Muslimanët Boshnjakë Largojnë Nacionalistët

Rezultatet e para të zgjedhjeve lokale të fundjavës së kaluar tregojnë për një arritje të rëndësishme në politikën e Bosnjës që prej nënshkrimit të marrëveshjes së paqes së Dejtonit në vitin 1995.

Muslimanët Boshnjakë Largojnë Nacionalistët

Rezultatet e para të zgjedhjeve lokale të fundjavës së kaluar tregojnë për një arritje të rëndësishme në politikën e Bosnjës që prej nënshkrimit të marrëveshjes së paqes së Dejtonit në vitin 1995.

Tuesday, 11 April, 2000

Muslimanët boshnjakë, sipas rezultateve paraprake të zgjedhjeve lokale të fundjavës së kaluar, kanë votuar për një parti të moderuar të opozitës për herë të parë.


Megjithatë kjo fitore është errësuar nga vota në zonat e kontrolluara nga serbët dhe kroatët, ku mesa duket kanë rifituar partitë nacionaliste.


Vetëm një pjesë e votave është numëruar dhe dhjetra mijëra vota nga refugjatët dhe njerëzit e zhvendosur akoma mund të ndryshojnë rezultatet përfundimtare.


Megjithatë duket se Partia Social Demokrate e opozitës, SDP, ka siguruar një shumicë në zonat e kontrolluara nga muslimanët, duke mundur kështu Partinë nacionaliste të Veprimit Demokratik, SDA, e cila ka dominuar jetën politike në këto zona gjatë dhjetë vjetëve të fundit.


Por kjo fitore e dukëshme e SDP-së është prishur në një farë mënyre nga suksesi i vazhdueshëm i nacionalistëve të Bashkimit Demokratik Kroat, HDZ, dhe Partisë Demokratike Serbe, SDS, në zonat e tyre respektive.


Këto zgjedhje, të dytat në Bosnjën e pas-luftës, kanë ofruar material për analistët vendas dhe të huaj, të mjaftueshëm për t'u marrë edhe për shumë javë më pas.


Fitorja e SDP-së në të katër bashkitë e Sarajevës është zhvillimi më domethënës. Rezultatet e para të njoftuara nga OSBE-ja tregojnë se SDP ka fituar edhe në ish kështjellat e SDA-së si në Gorazhdë, Kakanj, Kladanj, Brezë, Iligjë dhe Vogoshcë.


SDP duket se ka arritur një rezultat të mirë shumë pranë SDA-së edhe në Maglaj, Gradacac, Konjic dhe Jablanicë.


SDP-ja dhe SDA-ja kanë pranuar fitoret e SDP-së në Zenicë dhe Tuzël, dy qytetet më të mëdha industriale të Bosnjes. OSBE-ja akoma nuk i ka konfirmuar këto rezultate.


Shumë analistë kanë parashikuar humbjen e SDA-së për shkak të reputacionit të keq të partisë për korrupsion dhe pazotësi. Por shkalla e humbjeve ka habitur shumë njerëz. SDP duket se ka pasur më shumë sukses në qendrat urbane, ndërsa SDA-ja është shndërruar në një parti rurale dhe të qyteteve të vegjël.


Partia për Bosnje-Herzegovinën, e drejtuar nga ish kryeministri boshnjak Haris Silajxhiq, duket se ka dalë e treta në pjesën më të madhe të zonave të dominuara nga Muslimanët.


"Po duket se do të jetë shumë interesante," ka thënë zëdhënësja e OSBE-së Tania Domi.


Udhëheqësi i SDP-së, Zlatko Lagumxhija, ka thënë: "Qytetarët janë të lodhur nga 10 vjetë pa perspektiva, varfëri dhe mizerje. Në kohë paqe ata kanë kuptuar se nacionalizmi është një aleat i verbër."


Sekretari I Përgjithshëm i SDP-së, Karlo Filipoviq, ka thënë se ndërsa partia e tij festonte, kishin filluar lëvizjet për të ndërruar drejtuesit vendorë, duke i bërë ato demokratike dhe transparente.


Ndërkohë sekretari i përgjithshëm i SDA-së, Sulejman Tihiq, ka uruar SDP-në për suksesin e tyre dhe pranoi se rezultatet ishin më të këqija se sa kishte parashikuar partia e tij.


