Institute for War and Peace Reporting | Giving Voice, Driving Change

Mallkimi i Vidovdanit

A do të kujtojnë historianët e ardhëshëm që ky ka qenë viti në të cilin Serbia më në fund i shpëtoi shtrëngimit të mallkimit të Vidovdanit?
By Tim Judah

Një nga avantazhet e teknologjisë moderne është se çdo kush, anekënd globit, mund të mësojë për atë që ndodh në çdo moment. Por, natyrisht, kjo nuk na ndihmon të parashikojmë të ardhmen, edhe nëse ajo ngjarje ndodh më 28 Qershor, dita e shenjtë e Serbëve, e quajtur Vidovdan, dita e një Shenjtori, e cila lidhet nga Serbët me disa nga episodet më të rëndësishme të historisë së kombit.


Më 29 Qershor, 1389, një ditë pas Betejës së Kosovës, ka qenë shumë e paqartë edhe për analistët më të mirëinformuar të periudhës mesjetare, se rezultati i betejës do të çonte në pesëqind vjet të dominimit Otoman Turk.


Po ashtu, cilët analistë mund të parashikonin fundin e këtij civilizimi më 29 Qershor të vitit 1914, një ditë pas vrasjes së Arkidukës Franz Ferdinand në Sarajevo nga Gavrilo Princip. Po ashtu askush më 29 Qershor, 1989, nuk mund të parashikonte që fjalimi i Sllobodan Millosheviqit në vendin e quajtur Gazimestan para një milion Serbëve do të ishte fillimi i shpërbërjes së dhunëshme të vendit.


Ia vlen të përmendet gjithashtu, se sipas Zharko Koraq, zëvendës kryeministrit të Serbisë, fakti që Millosheviq u hip në një helikopter i cili e dërgoi në Tuzla pikërisht ditën e Vidovdanit ka qenë një "koincidencë e pastër".


Pasojat e ekstradimit mund të mos ndjehen edhe për ndonjë gjysëm mileniumi, por tashmë ato janë ndjerë shumë në Serbinë dhe Jugosllavinë e sotme. Megjithëse ne mund të flasim vetëm për një të ardhme të afërt, një gjë është e qartë - ende askush nuk e di se cilat do të jenë pasojat politike. Në momentin që po shkruhet ky artikull, Beogradi po përgatitej për një miting proteste të organizuar nga Partia Radikale ultranacionaliste Serbe e drejtuar nga Vojisllav Sheshelj. Ky manifestim mund të degjenerojë në dhunë, por njerëz të mirëinformuar në Serbi thonë se e gjithë kjo do të kalojë pa probleme.


Politikisht, pasojat e vërteta do të shihen në dy nivele. Partia Socialiste popullore, SNP, e Malit të Zi, aleatja e dikurëshme e Millosheviqit, ka thënë se ajo do të largohet nga koalicioni qeveritar në gjirin e të cilit ajo mendohet se do të drejtonte Jugosllavinë së bashku me reformistët Serbë të Opozitës Demokratike Serbe, DOS.


Nëse SNP i përmbahet kërcënimeve të saj, kjo mund të çojë në një qeveri të pakicës apo edhe në zgjedhje të reja Jugosllave. Por, kjo mund të mos ndodhë nëse SNP-ja vendos të mos rrezikojë duke e çuar vendin në zgjedhje të reja, të cilat, natyrisht, do të kishin pasoja të mëdha në skenën politike edhe ashtu thellësisht të polarizuar në Malin e Zi.


Po ashtu, në momentin e shkrimit të këtij artikulli, njoftime të pakonfirmuara bënin të ditur se Milan Milutinoviq, presidenti i Serbisë, po përgatitej të dorëzohej në gjykatën ndërkombëtare për krime lufte në Hagë. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë do të niste një betejë për postin e presidentit të cilin e synojnë shumë kandidatë.


Milutinoviq është natyrisht, një relikë e periudhës së Millosheviqit, por, që prej rrëzimit të këtij të fundit, ai ka qëndruar shumë i heshtur, duke shpresuar të shtyjë sa më tepër të jetë e mundur ditën kur do të japë llogari. Presidenti Serb është akuzuar për krime lufte në të njëjtën kohë me Millosheviqin.


Arësyeja që Milutinoviq është ende në postin e tij ka qenë sepse askush nga gjiri i koalicionit të përçarë të DOS-it nuk dëshironte të hapte një mosmarrëveshje të re rreth asaj që ndoshta është posti më i rëndësishëm në vend. Sot, presidenti i Serbisë nuk ka shumë pushtet, sepse në këtë post ndodhet Milutinoviq, por sapo të zgjidhet një president i ri ai ose ajo natyrisht do të kërkojë të ushtrojë pushtetin e vërtetë që bart ky post.


Gjatë muajve të fundit, në listën e kandidatëve të mundëshëm kanë qenë edhe Zoran gjingjiq, kryeministri Serb i tanishëm dhe Vojisllav Koshtunica, presidenti Jugosllav. Edhe nëse ekstradimi i Milutinoviqit për në Hagë zgjat, ai gjithsesi duket se nuk mund ti shpëtojë kësaj gjëje. Natyrisht, këto janë kohë të trazuara për Serbinë, dhe do të përbëjnë një sprovë për demokracinë e saj të brishtë. Tani është koha të shihet nëse vendi do të përfshihet nga kaosi, apo politika do të vazhdojë rrugën e saj në një mënyrë paqësore.


Koraq, për shembull, mendon se pavarësisht atmosferës tepër të ngarkuar politike tani në Serbi, qeveria Jugosllave nuk do të rrëzohet dhe as DOS. Në fakt, pas disa ditë tensionesh, çdo gjë do të normalizohet dhe Serbia e ndoshta edhe Jugosllavia do të vazhdojnë kthimin e tyre të vështirë në normalitet.


Nëse teza e Koraq vërtetohët, atëherë vendi do të jetë në një pozicion shumë më të mirë për të thithur dhe përdorur me efikasitet milionat e dollarëve që janë premtuar për Jugosllavinë në konferencën e donatorëve në Bruksel. Gjatë një udhëtimi të kohëve të fundit në Londër, Goran Svilanoviq, ministri i jashtëm Jugosllav, është ankuar se reformistët në Serbi kishin ardhur në pushtet me një axhendë për të ndryshuar vendin dhe për ta çuar atë me çdo kusht, pavarësisht dhimbjeve të shkaktuara drejt shekullit të 21. Megjithatë, ai ka thënë se ata përballoheshin me probleme të mëdha, edhe pa përmendur kryengritjen e Shqiptarëve në Serbinë e jugut dhe presionin për të dorëzuar Millosheviqin.


Sot, kryengritja ka mbaruar. Millosheviq është jashtë vendit, dhe shuma të mëdha parash po premtohen për të rindërtuar vendin. Pra le të shpresojmë që historianët e ardhëshëm të theksojnë se ky ka qenë viti kur Serbia më në fund ka shpëtuar nga mallkimi i ditës së Vidovdanit!


Tim Xhudah është autori i librit Serbët: Historia, Miti dhe Shkatërrimi i Jugosllavisë i botuar nga qendra e Shtypit të Universitetit Yale.