Media Serbe Kërcënohet Përsëri me Padi
Millosheviq po përdor ligjin e tij famëkeq të informacionit për të ndërprerë veprimtarinë e medias së pavarur.
Media Serbe Kërcënohet Përsëri me Padi
Millosheviq po përdor ligjin e tij famëkeq të informacionit për të ndërprerë veprimtarinë e medias së pavarur.
Autoritetet serbe kanë nisur një valë të re veprimesh ligjore kundër medias së pavarur, në përpjekjen e tyre të rradhës për të mbyllur gojën kundërshtarëve dhe kritikëve të qeverisë.
Muajin e kaluar një numër mediash të pavarura elektronike dhe të shkruara janë gjobitur rëndë në bazë të ligjit famëkeq të informacionit.
Ligji, i miratuar në parlament me insistimin e Partisë Socialiste në pushtet dhe partnerët e saj të koalicionit rreth një vit më parë, e bën të vështirë për botuesit dhe transmetuesit e pavarur të mbrohen nga akuzat për shpifje të qeverisë.
Tre gazeta të pavarura dhe rreth dhjetë stacione TV dhe Radio të pavarura janë detyruar të mbyllen pasi kanë humbur gjyqet e hapura nga qeveria që prej hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Vala e fundit e veprimeve ligjore, e cila pason një sërë mbylljesh të medias elektronike për gjoja përdorim të paligjshëm të frekuencave të transmetimit, ka rezultuar në dënimin me gjoba prej disa mijëra dollarësh.
Agjencia e lajmeve Beta është gjobitur me 17,200 marka gjermane pasi është akuzuar nga ministri jugosllav i informacionit Goran Matiq se ka botuar një deklaratë nga organizata studentore disidente Otpor.
Ajo bënte thirrje që ministri të shpallte emrat e përgjegjësve të vrasjes vitin e kaluar të Slavko Curuvijas, kryeredaktorit të së përditshmes Dnevni Telegraf. Matiq ka thënë se deklarata ka dëmtuar reputacionin e tij.
Stacioni TV Studio B, i kontrolluar nga Lëvizja për Ripërtëritje Serbe e opozitës, është gjobitur me 22,400 marka gjermane, gjoba e tretë gjatë këtij viti, pasi ka humbur një gjyq të hapur nga shefi i policisë Branko Gjuriq.
Ky gjyq ishte hapur pas një deklarate të Studio B se Gjuriq ishte thirrur si dëshmitar për një aksident rrugor, i cili sipas partisë, ka qenë një përpjekje për të vrarë drejtuesin e saj Vuk Drashkoviq.
Ndërmjet mediave të tjera të gjobitura së fundi janë edhe Kikindske Novine, Vreme, Danas dhe Narodne Novine e Nishit për një shumë totale prej 125,735 markash.
Në një zhvillim tjetër, ministria federale e komunikacioneve i ka dhënë Radio Pozharevc tetë ditë kohë për të ndryshuar frekuencën e saj të transmetimit, siç thuhet për t'i lënë hapësirën Radio Madona, në pronësi të djalit të Sllobodan Millosheviqit, Marko.
Stacionet televizive lokale në Bajina Basta dhe Nish, qytete të drejtuara nga kundërshtarët e Millosheviqit, janë urdhëruar nga gjykatat të largohen nga zyrat të cilat i kanë marrë me qera prej vitesh. Në Bor shitësit e revistave të pavarura dhe partiake janë arrestuar. Policia pretendon se këto revista janë botime të ndaluara.
Media e pavarur deri më tani nuk ka mundur të rezistojë ndaj këtyre vendimeve të qeverisë.
Studio B, Vreme dhe Narodne Novine nuk kanë pranuar të paguajnë gjobat e tyre, por edhe kjo protestë nuk do të ketë shumë sukses, sepse mjafton që regjimi të bllokojë llogaritë e tyre bankare dhe të tërheqë shumat e gjobave.
Veprimi më serioz i rezistencës deri më tani ka qenë vendimi i përbashkët i mediave të pavarura për të bojkotuar Vojislav Sheshelj dhe Partinë e tij nacionaliste Radikale të Serbisë, një anëtare e koalicionit qeveritar.
Kjo lëvizje pasoi kërcënimin e Shesheljit se do të vriste gazetarë të pavarur pasi i akuzoi ata për bashkëpunim me NATO-n dhe vendet perëndimore në vrasjen e ministrit të mbrojtjes Pavle Bullatoviq.
Vlado Maresh është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së në Beograd.