KOMENT: Referendumi në Malin e Zi është i Pashmangshëm

Brukseli dhe Beogradi kanë festuar rezultatet e zgjedhjeve në Malin e Zi, por ata gabohen rëndë nëse mendojnë se shpërbërja e Jugosllavisë mund të ndalet

KOMENT: Referendumi në Malin e Zi është i Pashmangshëm

Brukseli dhe Beogradi kanë festuar rezultatet e zgjedhjeve në Malin e Zi, por ata gabohen rëndë nëse mendojnë se shpërbërja e Jugosllavisë mund të ndalet

Wednesday, 9 May, 2001
Zoran Pajic

Zoran Pajić

Visiting Professor, Department of War Studies, King’s College, London

Zgjedhjet në Malin e Zi u përshëndetën me një ndjenjë lehtësie nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, të cilët kanë punuar shumë kundër përpjekjeve të Presidentit Millo Gjukanoviq për pavarësi. Rezultati i ngushtë - ku koalicioni i presidentit fitoi 42 përqind të votave ndaj 40 përqind të bllokut pro Jugosllavisë - do të shtyjë planet për referendumin për shkëputje nga Jugosllavia. Por Perëndimi nuk ka shumë hapësirë për të vepruar.


Brukseli dhe Uashingtoni nuk arrijnë të kuptojnë që çdo vonesë në votimin për pavarësi nuk do të ndalë fazën e fundit të procesit të shpërbërjes së federatës Jugosllave socialiste të Titos. Rezultati i zgjedhjeve në Malin e Zi mund të jetë zhgënjyes për lëvizjen e pavarësisë për shkak të shpresave të tyre të mëdha për një rezultat më të thellë, por ky rezultat megjithatë është shumë i mirë.


Mbështetja popullore për largimin nga Jugosllavia është rritur në mënyrë të vazdueshme që nga viti 1990. Në fillim të procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, vetëm 10 përqind e popullsisë në Malin e Zi ishin në favor të shkëputes. Në vitin 1998, kjo shifër pothuajse u tre fishua, në 28 përqind.


Nëse rezultatet e koalicionit qeveritar mblidhen me ato të partive të tjera pro pavarësisë, rezultatet më të fundit zgjedhore tregojnë se 56 përqind e elektoratit mbështesin pavarësinë. Ky rezultat është edhe më impresionues sepse ai është arritur pavarësisht presionit ndërkombëtar - i cili kërcënoi edhe për ndërprerje të mbështetjes financiare - dhe gjashtë muaj pas largimit të Sllobodan Millosheviqit nga presidenca e Jugosllavisë.


Njerëzit në Malin e Zi janë të ndarë - sipas slloganeve të kundërta të fushatës - në ata që janë në favor të "Së bashku për Jugosllavinë" dhe ata që besojnë se "Fitorja është për Malin e Zi". Por elektorati është i ndarë edhe nga mosha. Të parët shkojnë drejt plakjes dhe pakësimit të dytët drejt shtimit.


Brezi i pas viteve 1980 në të gjithë Ballkanin nuk e ka njohur ish Jugosllavinë. Ata nuk kanë nostalgji dhe nuk ushqejnë ndonjë ndjenjë armiqësore. Për ta, ish Jugosllavia është diçka e panjohur. Për të rinjtë në rajon nuk ka shumë rëndësi që Jugosllavia i "tha jo Stalinit", drejtoi Lëvizjen e të Paangazhuarve dhe ishte një urë lidhjeje ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit gjatë luftës së ftohtë. Ata duan të jetojnë jetën e tyre në vendet e tyre.


Nga ana e tij, Beogradi ka përshëndetur rezultatin e ngushtë të zgjedhjeve në Mal të Zi jo vetëm me një ndjenjë lehtësimi por edhe me triumfalizëm. Edhe kjo nuk do të zgjasë shumë. Kjo gjë nuk ka kuptim sepse slloganet pro-Jugosllave dhe politika në Serbi, në planin afatgjatë janë anti-Serbe.


Kjo mund të duket e habitëshme, por e vërteta është se procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë duhet të përfundojë përpara se të gjitha shtetet e ish federatës socialiste të mund të përcaktojnë strategjinë e tyre dhe politikat e tyre rajonale.


