Kthimi i Rugovës?
Ka shenja se Ibrahim Rugova, një figurë politike periferike që prej përfundimit të luftës, po përgatitet të kthehet në skenën politike.
Kthimi i Rugovës?
Ka shenja se Ibrahim Rugova, një figurë politike periferike që prej përfundimit të luftës, po përgatitet të kthehet në skenën politike.
Lideri pacifist i periudhës së para-luftës në Kosovë, Ibrahim Rugova, dhe partia e tij, Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK, duket se po përpiqen të rimarrin pozitat e tyre politike në prag të zgjedhjeve lokale të planifikuara për t'u mbajtur në vjeshtë.
Rugova, i cili është shfaqur shumë pak në publik që prej përfundimit të luftës, kohët e fundit ka dalë sërish në skenën politike me një vizitë shumë të publikuar të tij në qytetin juglindor të Gjilanit, ku ai është përshëndetur nga disa mijëra aktivistë dhe përkrahës të partisë.
Në të njëjtën kohë, zyrtarë më pak të rëndësishëm të LDK-së kanë qenë shumë më tepër aktivë në nivelin lokal, duke ngritur kështu profilin e partisë dhe duke marrë pjesë në garë për postet në këshilla.
Duke qënë udhëheqës i padiskutueshëm i shqiptarëve të Kosovës përpara luftës, imazhi i Rugovës në provincë ra shumë gjatë dhe pas konfliktit.
Një takim, i transmetuar edhe nga televizioni, ndërmjet tij dhe Sllobodan Millosheviqit, ku mesa duket u diskutua e ardhmja e provincës në kulmin e fushatës të spastrimit etnik serb, i ktheu shumë kosovarë kundër Rugovës dhe partisë së tij.
Pas luftës deklaratat e rivalëve të tij politikë se politika e tij e rezistencës pasive ndaj Beogradit veçse shtoi vuajtjet e shqiptarëve kanë dëmtuar edhe më shumë përkrahjen ndaj tij dhe kanë çuar në një rritje të armiqësisë ndaj zyrtarëve të LDK-së - disa prej të cilëve edhe u vranë.
Kauza e Rugovës u dëmtua edhe nga përçarjet në gjirin e LDK-së. Një numër zyrtarësh të lartë të partisë janë larguar në shenjë proteste ndaj politikave të ndjekura nga partia, më i fundit nga të cilët është ndihmësi i tij i afërt, Milazim Krasniqi.
Problemi i LDK-së është se nuk ka arritur të adaptohet me kushtet e përiudhës së pas-luftës. Programi i partisë ka ndryshuar shumë pak që prej formimit të saj më shumë se dhjetë vjetë më parë. Shumë njerëz vënë në dyshim edhe nëse partia ka ndonjë strategji apo jo.
Megjithatë, në të vërtetë, edhe partive të tjera duket se u mungojnë idetë. Të gjithë flasin për nevojën e pavarësisë, por asnjë prej tyre nuk ka bërë përpjekje për të gjetur zgjidhje për problemet sociale dhe ekonomike, si, për shembull, papunësinë në rritje.
Ndërkohë Rugova nuk ka ndihmuar as partinë e tij dhe as veten duke ruajtur një profil shumë të ulët. Ai punon ngushtësisht me UNMIK-un, bën deklarata të cilat denoncojnë dhunën etnike dhe bëjnë thirrje për bashkëpunim më të madh me institucionet ndërkombëtare në provincë. Ai pothuajse nuk bën asgjë tjetër.
Ka dy shpjegime të mundshme për mungesën e aktivitetit të Rugovës. Ka mundësi që ai të ndjehet i lodhur tashmë dhe të ketë shumë pak për të ofruar, apo që ai të jetë duke fituar kohë, duke pritur që rivalët e tij politikë të bëjnë gabime.
"Ndoshta ai ka ngecur në atë politikën e tij të vjetër të rezistencës pasive dhe nuk ka më asgjë për të ofruar," thotë një student nga Prishtina. "Nga ana tjetër, ai ndoshta mund të jetë duke pritur që të dështojnë të tjerët."
Ka më shumë mundësi që të jetë kjo e fundit. Qëndrimi pritës ka qenë taktika e pëlqyeshme e tij përpara luftës. Për më tepër, vizita e tij e kohëve të fundit në Gjilan dhe ringjallja e LDK-së në nivelin e autoriteteve lokale tregojnë se ai po përgatitet për një kthim të mundshëm në skenën politike.
Ndërsa duket se për momentin shanset e Rugovës nuk janë shumë të mira, ai ndoshta nuk do të ketë shumë nevojë të përpiqet për të përmirësuar shanset e tij për sukses në zgjedhjet e ardhshme bashkiake. Në fund të fundit, shumë njerëz akoma janë të lidhur emocionalisht me të, pavarësisht nga gabimet e tij. Dhe era e korrupsionit që po rrethon disa nga rivalët e tij mund të bëjë që ata të humbasin shumë vota.
Llazar Semini është Manaxher i Projektit të IWPR-së në Prishtinë.