Mosmarrëveshja për Gjuhën në Maqedoni

Një mosmarrëveshje mbi arsimimin në gjuhën shqipe po shton tensionet politike në Maqedoni.

Mosmarrëveshja për Gjuhën në Maqedoni

Një mosmarrëveshje mbi arsimimin në gjuhën shqipe po shton tensionet politike në Maqedoni.

Mijëra mësues, studentë dhe prindër kanë dalë në rrugët e Manastirit këtë muaj në protesta ndaj planeve të qeverisë për të futur në program një orë mësimi në gjuhën shqipe në një shkollë tetëvjeçare lokale.


Protestuesit maqedonas thanë se planet për të mësuar 30 të rinj shqiptarë në gjuhën e tyre amtare nuk ishin të justifikuara. Ata thonë se kjo klasë do të jetë e paplotë meqënëse shqiptarët përbëjnë vetëm 3 përqind të popullsisë së qytetit.


Kjo mosmarrëveshje flet për një debat shumë më të gjerë të motivuar politikisht mbi mësimdhënien në gjuhën shqipe.


Afërsisht 23 përqind e popullsisë në Maqedoni është shqiptare etnike. Për momentin ofrohet një mësimdhënie e kufizuar në gjuhën shqipe në shkollat fillore dhe tetëvjeçare. Duhet të jenë të paktën 24 nxënës shqiptarë ose të minoriteteve të tjera në një klasë në mënyrë që ata të mësojnë në gjuhën e tyre.


Drejtuesit politikë shqiptarë kërkojnë që ky parim të shtrihet edhe në universitete. Maqedonasit po e kundërshtojnë ashpër këtë duke patur frikë se ky hap do të çonte në mënyrë të pashmangshme në shkëputjen e rajonit shqiptar të Maqedonisë perëndimore.


Koalicioni qeveritar i partive shqiptare dhe maqedonase po përpiqet tani që kjo mosmarrëveshje për gjuhën të mos degjenerojë jashtë kontrollit.


Protestuesit në Manastir kanë qenë të shqetësuar se planet e qeverisë do të bënin që shqiptarë të tjerë nga zonat aty pranë të vijnë për të ndjekur shkollën duke vënë në rrezik identitetin maqedonas të Manastirit. Duket se shqiptarët do të "prishnin traditën e shkollës".


Demonstruesit më në fund kanë fituar. Qeveria u tërhoq nga planet e saj. Ky hap shkaktoi një reagim të ashpër. Shqiptarët në një rrethinë të Shkupit kanë rrahur fëmijët romë dhe janë përpjekur të ndalojnë mësimdhënien në gjuhën rome.


Shqiptarët janë zemëruar edhe me tepër kur komisioneri i lartë i OSBE-së për pakicat kombëtare Maks Van Der Shtul propozoi krijimin e një universiteti të ri shumëgjuhësh të financuar nga komuniteti ndërkombëtar.


Ata frikësohen se kjo do të çojë në mbylljen e universitetit të tyre në Tetovë, i cili është ngritur në mënyrë të paligjshme pesë vjetë më parë dhe ka qenë burim i përhershëm tensionesh politike gjatë këtyre viteve.


Në përgjigje të propozimit të Van Der Shtul, rreth 3,000 demonstrues shqiptarë janë mbledhur javën e kaluar në Tetovë ku kanë kërkuar njohjen zyrtare të institucionit të tyre arsimor.


"Ky institucion shqiptar nuk është një problem politik siç po përpiqen ta paraqesin disa," ka thënë udhëheqësi studentor Jusuf Zeneli. "Ky universitet vepron sipas ligjeve maqedonase në mënyrë të ngjashme me universitetet e tjera."


Rektori i Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani, ka kritikuar ashpër Van Der Shtul. "Ai nuk është kompetent për të ofruar zgjidhje, ai vjen në Maqedoni vetëm sa për të shkaktuar probleme dhe konflikt."


Gjatë kohës që ka qenë në opozitë Partia Demokratike e Shqiptarëve, PDSH, kishte bërë thirrje për njohjen zyrtare të institucionit të Tetovës. Tani që është në qeveri ajo është përpjekur të zbusë partnerët e saj maqedonas të koalicionit duke mbështetur krijimin e universitetit të ri të financuar nga komuniteti ndërkombëtar.


Ky qëndrim i partisë ka shkaktuar zemërim në rradhët e studentëve shqiptarë. Ata i kanë dërguar një letër Arben Xhaferrit, drejtuesit të PDSH-së, ku e akuzonin për tradhëti dhe e paralajmëronin se do të humbiste përkrahjen e tyre nëse vazhdonte të mbështeste projektin për ngritjen e universitetit të ri.


Rektori i Universitetit të Tetovës, Fadil Sulejmani, thotë se të gjitha pazaret e bëra ndërmjet "regjimit maqedonas dhe bashkëpunëtorëve të tyre në PDSH" nuk do të pranohen.


Zheljko Bajiq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Macedonia
Support our journalists