Kjo vlen edhe për Serbinë. Për shkak të historisë së kohëve të fundit, Serbia arriti të mbante peng emrin dhe "vazhdimësinë" e ish Jugosllavisë. RFJ e Millosheviqit nuk kishte të bënte aspak me federatën e Titos, por ajo shërbeu si një emër i koduar për Serbinë e Madhe. Jugosllavia e presidentit Vojislav Koshtunica nuk ndryshon shumë në këtë aspekt, dhe vazhdon të japë mesazhin e gabuar për Serbët që jetojnë në Bosnje Herzegovinë, Malin e Zi, Kroaci dhe Maqedoni.


Një konfuzion i tillë dëmton edhe procesin e ndërtimit të kombit në Serbi. Serbia nuk do të jetë në gjendje të konsolidohet si një komb-shtet nëse qëndron nën hijen e Jugosllavisë. Për sa kohë që Mali i Zi qëndron në federatë, Serbët do të vazhdojnë të quhen Jugosllavë. Dhe në mendjet e fqinjëve të saj në rajon, kjo lloj federate mund të vazhdojë të kërcënojë për të aneksuar zonat e banuara nga Serbët në Bosnje, Kroaci dhe Maqedoni - me fjalë të tjera, të krijojë një Serbi të Madhe.


Por debati në Beograd rreth së ardhmes në Jugosllavisë përqëndrohet gjithnjë në përfitimet e Malit të Zi për të qëndruar "me ne". Nuk debatohet asnjë herë rreth arësyeve së qëndrimit të Serbisë në federatë. Ky debat shmanget sepse mos përdorimi i emrit Jugosllavi do të bënte që Serbia të përfshihej pikërisht aty ku edhe e ka vendin: në familjen e vendeve Ballkanike në tranzicion, e barabartë me to në nivelet e institucioneve demokratike, ekonominë dhe kulturën politike të pazhvilluar, pa trashëguar asnjë vlerë politike nga Jugosllavia e Titos.


Në mënyrë që të kuptohet drejt procesi në Malin e Zi, duhet pranuar që Jugosllavia pushoi së ekzistuari në vitet 1991-1992. Megjithëse ajo që mbetet prej saj mbijeton me një emër të pasaktë, ato nuk kanë asgjë të përbashkët me federatën e vjetër. Për më tepër, Jugosllavia e Serbisë dhe Mali i Zi kanë luftuar ndaj atyre që e kuptuan në kohë se federata e Titos nuk ekzistonte më.


Si e tillë, në rradhët e popullsisë jo-Serbe në Europën jug-lindore, RFJ është parë që në fillim të viteve 1990 si e njëjtë me idenë e Serbisë së Madhe, është lidhur me tradhëtinë e kryer nga Ushtria Popullore Jugosllave duke luftuar kundër popullit të saj, dhe me arrogancën kokëfortë të Beogradit për të mos pranuar që procesi i shpërbërjes tashmë kishte filluar.


Si përfaqësues të grupit më të madh etnik në një komunitet shumë etnik, drejtuesit politik Serb kanë një përgjegjësi të madhe, dhe kjo klasë politike përfshi edhe pjesën më të madhe të inteligjencies, nuk janë treguar në lartësinë e duhur. Në fakt, arroganca e tyre vetëm shpejtoi vendosmërinë e grupeve të tjera etnike për t'u larguar nga federata.


Komuniteti ndërkombëtar është i gabuar nëse seriozisht beson se Jugosllavia që ka vdekur në vitet 1991-1992 është rikrijuar në federatën e Millosheviqit. Të pranosh këtë trillim vetëm mund të vonosh rezultatin e paevitueshëm të procesit që ka filluar një dekadë më parë.


Në vend që të mbyllin sytë dhe të qëndrojnë me duart kryq - apo akoma më keq të bëjnë kërcënime - Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të ndihmojnë në vendosjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës dhe ti ndihmojnë ato të arrijnë një marrëveshje të re me mjete demokratike; sepse herët apo vonë, Podgorica do ta organizojë referendumin për pavarësi.


Në të njëjtën kohë, Serbia dhe Mali i Zi duhet të mos harrojnë se ato kanë detyrime edhe ndaj popujve të tjerë në rajon, dhe se një qëndrim i pakujdesëshëm ndaj Bosnjes, Kosovës apo edhe ndaj pjesëve të tjera në rajon do ti largojë edhe më tej të dyja vendet nga integrimi Europian.


Dr. Zoran Pajiq, një anëtar i bordit drejtues të IWPR-së, është një bashkëpunëtor i Qendrës për Studime të Mbrojtjes, në Kolegjin Mbretëror në Londër.


Frontline Updates
Support local journalists