KOMENT: PROBLEMET KUFITARE TË BULLGARISË
Korrupsioni dhe mitmarrja duken diçka e zakonëshme në rradhët e zyrtarëve në kufirin i cili së shpejti mund të bëhet porta hyrëse drejt Bashkimit Evropian.
KOMENT: PROBLEMET KUFITARE TË BULLGARISË
Korrupsioni dhe mitmarrja duken diçka e zakonëshme në rradhët e zyrtarëve në kufirin i cili së shpejti mund të bëhet porta hyrëse drejt Bashkimit Evropian.
Në kufirin bullgar me Serbinë ndërmjet Dragoman dhe Dimitrovgrad, kamionë, makina dhe autobusë mbushin disa korsi të rrugës përpara dritave të cilat fiken e ndizen në traun e doganës.
Ky është një kufi i ngarkuar, i cili përballon trafikun në rritje të mallrave ndërmjet Turqisë dhe Perëndimit dhe një numër në rritje turistësh dhe blerësish të cilët drejtohen për në Bullgari, ku sektori i shitjeve me pakicë është përmirësuar shumë gjatë viteve të fundit.
Kjo pikë kontrolli është përmirësuar në përputhje me faktin që në vitin 2007, ky kufi do të jetë kufiri i jashtëm i Bashkimit Evropian me Ballkanin perëndimor, nëse miratohet aplikimi i Sofies për anëtarësim.
Por nëse kjo do të jetë porta e Evropës brenda dy vjetësh, si Evropa ashtu edhe Bullgaria kanë shumë për të bërë gjatë kësaj kohe.
Korrupsioni duket diçka e zakonëshme në rradhët e zyrtarëve të doganave bullgare dhe serbe, dhe marrja e dhënia e rrushfeteve bëhet krejtësisht haptazi.
IWPR ka hetuar këtë çështje duke udhëtuar në një autobus i cili kryen shërbimin e rregullt nga Sofia, 55 kilometra në lindje të kufirit, për në qytetin serb të Nish, rreth 100 kilometra më në perëndim.
Autobusi, në pronësi të kompanisë shtetërore Nish Ekspres, ka arritur në kufi në kohë rreth orës 4:45 pasdite.
Autobusi më pas ka kaluar katër orë e gjysëm në kufi, sepse pasagjerët kanë diskutuar haptazi me doganierët për masën e rrushteteve të cilët kërkonin ata për të lënë autobusin të kalonte.
Problemet filluan menjëherë, kur doganierët në anën bullgare i kërkuan autobusit të drejtohej për në një zonë kontrolli.
Është e vështirë të kuptosh se përse një autobus i rregullt pasagjerësh i cili e kryen këtë rrugë disa herë në javë duhet të drejtohet për në zonën e kontrollit e cila është planifikuar për të kontrolluar kamionët të cilët dyshohen se transportojnë mallra kontrabandë apo trafikojnë emigrantë të paligjshëm.
Garazhi, në të cilin inspektorët mund të qëndrojnë në disa gropa të thella të cilat u lejojnë atyre të kontrollojnë pjesën e poshtëme të mjeteve të dyshimta, nuk është planifikuar për autobusët me dritare xhami, ku çdo gjë mund të shihet lehtësisht. Cfarë mund të fshihet nën apo në një autobus, menduam ne?
Por pasagjerët e tjerë duket se nuk ishin të habitur. Ata gjithashtu nuk mendonin se autobusi do të kontrollohej. Ata na thanë, se e gjitha ishte një lojë pritjeje.
Disa prej pasagjerëve më me eksperiencë në këtë udhëtim zbritën dhe nisën të flisnin me doganierët. Përpara se të bënin këtë, ata nisën të kërkonin para nga pasagjerët e tjerë të autobusit, duke mos na kushtuar vëmendje ne të huajve.
Ndërmjetësit u kthyen më pas të mërzitur. “Duan më shumë,” tha njëri prej tyre, duke drejtuar sytë nga doganierët. “Sa duan?” pyeta unë, duke treguar për herë të parë se e kuptoja gjuhën e tyre. “A ke dhjetë euro?” pyeti njeriu me shpresë.