Në zonat e kontrolluara nga kroatët dhe serbët e Bosnjes pamja duket më e njohur me fitoret e pastra respektivisht të HDZ-së dhe SDS-së.


Megjithëse HDZ duket se ka fituar këtë herë, rezultatet e mira të SDP-së dhe Inisiativës së Re Kroate, NHI, në zonat e kontrolluara nga kroatët kanë bërë që edhe HDZ-ja të fillojë të mendojë për ndryshime.


Presidenti i HDZ-së dhe anëtari kroat i presidencës trepalëshe të Bosnjes, Ante Jelaviq, tha të hënën, më 10 prill, se partia e tij do të ndërmerrte së shpejti një "ndryshim radikal të personelit dhe politikave duke dalë si një parti moderne e qendrës."


Ndryshimet e fundit politike në Kroacinë fqinje kanë detyruar edhe HDZ-në boshnjake të përballet me një realitet të ri, kur është ndërprerë dërgimi i fondeve sekrete nga Zagrebi që shkonin për të mbështetur institucionet paralele të kroatëve të Bosnjes.


Reformat e premtuara nga Jelaviq ose do ta përçajnë krejtësisht HDZ-në ose do të çojnë në përjashtimin e ultra-nacionalistëve të linjës së ashpër. Të dyja këto përfundime do ta përmirësonin situatën politike në vend.


Rezultatet nga zonat e kontrolluara nga serbët e Bosnjes përfaqësojnë goditjen më të rëndë.


Vetë komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë përgjegjësinë më të madhe për këtë rezultat. Duke bllokuar partinë e dytë më të madhe nacionaliste serbe - Partinë Radikale - dhe duke mos lejuar pjesëmarrjen e saj në zgjedhje si ndëshkim për bllokimin e procesit të paqes nga ana e kësaj partie disa muaj më parë, administrata ndërkombëtare ka bashkuar të gjithë votuesit serb të linjës së ashpër pas të vetmit obsion të mundëshëm, SDS-së.


Arrestimi i drejtuesit të rëndësishëm të kohës së luftës, Momçillo Krajishnik, për krime të dyshuara lufte vetëm disa ditë përpara zgjedhjeve mund të ketë ndikuar në vendimin e atyre serbëve të pavendosur.


Megjithatë, rezultatet paraprake të OSBE-së tregojnë se votat e marra nga SDS-ja në fakt mund të jenë më të pakta se votat e marra nga të dyja partitë së bashku, SDS dhe Partia Radikale në vitin 1997. Përqindja e votave të marra nga SDS-ja mundet të zvogëlohet pasi të numërohen edhe votat e dhjetra mijëra refugjatëve jo-serbë.


Abstenimet "mund të ndryshojnë shumë rezultatin e kësaj gare," ka paralajmëruar Domi.


Një faktor tjetër i rëndësishëm është edhe natyra e ndryshuar e vetë SDS-së. Kjo nuk është më e njejta parti e krijuar nga i akuzuari si kriminel lufte Radovan Karaxhiq. Pas tërheqjes së detyruar të Karaxhiqit nga politika, partia ka ndryshuar personelin dhe politikat. Aktiviteti i kohëve të fundit dhe retorikat në parlament kanë treguar se partia shumë herë ka qenë më demokratike se sa kryeministri pro-perëndimor i serbëve të Bosnjes Milorad Dodik.


Komuniteti ndërkombëtar tani ka një mundësi të përdorë fitoren e SDS-së si një mjet kundër Dodik. Që në momentin që përkrahja ndërkombëtare i siguroi Dodikut postin e kryeministrit në 1998, ai është sjellë në mënyrë të ngjashme me tiranin të cilin zëvendësoi. Për aq kohë sa ai mbante larg pushtetit SDS-në, komuniteti ndërkombëtar nuk ka bërë ndonjë protestë. Kjo taktikë ka lejuar avancimin e nacionalizmit nën një emër tjetër.


Dodik bëri një gabim shumë të madh, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve, kur rojet e tij të trupit u filmuan duke rrahur disa spektatorë në një ndeshje basketbolli. Ky incident u transmetua nga stacionet televizive serbe në të gjithë Bosnjën.


