata që do të gjenden fajtorë do të shkarkohen.
Akuzat e fshehta të Hagës mund të përfshijnë edhe emrat e disa prej zyrtarëve të rinj të emëruar në postet drejtuese të policisë Serbe duke e bërë kështu bashkëpunimin e Serbisë me gjykatën ndërkombëtare për krime lufte pothuajse të pamundur.
Holli Kartner, Drejtoreshë Ekzekutive e Human Rights Watch për Europën dhe Azinë Qendrore, ka thënë se emërimi i Lukiq "ngre dyshime serioze rreth vendosmërisë së qeverisë së re Serbe për të kryer reforma politike dhe për të nxjerrë përgjegjësitë për shkeljet e bëra në të kaluarën.
"Njerëzit të cilët duhet të hetohen për rolin e tyre në krimet e luftës dhe shkelje të rënda po emërohen në poste të larta drejtuese."
Zheljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.