Kandiq - Filipoviqi i Rradhës?

Një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut në Beograd mund të akuzohet pas botimit të një artikulli rreth përfshirjes së ushtrisë jugosllave në krimet e luftës në Kosovë.

Kandiq - Filipoviqi i Rradhës?

Një aktiviste e njohur e të drejtave të njeriut në Beograd mund të akuzohet pas botimit të një artikulli rreth përfshirjes së ushtrisë jugosllave në krimet e luftës në Kosovë.

Drejtoresha e Qendrës Ligjore Humanitare me qendër në Beograd, Natasha Kandiq, mund të akuzohet në bazë të ligjit drakonian për informacionin publik në Serbi, pasi komanda e lartë e Ushtrisë Jugosllave, UJ, ka protestuar ndaj artikullit të saj mbi krimet e luftës në Kosovë.


Shërbimi i shtypit të shtabit të përgjithëshëm të UJ-së ka njoftuar më 24 gusht se ushtria po planifikon të ngrejë padi ndaj Kandiqit për artikullin e saj me titull "Unë nuk dua të flas për tmerret," të botuar po atë ditë në të përditshmen e Beogradit Danas.


"Natasha Kandiq shfaqet me anë të dëshmisë së saj si një dëshmitare okulare," thuhej në deklaratën e UJ-së, "dhe, sipas saj, ajo zotëron prova të pakundërshtueshme për krime. Kjo përbën një burim të çmuar informacioni për gjykatat dhe UJ-në që do të ndihmojë që fajtorët për këto tmerre t'i jepen drejtësisë dhe ajo nuk mund të mos flasë për to përpara drejtësisë.


"Ne duam që akuzat e përmendura të mbështeten në prova, përndryshe do të kemi të bëjmë me diçka tjetër, e cila parashikon përgjegjësi dhe pasoja të përcaktuara qartë nga ligji."


Ky kërcënim i ulët natyrisht që kërkon t'i kujtojë Kandiqit fatin e Miroslav Filipoviqit, gazetari nga Kraljeva i dënuar nga një gjykatë ushtarake me 7 vjetë burgim me akuzën për spiunazh. Edhe Filipoviq kishte shkruar rreth përfshirjes së UJ-së në krime lufte në Kosovë.


Artikulli i Kandiqit përmbante një numër akuzash serioze ndaj UJ-së për veprimet e saj në fillim të vitit 1999 në Kosovë.


"I kam akoma para syve fytyrat e atyre 20 vjeçarëve," shkruante Kandiq për ushtarët e UJ-së të cilët më 14 maj 1999 ndaluan një kolonë refugjatësh shqiptarë dhe "bërtisnin duke u lutur dhe duke u ofruar refugjatëve ushqimin e tyre, duke kërkuar falje, duke u thënë se nuk ishin fajtorë, se komandantët e tyre i kishin dërguar në Kosovë dhe se ata nuk dinin se ku po shkonin."


Në një intervistë me një gazetë të njohur franceze, Kandiq ka zgjeruar sulmet e saj.


"E çfarë lloj mësimi mund të nxirret nga një regjim i cili nuk jep viza për hetuesit e Gjykatës së Hagës, të cilët dëshirojnë të mbledhin dëshmi pikërisht rreth vuajtjeve të serbëve në kampin e Celebicit? Ky regjim thjesht nuk dëshiron të vërtetën dhe nuk dëshiron të përballet me realitetin," ka thënë ajo.


Disa komentatorë në Beograd dyshojnë se regjimi i presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq mund të përpiqet të mbyllë gojën Kandiqit ashtu siç bëri me Filipoviqin. Kandiq është e njohur për punën e saj hetimore mbi krimet e luftës në ish-Jugosllavi dhe është ndoshta një dëshmitare e rrezikshme për Millosheviqin.


Sipas një teorie tjetër, sulmi ndaj Kandiqit në fakt synon të gjitha organizatat jo-qeveritare që veprojnë në Serbi. Sektori i OJQ-ve përgjithësisht ka përbërë një qëndresë edhe më të fortë se opozita politike serbe ndaj regjimit të Millosheviqit, veçanërisht tani në periudhën para-zgjedhore.


