Nderet e Kosovës

Botuesi i gazetës më të madhe të përditshme në Kosovë, Koha Ditore, shpreh respektin dhe nderimin për dy shqiptarë të njohur të vrarë gjatë ditëve të fundit.

Nderet e Kosovës

Botuesi i gazetës më të madhe të përditshme në Kosovë, Koha Ditore, shpreh respektin dhe nderimin për dy shqiptarë të njohur të vrarë gjatë ditëve të fundit.

Friday, 15 September, 2000

Shefki Popova, një ish-kolegu im i gazetës Rilindja, dhe Rexhep Luci, një nga arkitektët më të njohur në Prishtinë, nuk janë më mes nesh.


Unë i njihja dhe i respektoja të dy. Shefkiu ishte një nga korrespondentët më të mirë të gazetarisë shqiptare jashtë Prishtinës. Dhe Rexhep Luci ishte një ndër të paktët që mund të kishte zgjidhur problemet e urbanistikës së Prishtinës.


Përse po vdesin njerëzit që njoh unë? Përse po vriten ata?


Unë jam krejtësisht i sigurtë se këta njerëz vriten sepse kanë pasur një mendim ndryshe nga vrasësit e tyre. Dhe kjo gjë i bën vrasjet e tyre politike.


Ata nuk janë të parët. Gjatë këtij viti akte të tilla janë kryer kundër kësaj apo asaj partie.


Viktimat e tanishme janë pjesë e një strategjie të re, ku njerëzit po goditen, pa patur parasysh nëse janë apo jo të përfshirë në fushatën para-elektorale.


Në Kosovë kemi hyrë në një cikël dhune që nuk e kishim imagjinuar kurrë më parë: dhunë kundër shqiptarëve të ushtruar nga "shqiptarë të panjohur".


Me sa i njihja unë ata, Shefkiu dhe Rexhepi, përsa i përket politikës, kanë qenë të orientuar më shumë ndaj kombit shqiptar se sa disa nga partitë politike. Në punën e tyre ata janë përpjekur të ndërtojnë themelet e shtetit kosovar.


Gazeta ka botuar një koment nga Ylber Hysa mbi konferencën e fundit të Lucit, "Vizioni për Prishtinën e viteve 2000-2005".


Për tre ditë me rradhë Luci u përgjigj pyetjeve dhe zhvilloi koncepte të planit më të fundit urbanistik të parealizuar për Prishtinën.


Gjatë pushimit, duke folur për kaosin urbanistik të pas-luftës në Prishtinë, të ndërtimeve të paligjshme që karakterizojnë këtë periudhë të çrregullt, ai më tha me zë të ulët: "Mua po më kërcënojnë direkt!"


"Kush?" e pyeta unë.


"Ata po më kërcënojnë," përsëriti ai një ditë përpara se të vritej. "Sipas dikujt, unë qenkam i favorizuari i të huajve dhe është faji im për ndërprerjen e ndërtimeve pa leje!"


Ai nuk kishte frikë, por me sytë e hapur dhe mustaqet e mëdha u përpoq të më paralajmëronte për atë që po ndodhte dhe se ishte e mundur që dikush të vritej, sepse po përpiqej të mbronte qytetin.


Pak kohë më parë, në një intervistë për Koha Ditore, ai kishte thënë se të gjithë ata që po sulmonin qytetin duhet të kuptojnë se vetë qyteti do të hakmerret ndaj tyre!


Këto ishin fjalët e njeriut i cili besonte në një ndërgjegje civile, i cili besonte se qyteti ka një identitet të tijin, është një trashëgimi dhe pjesë e së ardhmes dhe për këto arësye duhet të mbrohet.


Nëse ka një gjë që tregon më së miri shëmtirën e kësaj kohe, kjo është natyrisht vrasja e arkitektit dhe ekspertit të urbanistikës Rexhep Luci - njeriu i cili u vra sepse e donte kaq shumë qytetin e Prishtinës.


Nëse ka mbetur akoma ndonjë ndërgjegje e vogël civile, banorët e Prishtinës duhet të pyesin veten - se çfarë kemi bërë dhe arritur deri më tani?


Veton Surroi është botuesi i Koha Ditore. Artikulli i tij është botuar në gazetë këtë javë.


Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists