Gjyqi i Millosheviq: Rishkrimi i së Kaluarës së Serbisë
I pandehuri po paraqet një numër akademikësh në një përpjekje për të provuar se Serbia nuk ka pasur plane ekpansioniste në vitet tetëdhjetë.
Gjyqi i Millosheviq: Rishkrimi i së Kaluarës së Serbisë
I pandehuri po paraqet një numër akademikësh në një përpjekje për të provuar se Serbia nuk ka pasur plane ekpansioniste në vitet tetëdhjetë.
Një memorandum famëkeq i vitit 1986 i cili konsiderohet gjerësisht si plani për shpërbërjen e ish Jugosllavisë ka qenë vetëm “një document paralajmërues” i cili është keqpërdorur që prej asaj kohe nga fuqitë perëndimore për qëllime propagandistike, ka thënë një prej autorëve të tij këtë javë.
Profesori në pension Kosta Mihajloviq, ish anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, SANU, ka qenë një prej dy dëshmitarëve të cilët kanë dëshmuar në gjyqin ndaj Sllobodan Millosheviqit në Hagë.
Ish presidenti jugosllav përballet me 60 akuza për krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe genocid në tre padi në lidhje me luftërat në Bosnje, Kroaci dhe Kosovë.
Mihajloviq ka qenë një ndër autorët e memorandumit i cili sipas prokurorëve ka qenë baza e një vale të re nacionalizmi serb, i cili më pas është shfrytëzuar nga Millosheviq në rrugën e tij drejt pushtetit.
Dokumenti, i cili i është dhënë shtypit në vitin 1986, kërkonte ndryshime kushtetuese me qëllim që të ndryshohej “mungesa e balancës së pushtetit” në Jugosllavi, e shkaktuar nga tensionet etnike në provincat autonome serbe të Vojvodinës dhe Kosovës, të cilat kanë pasur mundësinë e vetos ndaj vendimeve të Beogradit.
Veprimet e shqiptarëve etnik në Kosovë në atë kohë kanë qenë sipas dokumentit “një genocid fizik, politik, ligjor, dhe kulturor ndaj popullsisë serbe” – një situatë e cila duhet të ndryshohej, sipas memorandumit.
I pyetur se cila ka qenë arësyeja për shkrimin e memorandumit nga SANU, dëshmitari është përgjigjur, se “Arësyeja ka qenë një ndjenjë e cila ishte prezente se vendi ishte në prag të një krize serioze pa rrugëdalje. Akademia ka qenë shumë e shqetësuar për këtë”.
Fillimisht memorandumi është parë si një “veprim i kurajos civile” të SANU, ka thënë dëshmitari, por ky mendim ka ndryshuar për të keq pas shpërbërjes së Jugosllavisë.
Millosheviq më pas e ka pyetur Mihajloviq përse ai mendonte se “propaganda perëndimore ka thënë se memorandumi nxiste konfliktet ndëretnike dhe ka kontribuar në shpërbërjen e Jugosllavisë”.
“Njerëzit harrojnë se memorandumi nuk i drejtohej aspak publikut,” ka thënë Mihajloviq. “Dokumenti i është dhënë shtypit dhe është keqpërdorur për të sulmuar akademinë”.
Megjithatë, gjatë seancës së pyetjeve, prokurori Geoffrey Nice ka theksuar se ndryshimet ndërmjet versioneve të memorandumit të dhënë shtypit në vitin 1986 dhe versionit të botuar nga SANU në vitin 1995 kanë qenë “të pakta”.
Për shkak të kalendarit të ngjeshur në ditët përpara ndërprerjes së dimrit të gjykatës, trupi gjykues ka paralajmëruar prokurorët dhe mbrojtjen se pyetjet për dëshmitarin duhet të ishin të përmbledhura mirë dhe të drejtpërdrejta.
Prokurori Nice është qortuar më pas nga gjykatësi Bonomy se ka bërë disa “pyetje tepër të pakuptimta” gjatë seancës së pyetjeve ndaj Mihajloviq, një mendim me të cilin prokurori nuk ka qenë në një mendje.
Më datat 15 dhe 16 dhjetor, një tjetër historian i SANU, profesori në pension Cedomir Popov, ka përfunduar dëshminë e tij në Hagë.
I pyetur nga Millosheviq, dëshmitari ka folur për shkeljen e të drejtave të popullit serb për shkak të agresionit territorial nga vendet e tjera evropiane, dhe ka mohuar se Beogradi synonte krijimin e një Serbie të madhe e cila do të dominonte të gjithë Ballkanin.
I pyetur nga kryetari i trupit gjykues Patrick Robinson nga Xhamaika nëse ai po thoshte se nuk ka pasur asnjëherë një politikë të Serbisë së Madhe, Popov është përgjigjur: “Unë thashë se ka pasur ide të tilla por ato kanë qenë gjithnjë pjesë e forcave të vogla dhe jo të rëndësishme, me një përjashtim”.
Dëshmitari ka shpjeguar se Serbia kishte marrë pjesë në luftën e parë në Ballkan në vitin 1912 me qëllim që të dëbonte trupat turke dhe të merrte nën kontroll Kosovën e çliruar dhe një port në detin Adriatik. Ajo gjithashtu kishte marrë nën kontroll edhe një pjesë të Maqedonisë së sotme, siç kishte bërë edhe Bullgaria dhe Greqia.
“Kjo ka qenë e vetmja lëvizje ekspansioniste nga Serbia me sa di unë,” ka thënë Popov.
Trupi gjykues ka paralajmëruar Millosheviqin të mos përqëndrohet shumë në hollësitë akademike, por i pandehuri ka thënë se krijimi i Serbisë së Madhe ka qenë “një ndër argumentat kryesore” në akuzat ndaj tij dhe se “ky absurditet duhet të qartësohet dhe të sqarohet”.
Megjithatë, Nice ka shfrytëzuar këtë mundësi për t’u kujtuar gjykatës se prokuroria nuk e bazon akuzën e saj në çështjen e Serbisë së Madhe, dhe se “asnjëherë nuk ka thënë se i pandehuri e ka përdorur këtë shprehje”.
Gjykatësit gjithashtu kanë paralajmëruar të pandehurin të mos merret me gjëra të vjetra, duke theksuar se meqënëse disa prej dëshmitarëve të mëparshëm kanë qenë historianë, trupi gjykues rrezikon të zhytet në shumë histori.
Më parë këtë javë, Millosheviq ka përdorur ndërprerjen e parqitjes së dëshmitarëve për të përsëritur thirrjet e tij për një sërë politikanësh shumë të rëndësishëm të cilët sipas tij duhet të sillen me forcë për të dëshmuar në gjykatë.
Ish presidenti jugosllav po përpiqet për të provuar se Serbia ka qenë viktimë e agresionit ndërkombëtar të viteve nëntëdhjetë, dhe dëshiron të thërrasë për të dëshmuar ish presidentin amerikan Bill Clinton, sekretaren e shtetit Madeleine Albright, kryeministrin britanik Tony Blair dhe ish kancelarin gjerman Gerhard Schroeder, për të dëshmuar në Hagë.
Megjithatë, ai nuk ka ndjekur këshillat e mëparëshme të gjykatësit Robinson që të paraqesë me shkrim këto kërkesa. Millosheviq nuk ka pranuar të shkëmbejë asnjë korrespondencë me shkrim me gjykatën, të cilën ai nuk e njeh si të ligjëshme, dhe nuk do të flasë me avokatët e caktuar nga gjykata të cilët mund të bënin një kërkesë të tillë.
Përkundrazi, ish presidenti është përpjekur të bindë trupin gjykues se meqënëse kërkesa e tij me gojë është transkriptuar në dokumentat e gjykatës, kjo përbën një kërkesë “me shkrim”.
Megjithatë, kjo nuk e ka bindur gjykatësin Robinson.
“A nuk kemi folur dy apo tre herë për këtë çështje?” ka pyetur me shumë durim kryetari i trupit gjykues. . “A keni bërë një kërkesë me shkrim ku të kërkoni paraqitjen e tyre?”
“Unë i kam dhënë çdo gjë zyrtarit të ndërlidhjes dhe e kam paraqitur edhe me gojë. Kërkesa është transkriptuar, dhe tani e keni edhe me shkrim,” është përgjigjur i pandehuri.
“Jo,” ka thënë gjykatësi Robinson. “Ju duhet ta paraqisni kërkesën me shkrim. Nëse ju insistoni që kjo është një kërkesë me gojë, trupi gjykues do të refuzojë atë dhe mund të paraqisni një kërkesë me shkrim më vonë.
“Unë dua që ju të paraqisni të njëjtin dokumentacion që ka paraqitur prokuroria kur ata kanë kërkuar paraqitjen e dëshmitarëve. Ju mund të mësoni nga ata. Zoti Nice mund t’jua japë këto dokumenta”.
Me qëllim që të sillet një dëshmitar me forcë, trupi gjykues duhet të jetë i bindur që të gjitha përpjekjet për të siguruar paraqitjen e një dëshmitari nuk kanë dhënë rezultat. Gjykatësi Robinson ka paralajmëruar më se një herë të pandehurin se një hap i tillë “nuk është i lehtë për tu ndërmarrë”, dhe se çdo herë duhet të ndiqen procedurat e nevojëshme.
Gjykatësi Robinson ka paralajmëruar Millosheviqin se nëse do të përpiqet të ngrejë çështjen e paraqitjes me forcë të dëshmitarëve pa ndjekur instruksionet e trupit gjykues, atëherë trupi gjykues “do të jetë i detyruar të mendojë se ju e bëni me qëllim një gjë të tillë”.
Procesi është shtyrë për pushimet e dimrit dhe pritet të rinisë më 11 janar.
Alison Freebairn është një redaktore e IWPR në Londër. Michael Farquhar është një reporter i IWPR në Hagë.