Një rezultat tjetër pozitiv i zgjedhjeve të 8 prillit ishte ndarja që shkaktoi humbja në Partinë Socialiste të Republika Srpska, SPRS. Vetëm dy ditë pas zgjedhjeve, një grup zyrtarësh të lartë të SPRS-së kanë njoftuar shkëputjen e tyre për të formuar Partinë Socialiste Demokratike.


Që kur SPRS u largua nga koalicioni pro-perëndimor Sloga - i kryesuar nga Dodik - kjo ndarje ka qenë e pritëshme. presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviq mendohet se ka pasur një influencë të madhe ndaj disa anëtarëve të linjës së ashpër të SPRS dhe partia ka qenë një forcë destabilizuese në politikën e Republika Srpska gjatë këtyre muajve të fundit.


Ndërkohë SDP dhe partitë e tjera të opozitës kanë rritur përkrahjen në disa zona, Dodik mund të detyrohet të ndryshojë diçka në politikën e tij.


Partia e Progresit Demokratik, PDP, e krijuar nga profesori i njohur i ekonomisë Mladen Ivaniq vetëm gjashtë muaj më parë, ka tërhequr një vëmendje të madhe. PDP ka dalë partia e tretë pas SDS-së dhe partisë së Dodik.


Muslimanët dhe kroatët e Bosnjes fillimisht e mirëpritën futjen e Ivaniqit në skenën politike, të inkurajuar nga principet demokratike të shprehura prej tij. Por PDP shumë shpejt ra prehë e një retorike nacionaliste dhe ekslusivisht Serbe.


Megjithatë, shumë analistë lokal mendojnë se Ivaniq mund të luajë një rol shumë pozitiv në Republika Srpska, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk përsërit gabimin e bërë me Dodik duke i ofruar një mbështetje pa kushte.


Mungesa e dhunës dhe tensioneve gjatë zgjedhjeve të 8 Prillit ishte një tjetër arritje e madhe për Bosnjën.


Zyrtarët perëndimorë kanë theksuar me forcë, se për herë të parë, të gjithë qytetarët boshnjak mund të udhëtonin në të gjithë vendin dhe mund të votonin pa frikë dhe pa probleme. Të gjitha zgjedhjet e mëparëshme janë mbajtur nën një dhunë dhe kërcënim të madh, pavarësisht nga survejimi i rreptë i NATO-s dhe OKB-së.


Këtë rradhë janë njoftuar vetëm dy incidente. Një granatë dore është hedhur në një qendër votimi në qytetin serb të Bosnjës Pale. Policia lokale ka arrestuar disa të dyshuar po atë mbrëmje. Në qytetin kroat të Bosnjës, Stolac, një politikan lokal është ndaluar nga policia pasi kishte qëlluar disa kuti votimi.


Në Bosnjën veriperëndimore një pjesë zakonisht e tensionuar e vendit, dhuna ka qenë e përmbledhur në një zënkë ndërmjet një burri dhe bashkëshortes së tij në një qendër votimi, dhe një lope pa zot që ka hyrë në një qendër tjetër.


"Votuesit në të gjithë vendin - në fakt në të gjithë botën - kishin rastin të shprehnin lirisht mendimin e tyre me anë të votës dhe megjithë disa incidente të izoluara dhune dhe ekstremizmi, në përgjithësi ne i konsiderojmë këto zgjedhje si të lira dhe të ndershme," u shpreh Robert Berri, kryetari i misionit të OSBE-së në Bosnjë. Disa parti politike kanë paraqitur ankesa për kërcënime dhe mashtrime me vota ndaj rivalëve të tyre, por OSBE-ja mendon se pak prej tyre kanë vërtetë baza. Megjithatë, të gjitha këto ankesa do të shqyrtohen.


Problemi më i madh i këtyre zgjedhjeve ka qenë konfuzioni rreth listave të votuesve dhe qendrave të votimit. OSBE-ja e zgjati afatin e votimit me një orë për të lehtësuar disa probleme. Disa parti kanë fajësuar OSBE-në për kaosin që ka pasur në 3,500 qendrat e votimit.


Disa dhjetra mijëra njerëz nuk mund të gjenin emrat e tyre në listat e votimit. Në shumë raste anëtarë të së njëjtës familje duhet të votonin në qendra të ndryshme votimi. Pavarësisht këtyre problemeve pjesëmarrja e përgjithëshme në votime mendohet të jetë rreth 70 përqind.


Janez Kovaq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Africa
Frontline Updates
Support local journalists