Bashkësia e OJQ-ve, për shembull, është e përgatitur të ngrejë çështjen e krimeve të luftës, e cila përbën akoma një tabu për opozitën politike. Asnjë nga përfaqësuesit e lartë të opozitës politike nuk e ka mbështetur Kandiqin.


Komiteti Jugosllav i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut ka thënë se Kandiq "kishte dhënë një mesazh të qartë për të gjithë ata që luftojnë për krijimin e një shoqërie civile dhe sundimin e ligjit. Ne nuk kemi të drejtë të qëndrojmë gojëmbyllur dhe të kemi frikë".


Kryetarja e këtij komiteti, Biljana Kovaçeviq-Vuco, ka thënë: "Më e pakta që mund të bëjmë është të mbështesim dhe shprehim solidaritetin tonë me Natasha Kandiq... Dje e kishte rradhën Miroslav Filipoviq dhe sot - dikush tjetër."


Deklarata e UJ-së me kërcënime për ngritje akuzash i ka dhënë fund një shkëmbimi të ashpër deklaratash ndërmjet Kandiqit dhe shtabit të përgjithshëm të botuar gjatë javëve të kaluara në faqet e Danas.


Më 12 gusht gazeta ka botuar një koment të Kandiq mbi rastin e Filipoviq. Kandiq ka thënë se ashpërsia e dënimit të dhënë ndaj Filipoviqit tregon mungesën e dëshirës nga ana e UJ-së për të parë në sy të vërtetën rreth krimeve të luftës të kryera nga ushtarët e saj ndaj civilëve shqiptarë në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Një nga shkrimet e Filipoviqit për IWPR-në përmbante edhe disa tregime të oficerëve të UJ-së të cilët kishin qenë dëshmitarë të krimeve të kryera në provincë.


"Të bie në sy mënyra se si është diskutuar kjo temë, në atë mënyrë që askush të mos kuptojë thelbin e saj. Thelbi është se Filipoviq ka qenë i pari që ka shtruar për diskutim çështjen e përgjegjësive të ushtrisë," ka thënë Kandiq. Tanimë debati mbi rolin e ushtrisë është hapur dhe nuk mund të mbyllet me kaq, ka shtuar Kandiq.


Disa ditë më pas media e kontrolluar nga qeveria ka nisur një fushatë të ashpër ndaj Kandiqit dhe Filipoviqit. Agjencia e shtetërore lajmeve, Tanjug, e ka quajtur Filipoviqin një "tradhëtar", "propagandist" dhe "kukull e NATO-s". Ata njerëz nga shoqëria serbe të cilët kanë bërë thirrje për lirimin e tij janë etiketuar si "pseudo-demokratë nën kontrollin e NATO-s".


Në ndryshim nga praktika e zakonëshme, UJ ka botuar reagimin e saj ndaj artikullit të Kandiqit në median e pakontrolluar nga qeveria. Më 17 gusht zëdhënësi i UJ-së kolonel Zvetozar Radishiq ka shkruajtur në Danas duke akuzuar Kandiqin se mbështet NATO-n dhe ekstremistët shqiptarë.


Për çudi letra në fakt nuk përgënjeshtronte faktin që UJ kishte kryer krime lufte. Ajo thoshte se Kandiq kishte "zhvleftësuar ligjin jugosllav dhe kishte mbuluar krimet e terroristëve shqiptarë dhe kriminelëve të NATO-s.


"Të akuzosh mbrojtësit [UJ] dhe të harrosh kriminelët e vërtetë dhe terroristët është një krim tjetër," vazhdonte letra.


Kandiq është përgjigjur më 24 gusht me artikullin e saj se "unë bëj pjesë në atë grup njerëzish të cilët dëshirojnë të qëndrojnë gojëkyçur, edhe duke rrezikuar gjyqet tuaja."


A ka mundësi që pakënaqësia ndaj regjimit të Millosheviqit të ketë krijuar më së fundi një atmosferë ku tema e krimeve të luftës të mos jetë më tabu? Është e qartë se duhet ende kohë, por, siç është shprehur edhe Kandiq, kutia e Pandorës është hapur tashmë dhe asnjë presion nga ana e regjimit nuk do të mund ta mbyllë atë përsëri.


Zheljko Cvijanoviq është bashkëpunëtor i rregullt i IWPR-së.


Balkans, Serbia, Kosovo
Frontline Updates
Support local journalists