Gjingjiq më i Fortë në Luftën për Pushtet në Beograd

Kryeministri Serb Zoran Gjingjiq i ka forcuar pozitat pas ekstradimit të Millosheviqit në Hagë.

Gjingjiq më i Fortë në Luftën për Pushtet në Beograd

Kryeministri Serb Zoran Gjingjiq i ka forcuar pozitat pas ekstradimit të Millosheviqit në Hagë.

Ekstradimi i Sllobodan Millosheviqit i ka dhënë një goditje të fortë politike presidentit Jugosllav Vojisllav Koshtunica. Kjo lëvizje, e organizuar nga qeveria Serbe pa marrë parasysh kundërshtimet e autoriteteve federale, e ka dobësuar Koshtunicën dhe ka forcuar kryeministrin e Serbisë Zoran Gjingjiq.


Që prej rrëzimit të Millosheviqit, Gjingjiq ka qenë i eklipsuar nga Koshtunica i cili ishte një figurë më popullore, por hapi deciziv dhe i rrezikshëm i ndërmarrë nga Gjingjiq për të ekstraduar ish kryetarin e shtetit Jugosllav i ka ndryshuar pozitat.


Autoriteti i presidencës federale, i cili është dobësuar edhe nga fakti se Mali i Zi dëshiron të shkëputet nga federata, është dëmtuar edhe më shumë nga hapi i ndërmarrë edhe në kundërshtim me gjykatën kushtetuese Jugosllave. Koshtunica e ka përshkruar veprimin e Gjingjiqit si një "grusht shteti të vogël" në gazetën Italiane La Stampa.


Ndërkohë, Gjingjiq, thotë se ai duhet të merrte përsipër përgjegjësitë për fatin e Serbisë. Kundërshtimi i ligjit të propozuar federal për bashkëpunim me gjykatën e Hagës do të vinte në rrezik konferencën ndërkombëtare të donatorëve në Bruksel më 29 Qershor dhe si pasojë edhe shansin e fundit të Serbisë për të shpëtuar nga një katastrofë financiare. Vetëm pak orë pas mbërritjes së Millosheviqit në Hagë, Perëndimi premtoi 1.3 miliard dollarë Amerikan ndihmë për Beogradin.


I dobësuar në pozitat e tij si president federal, Koshtunica është përpjekur të testojë influencën e Gjingjiqit në qeverinë Serbe. Partia Demokratike Serbe, DSS, e presidentit, është larguar nga parlamenti Serb, duke e ulur numrin e deputetëve të koalicionit DOS nga 176 në 131.


Asambleja Serbe ka 250 vende dhe Koshtunica në teori mund të rrëzojë qeverinë nëse do të vendoste të bënte aleancë me Partinë Socialiste Serbe të Millosheviqit dhe Partinë nacionaliste Radikale të Vojisllav Shesheljit - megjithëse një hap i tillë do të ishte praktikisht një vetvrasje politike për presidentin.


Por, Koshtunica ka kërkuar ndryshime në gjirin e qeverisë Serbe. Ai kërkon që ministri i brendëshëm Vladen Batiq dhe ministri i drejtësisë Dushan Mihajlloviq, që të dy njerëz besnik të Gjingjiqit dhe figura kryesore të ekstradimit të Millosheviqit, të zëvendësohen me njerëz të afërt të tij. Por një gjë e tillë mund të jetë e vështirë të arrihet.


"Nëse presidenti Koshtunica do që unë të largohem, nuk ka problem," ka thënë Mihajlloviq, i cili duket se kërkon të shmangë një konfrontim me kryetarin e shtetit i cili gëzon ende përkrahje popullore. Por, Batiq, nga ana e tij duket se nuk ka në plan të largohet. Ai ka njoftuar se administrata do të ndryshojë duke përfshirë edhe disa ministra të rinj pa portofol dhe disa përfaqësues nga komunitetet Muslimane dhe Shqiptare. Futja e përfaqësuesve të minoriteteve, e cila pritet të bëhet në Shtator, do të forconte pozitat e Gjingjiqit, sepse ata nuk përkrahin Koshtunicën dhe nacionalizmin e tij.


Pas ekstradimit të Millosheviqit, Gjingjiq ka arritur të përballojë me sukses Koshtunicën duke fituar edhe mbështetjen e shumicës së partive që përbëjnë koalicionin qeveritar. Vetëm Koshtunica, Velja iliq, drejtuesi i partisë Serbia e Re, dhe Momçillo Perishiq, drejtuesi i Lëvizjes Demokratike të Serbisë, dhe ish shef i shtabit të përgjithëshëm të ushtrisë Jugosllave, kanë kundërshtuar kryeministrin Serb. Gjingjiq ka arritur të vendosë kontrollin e tij edhe mbi policinë dhe pjesën më të madhe të mediave.


Autoriteti i presidentit federal është dëmtuar edhe më shumë kur një zyrtar i lartë i qeverisë Serbe, Nebojsha Coviq është emëruar kryetar i ekipit koordinues për Kosovën. Dëri më tani, provinca ka qenë nën juridiksionin e Jugosllavisë. Marko Jaksiq, zëvendës president i DSS, ka kritikuar ashpër emërimin e Coviqit. "Vendimi i qeverisë Serbe është një mini grusht shteti tjetër," ka thënë Jaksiq.


Beteja në mes Koshtunicës dhe Gjingjiqit po bëhet gjithnjë e më tepër një betejë ndërmjet atyre që mbështesin mbi të gjitha mbijetesën e federatës Jugosllave dhe atyre që nuk e konsiderojnë këtë gjë si prioritetin e tyre.


Hapi i parë i përpjekjeve të Koshtunicës për të shpëtuar federatën, duhet të jetë rindërtimi i qeverisë Jugosllave sa më shpejt të jetë e mundur. Kryeministri federal Zoran Ziziq, i partisë Socialiste popullore të Malit të Zi, SNP, ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste ndaj ekstradimit të Millosheviqit. SNP-ja tani në këmbim të rikthimit të saj në qeveri po kërkon gjysmën e posteve ministrore, përfshirë edhe kontrollin mbi ekonominë dhe financat federale.


Por për Koshtunicën mund të jetë e vështirë të pranojë kërkesat e tyre. Deri në rrëzimin e qeverisë Jugosllave, portofolet e ekonomisë dhe financave kanë qenë në duart e ministrave pro Gjingjiqit, me në krye ekonomistin e njohur Miroljub Labush, i konsideruar në qarqet ndërkombëtare si një simbol i reformës ekonomike Jugosllave, siç konsiderohet Gjingjiq në fushën e reformave politike.


Për më tepër, përpjekjet e Koshtunicës për të miratuar një kushtetutë të re federale për të rregulluar marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Malit të Zi duket se do të bllokohen, sepse presidenti pro-pavarësisë i Malit të Zi, Millo gjukanoviq kërkon bisedime direkte ndërmjet qeverive Serbe dhe Malazeze.


Megjithëse Gjingjiq thotë se ai mbështet federatën, ai nuk është shumë i shqetësuar për mbijetesën e saj. Ai ka mirëpritur thirrjen e Gjukanoviqit për një referendum për pavarësinë. Njerëz të afërt me Koshtunicën thonë se kryeministri Serb ka rënë dakort për shkrirjen e Jugosllavisë me Gjukanoviqin gjatë dy takimeve sekrete të mbajtura këtë verë. Gjingjiq dhe Gjukanoviq nuk pranojnë të jenë takuar.


Por një gjë është e qartë, Gjingjiq reflekton një rrymë të re në politikën Serbe, e cila mendon se nuk është e nevojëshme të mbahet gjallë federata me çdo çmim. Koshtunica i izoluar, tani gjendet përballë një humbjeje përfundimtare - ai mund të shndërrohet në një Mikhail Gorbaçov të politikës Jugosllave.


Karta e vetme që i mbetet është popullariteti që gëzon. Zgjedhjet e reja në Serbi dhe Jugosllavi mund të jenë e vetmja mënyrë për të kthyer balancën e pushtetit në favor të tij. Por Gjingjiq - i cili e di fort mirë një gjë të tillë - thotë se zgjedhjet e reja do të ndalonin reformat që po mundohet të zbatojë qeveria e tij, një pikpamje e cila mbështetet edhe nga komuniteti ndërkombëtar.


Përplasja përfundimtare ndërmjet Gjingjiqit dhe Koshtunicës nuk pritet të ndodhë deri kur të fillojnë bisedimet ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës për të ardhmen e një shteti të përbashkët. Nëse Koshtunica arrin të shpëtojë federatën, do të jetë një triumf i tij. Nëse federata shpërbëhet, atëherë ashtu si edhe Gorbaçovi, ai do të gjendet në pozicionin e një presidenti të një shteti inekzistent.


Zheljko Cvijanoviq është një bashkëpunëtor i rregullt i së përditëshmes së Sarajevos, Dani.


Serbia, Kosovo
Support our journalists