Paratë që ishin mbledhur herën e parë si duket nuk kishin mjaftuar dhe tani ai kërkonte dhjetë euro për çdo person përpara se të kthehej dhe të bisedonte me zyrtarët. Ne nuk kishim euro me vete, por pranuam ti jepnim disa leva bullgare të cilët vlenin më pak se gjysma e shumës së kërkuar.
Ndërsa ne qëndronim jashtë, duke pritur nën qiellin e natës, një tregtar rom qëndronte pranë nesh, duke pirë duhan dhe duke mallkuar doganierët.
Gruaja tregoi me gisht një tjetër autobus i cili megjithëse kishte arritur pas nesh, po kalonte pa probleme doganën, duke na lënë ne pas.
Kjo na habiti, sepse autobusi kishte më tepër se dy fishin e pasagjerëve të autobusit tonë dhe kur doganierët kontrolluan dukeshin qartë shishe të shumta me pije alkoolike dhe mallra të tjera.
“Ai autobus është i një kompanie private,” thotë ajo. “Shoferi i tyre shkon brenda dhe u jep 200 euro në dorë doganierëve.
“Autobusi ynë,” shton ajo, “i përket një kompanie shtetërore. Shoferi nuk ka para t’u japë, kështu që ne duhet të presim”.
Pranimi i këtij regjimi nga kjo grua na tronditi, por pikpamjet e saj, tha ajo, reflektonin vite të tëra eksperiencë duke udhëtuar në këtë itinerary çdo javë.
“Unë ble veshje në Sofie dhe i shes në tregun e Nishit, dhe çdo herë duhet të pres katër, pesë orë apo edhe më tepër,” ka thënë ajo për IWPR.
Ndonjëherë, thotë ajo, autobusi dhe pasagjerët janë bllokuar edhe për kohë më të gjatë dhe turni i ditës ka lënë punën. Më pas, janë detyruar të fillojnë përsëri procedurat me turnin e natës.
“Peshqit e mëdhenj nuk kanë probleme, ne të vegjlit vuajmë,” thotë ajo me zemërim.
“Ata na marrin kafshatën nga goja, dhe blenë vila e makina të mëdha me paratë tona”.
E kuptoj zemërimin e saj, sepse mallrat e tregtarëve të vegjël në autobus nuk do të kishin tërhequr vëmendjen e zyrtarëve të doganave në ndonjë kufi “normal”.
Mallrat e asaj gruaje ishin disa bluza dhe këmisha, të cilat mbushnin tre qese plastike mesatare gjysëm të grisura. Të ardhurat e saj nga shitja e tyre nuk sigurojnë as njëqind euro në muaj.
“Përpiqu të mbash familjen me katër vetë në Serbi me ato të ardhura,” thotë ajo. Burri i saj ka humbur punën në Nish pesë vjet më parë, kështu që ajo është e vetmja që punon në familje. Fytyra e saj e rrudhosur dhe e ushqyer keq tregonte më tepër për jetën e saj.
Autobusi i orës 4 pasdite nga Sofia në Nish, i cili duhet të arrinte në destinacion brenda tre orësh, arriti në 11 të natës. Në fund, doganierët bullgarë na lanë të kalonim. Ata gjithnjë i lënë të kalojnë njerëzit, mesa duket është thjesht çështje durimi dhe kush dorëzohet më parë.
Ndoshta doganierët më në fund ishin bindur që ato pak leva dhe dinarë serb që dhamë ishin të gjitha sa na kishin mbetur dhe se ata nuk mund të siguronin asgjë më tepër nga ky limon i shtrydhur.
Pjesa e dytë e pritjes prej katër orë e gjysëm na priste në anën e doganës serbe, e cila dukej se vepronte njësoj si kolegët e tyre bullgarë.
Por ka një ndryshim: Bullgaria është në prag të anëtarësimit në një prej blloqeve jo vetëm më të fuqishme tregtare të botës, por edhe një organizmi i cili vendos standarde të larta për qeverisjen e mirë.
Serbia as nuk ka bërë ende kërkesë për anëtarësim. Standarded e sjelljes në kufirin e Serbisë janë në një farë mënyre një çështje e saj. Standarded e përdorura nga Bullgaria, shumë shpejt do të reflektojnë ato të Evropës së bashkuar.
Marcus Tanner është redaktor/trajnues i IWPR në Beograd.