Kosovarët Spekulojnë për Koshtunican

Rënia e regjimit të urryer të Sllobodan Millosheviqit ka nxjerrë në pah çështjen problematike të së ardhmes së Kosovës.

Kosovarët Spekulojnë për Koshtunican

Rënia e regjimit të urryer të Sllobodan Millosheviqit ka nxjerrë në pah çështjen problematike të së ardhmes së Kosovës.

Tuesday, 6 September, 2005

Shqiptarët e Kosovës nuk kanë shumë arsye për t'u gëzuar për humbjen e Sllobodan Millosheviqit.


Disa politikanë dhe figura të tjera të rëndësishme në provincë e konsiderojnë pasuesin e tij, Vojisllav Koshtunican, si më shumë nacionalist se vetë udhëheqësin e mparshëm jugosllav.


Fotografia e famshme e presidentit të ri federal duke mbajtur në duar një automatik Kallashnikov i rrethuar nga paraushtarakë serbë në Kosovë në vitin 1998 është botuar në disa gazeta shqiptare dhe ka shkaktuar shumë shqetësim.


Megjithëse Koshtunica nuk është nxituar të bëjë ndonjë deklaratë të fortë për Kosovën, nga deklarimet e tij të shkurtra ishte e qartë se ai e quan provincën si një pjesë të Serbisë.


Por pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk e imagjinojnë dot mundësinë e një rikthimi nën drejtimin e Beogradit. Ata thonë se lidhjet me drejtuesit e tyre u ndërprenë përfundimisht vitin e kaluar kur policia dhe trupat serbe u tërhoqën nga provinca.


Armiqësia fillestare e shqiptarëve ndaj fitores së Koshtunicas është pakësuar kur ai tha se do të respektonte Rezolutën 1244 të OKB-së - një vendim ndërkombëtar, të cilin shumë kosovarë e konsiderojnë si një ndihmë për të hapur rrugën për një shtet të pavarur.


Sipas rezolutës, Kosova është pjesë e Jugosllavisë dhe jo e Serbisë. Koshtunica ka thënë se Jugosllavia praktikisht ka përfunduar së ekzistuari kur është shkrirë federata e vjetër në vitin 1991.


Shumë do të varet nga rruga që do të marrë Mali i Zi. Nëse republika e vogël shpall pavarësinë, atëherë nuk ka asnjë arsye që Kosova të mos ndjekë të njëjtën rrugë.


Me afrimin e zgjedhjeve, udhëheqësit politikë shqiptarë kanë thënë në mënyrë të përsëritur se nuk mund të ketë kompromis për sa i përket synimit të tyre për pavarësi.


Ata mendojnë se rruga për pavarësi fillon nga zgjedhjet lokale të 28 tetorit, të cilat do të pasohen nga hartimi dhe miratimi i një kushtetute të re dhe më pas nga zgjedhjet parlamentare - të cilat do të mbahen dikur në pranverë. Qeveria e re do të thërrasë një referendum për të vendosur për pavarësinë e Kosovës.


Zgjedhjet lokale do të shërbejnë për krijimin e një klase të re administratorësh dhe drejtuesish, të cilët do të drejtojnë provincën dhe gradualisht do të marrin në dorë drejtimin e saj nga UNMIK.


Zyrtarët ndërkombëtarë kanë pranuar kërkesat e shqiptarëve për një kushtetutë të përkohëshme për provincën. Por ambasadori i OSBE-së në Kosovë, Daan Everts, ka thënë se ajo duhet të përgatitet në bashkëpunim me Beogradin - gjë të cilën shqiptarët nuk do ta pranojnë.


Ekziston edhe problemi i serbëve të Kosovës. Edhe drejtuesit e moderuar serbë në provincë janë të lidhur ngushtë me Beogradin dhe refuzojnë të pranojnë se ata i përkasin Kosovës.


Pavarësisht nga fakti që politikanët shqiptarë e kanë shprehur qartë gjatë fushatës së tyre elektorale se ata i konsiderojnë serbët e Kosovës si qytetarë të provincës dhe dëshirojnë që ata të ndjehen të sigurtë, komuniteti i pakicës e ka bojkotuar procesin e regjistrimit të votuesve.


Dhuna anti-serbe pas largimit të forcave jugosllave vitin e kaluar ka detyruar rreth 200,000 Serb të Kosovës të largohen nga shtëpitë e tyre ose për në Serbi ose në enklava të ruajtura mirë nga trupa të KFOR-it. Pjesa më e madhe e tyre ende nuk ka guxuar të kthehet në shtëpitë e veta.


Ekziston edhe problemi i ndarjes së fabrikave në pronësi shtetërore dhe burimeve minerare të Kosovës, të cilat kërkohen si nga Serbia, ashtu edhe nga shqiptarët e Kosovës.


Serbia dëshiron të ndajë Kosovën në qytetin e Mitrovicës dhe të marrë nën kontroll të gjithë Kosovën veriore, e cila është e pasur në minerale dhe industri, në shkëmbim të Serbisë jugore, apo të Kosovës lindore, e cila përfshin luginën e Preshevës, Medvegjës e Bujanovcit. Por kjo ide është e papranueshme për shqiptarët, të cilët thonë se ata janë të gatshëm të luftojnë për ta mbajtur këtë territor.


Së fundi ekziston edhe çështja e komplikuar e rreth 900 të burgosurve shqiptarë të luftës, të cilët mbahen ende në burgjet serbe. Shqiptarët janë të pakënaqur me perëndimin, sepse ai hoqi pjesën më të madhe të sanksioneve të vendosura ndaj ish-Jugosllavisë pa zgjidhur më parë problemin e të burgosurve të luftës.


Llazar Semini është Manaxher i Projektit të IWPR-së në Kosovë.


Balkans, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists