KROACI: HDZ NDRYSHON PAPRITMAS QENDRIM

Partia më e madhe e së djathtës duket se ka nisur një process transformimi rrënjësor që prej fitores së saj në zgjedhje.

KROACI: HDZ NDRYSHON PAPRITMAS QENDRIM

Partia më e madhe e së djathtës duket se ka nisur një process transformimi rrënjësor që prej fitores së saj në zgjedhje.

Monday, 21 February, 2005

Kryeministri i sapo emëruar Ivo Sanader ka ndërmarrë një sërë hapash tepër të rëndësishme në përpjekje mesa duket për të ndryshuar imazhin nacionalist të partisë së drejtuar prej tij, Bashkimi Demokratik Kroat, HDZ.


Sanader, ka shkaktuar habi më 7 janar, kur ai është shfaqur në shoqërinë e gruas së tij, kryetarit të parlamentit, Vladimir Seks, një nacionalist i linjës së ashpër, dhe dy ministra të qeverisë së tij në pritjen e organizuar me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse Serbe në Zagreb nga Këshilli Kombëtar Serb, SNV.


Kroatët janë tronditur pa masë kur kanë parë Sanader duke i uruar gëzuar Krishtlindjet mikpritësve të tij serbë, në mënyrën tradicionale serbe, me përshëndetjen, “Krishti vërtet u Ngjall”.


Ky ka qenë veprimi më i fundit në serinë e veprimeve të moderuara të drejtuesit të partisë, së krijuar nga Franjo Tugjman, e cila dikur ka mbështetur haptazi ekstremizmin, dhe politikat nacionaliste ekstreme.


Këto veprime të tij kanë bërë që shumë analistë të besojnë se premtimet e Sanader rreth transformimit të HDZ në një parti të re, moderne duhen parë si premtime të besueshme.


Megjithatë, kjo nuk do të thotë që qeverisja e HDZ nuk do të jetë pa probleme apo që Sanader mund ti besohet plotësisht për të zbatuar reformat e premtuara prej tij dhe që Kroacia do të hyjë në Bashkimin Europian Brenda vitit 2007, sic planifikohej nga parardhësi i tij, ish kryeministri socialist Ivica Racan.


Ndryshimi më i madh i politikës së HDZ është qëndrimi i saj ndaj pakicave kombëtare, vecanërisht komuniteteve serbe dhe italiane.


Marrëdhëniet serbo-kroate kanë pasur gjithnjë vështirësi dhe probleme që prej luftës së vitit 1991 kur pakica serbe, nën ndikimin e Sllobodan Millosheviq ka krijuar një provincë autonome në territorin e Kroacisë.


Konflikti ka vazhduar për disa vjet dhe ka përfunduar kur ushtria kroate ka rimarrë nën kontroll entitetin serb në gusht të vitit 1995, duke shkaktuar largimin në masë të mbi 200,000 serbëve vendas.


Që prej asaj kohe, rikthimi i refugjatëve ka qenë shumë i ngadaltë sepse ka pasur shumë vështirësi dhe pengesa për ata të cilët kanë guxuar të kthehen në shtëpitë e tyre.


Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Sanader ka habitur publikun duke u bërë thirrje serbëve të larguar të kthehen në shtëpitë e tyre, duke i siguruar ata se do të kenë të drejtë të kërkojnë kthimin e shtëpive të tyre.


Kryetari i HDZ gjithashtu u ka ofruar pakicës një post ministror, nëse partia do të fitonte. Kjo ofertë është hedhur poshtë sepse serbët kanë kushtëzuar mbështetjen për qeverinë e tij me rikthimin e refugjatëve dhe kthimin e pronave të tyre.


Në fjalimin e tij me rastin e Krishtlindjeve ortodokse, Sanader është përpjekur të sigurojë serbët se veprimet e tij janë të hapura dhe të ndershme: “Unë do të dëshiroja të tregoja me këtë rast se mënyra që ne kemi filluar periudhën e drejtimit të qeverisë është ajo që ne vërtetë mendojmë dhe duam të zbatojmë”.


Seks, i njohur për deklarimet e tij anti serbe gjatë periudhës së Tugjman, ka thënë se “E kaluara e hidhur, kohët e keqkuptimeve dhe mendimeve jo të mira duhen të varrosen në të kaluarën. Mbetem me shpresën që të gjithë të kemi nxjerrë mësime nga historia rreth tolerancës dhe respektit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare”.


“Këto janë shenja shumë të mira,” ka thënë Vojislav Stanimiroviq, një prej tre deputetëve serbë në parlamentin kroat dhe kryetar i Partisë Demokratike Serbe të Pavarur, SDSS, për IWPR. “Tani gjëja më e rëndësishme është të zbatohet kjo politikë e re positive në nivel lokal. Nëse kjo ndodh vërtetë, atëherë mund të flasim për një progres të mirë në marrëdhëniet ndër etnike në Kroaci”.


Kryetari i SNV Milorad Pupovac ka thënë për gazetën Vecernji List më 9 janar se ai ishte optimist në lidhje me qeverinë e re të Sanader. Ai ka thënë se besimi i dyanshëm ndërmjet qeverisë dhe komunitetit serb është shtuar ndjeshëm gjatë diskutimeve të fundit mbi programet e qeverisë për rikthimin e refugjatëve dhe të rindërtimit të shtëpive të shkatërruara.


Përpara pjesëmarrjes së tij të jashtëzakonëshme në pritjen me rastin e krishtlindjeve, Sanader ka vizituar Istrian, rajoni më i zhvilluar në Kroaci, i cili historikisht ka qenë kundër HDZ.


Në Istria jetojnë shumë pjestarë të komunitetit Italian dhe Sanader u është drejtuar atyre në gjyhën e tyre, duke shprehur mbështetjen e fuqishme për zhvillimin e mëtejshëm të rajonit dhe karakterin e vecantë të këtij rajoni. Tugjman për vite me rradhë është përpjekur të bëjë pakicën italiane “më tepër kroate”.


Pak ditë përpara vizitës së tij në Istria, Sanader ka reaguar me qetësi ndaj fitores të ekstremistëve nacionalistë në zgjedhjet e 28 dhjetorit në Serbi, pavarësisht se kryetari i Partisë Radikale Serbe, Tomislav Nikoliq ka kërcënuar se do të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Kroacinë dhe do të shtyjë kufirin e Serbisë më Kroacinë deri në thellësi të territorit kroat. Në të kaluarën, nacionalistët këtu do ta kishin konsideruar këtë si një provokim agresiv dhe do ti ishin përgjigjur në të njëjtën mënyrë.


“Pavarësisht se cila forcë politike është në pushtet në Serbi, Kroacia dëshiron normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe,” ka thënë Sanader, duke theksuar se Zagrebi nuk do të ndërhyjë në punët e brendëshme të një vendi fqinj.


Që prej krijimit zyrtar të qeverisë së drejtuar nga HDZ më 23 dhjetor, kryeministri i ri ka përsëritur disa herë se qeveria e drejtuar prej tij është e gatëshme të bashkëpunojë plotësisht me gjykatën e krimeve të luftës në Hagë – një parakusht i rëndësishëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian – në kundërshtim të dukshëm me politikën e mëparëshme të Zagrebit për të vonuar ekstradimin e të akuzuarve për krime lufte.


Sanader ka thënë se bashkëpunimi me gjykatën është një cështje gjyqësore dhe jo politike, sic kanë theksuar shumë nacionalistë më parë për të justifikuar kundërshtimin e tyre ndaj këtij procesi. Kryeministri ka thënë se Kroacia ka miratuar legjislacionin për bashkëpunim me gjykatën, dhe meqënëse ai është një mbështetës i fuqishëm i zbatimit të ligjit, ai nuk do të shkelë asnjë nga nenet e këtij ligji. Një deklarim i tillë është interpretuar nga shumë analistë si një shprehje e gadishmërisë së Sanader për të dorëzuar pa hezitim të gjithë të dyshuarit për krime lufte.


Burime të afërta me kabinetin e tij kanë thënë se kryeministri ka arritur tanimë një marrëveshje me të gjithë të dyshuarit e mundëshëm për krime lufte për dorëzimin e tyre vullnetar. Në fakt, njoftimet e shtypit në Zagreb gjatë ditëve të fundit flasin rreth faktit që qeveria tanimë ka marrë disa akuza të dorëzuara nga gjykata për disa persona të akuzuar për krime lufte.


Racan, i cili ka përfaqësuar të majtën e moderuar në Kroaci, as që ka ëndërruar ndonjëherë të kishte një politikë të tillë ndaj gjykatës së Hagës, ka komentuar një bashkpunëtor i ngushtë i ish kryeministrit i cili ka preferuar të mbetet anonim.


“Racan nuk mund të kishte kurajon e mjaftueshme për të ndërmarë hapa kaq të fuqishëm dhe ai vazhdimisht shihte se cfarë bënin partitë e djathta, duke pasur frikë nga reagimet e tyre të fuqishme,” ka thënë ish bashkëpunëtori. “Sanader ka larguar disa nga elementët më ekstremistë të djathtë nga partia”.


Por ky ndryshim kaq i madh i politikës së HDZ nuk do të thotë që periudha e qeverisjes së saj do të jetë pa probleme apo se reformat e premtuara nga Sanader do të zbatohen, thonë analistët.


Ata thonë se një gjë e tillë do të varet nga fakti nëse ai arrin të ngrejë nivelin e jetesës, të pakësojë papunësinë dhe të nxisë në përgjithësi ekonominë. Gjatë muajit të parë në qeveri, ai nuk ka dhënë ndonjë shenjë të mirë në këtë drejtim.


Planet për të pakësuar tatimin mbi vlerën e shtuar, TVSH, nga 22 në 20 përqind janë shtyrë deri në vitin e ardhëshëm. Një premtim për të pakësuar administratën shtetërorë nuk është zbatuar. Numri i ministrive është ulur nga 20 në 14, por tanimë është shtuar posti i sekretarit të shtetit – i cili ka pothuajse të njëjtin pushtet si ministrat. Qeveria e re ka krijuar njëzet pozicione të tilla, duke shtuar kështu nivelin e burokracisë.


“Sanader tani bën gjëra të cilat nuk i kushtojnë asgjë, si për shembull u uron serbëve krishtlindjet dhe u drejtohet italianëve në gjuhën e tyre,” ka thënë një analist. “Do të jetë krejtësisht ndryshe kur ai të fillojë të përballet me problemet të cilat kanë edhe një faturë financiare, si për shembull pagimi i borxhit të huaj, pakësimi i taksave dhe përmirësimi i përfitimeve sociale të cilat u ka premtuar njerëzve. Atëherë do të shikojmë se cilat janë pikat e tij vërtetë të forta”.


Drago Hedl është një bashkëpunëtor i rregullt i IWPR në Kroaci.


Serbia, Croatia
Frontline Updates
Support local journalists